Kur thua Anri Sala, patjetër do të thuash edhe muzikë, edhe ngjyra, edhe art. E kur thua art kontemporan të Anri Salës, patjetër do të gjesh edhe videot me pjesët muzikore, që një mendje kreative si e Anrit, mund t’i kombinojë ashtu sikurse shfaqen duke folur me një gjuhë tjetër. Sepse vërtet, një medje si e
Anrit, mund të vendosë një DJ përballë dy pianistëve; apo të vendosë të flasë me gjuhën e muzikës për të përkujtuar 50 vjetorin e ngjarjes më të rëndësishme të Evropës, traktatin e Elizesë; apo për t’u kthyer pas në kohë, në Luftën e Parë Botërore.

Eshtë prezantimi “Ravel Ravel Unravel”, vepra më e fundit e artistit shqiptar, me të cilën po garon Franca në këtë Biennale të Venecias, e që është pretendente për Luanin e Artë të këtij viti. Ndoshta pakkush nga lexuesit e këtij shkrimi mund të ketë idenë se çfarë do të thotë ky titull apo këto fjalë. Dhe mund të kenë të drejtë. Ashtu sikurse unë.

Rrugës për në Venecia, Fate Velaj, artisti shqiptar i vendosur në qendër të medias kohët e fundit për një komision hetimor parlamentar, më tregon se është nisur për të parë pavionin francez të Bienales së Venecias 2013, që do të hapet ditën e sotme, në 1 qershor 2013. Aty e pret një artist i rrallë, pse jo, i madh, me një famë ndërkombëtare e që vjen nga Shqipëria. Ndoshta ne menduam shumë për Elhaidën, suksesin e saj në Itali, por prapë në Itali, një tjetër shqiptar është në pritje të triumfit. 
Vepra

Duhet të hyjmë në botën e veprës që prezanton artisti shqiptar Anri Sala “Ravel, Ravel, Unravel”. Të mos e fsheh, as unë nuk kuptoja gjë. Gjatë rrugës me autobuz drejt Venecias, Fate, më shpjegon se çdo të thotë kjo vepër. 
Ndoshta në pamje të parë, titulli mund të duket i thjeshtë për veprën, por sipas ekspertëve dhe mediave, vepra reflekton meditimin më provokues në Evropë. 

“Në qendër të pjesës është një koncert për pjano e vitit 1930 nga kompozitori francez Maurice Ravel, Koncerti për dorën e Majtë në D Major. Puna është autorizuar nga pianisti austriak Poul Wittgenstein, vëllait më të madh të filozofit Ludëing. Wittgenstein humbi krahun e tij të djathtë gjatë Luftës së Parë Botërore dhe afroi një numër të madh kompozitorësh të famshëm të shkruanin punë në pjano vetëm për dorën e majtë”, shkruhet në Institutin Francez të Kulturës të qeverisë së Francës, për të sqaruar këtë vepër që Anri Sala po paraqit në Bienalen e Venecias. 

Vepra e dikurshme është sjellë në një version ndryshe nga Anri Sala. Ai ka sjellë një prodhim me dy pianistë të ndryshëm franko-kanadezin Louis Lortie dhe francezin Jean-Efflam Bavouzet që performojnë këtë pjesë. Vetë Anri Sala ka treguar se vendosja e dy pjesëve është bërë në mënyrë të tillë që të krijojë një hapësirë ndërmjet dy performancave. 

Në dy dhoma të tjera, nën titullin “Unravel” videot e realizuara nga Anri Sala tregojnë një DJ francez Chloe që përpiqet të sinkronizojë muzikën me pjesën tjetër. Njëri nga filmat është pa zhurmë në përpjekje për tu përqendruar në fytyrën e saj ndërkohë që vizitorët mund të shohin përpjekjet e saj. Edhe vetë Anri Sala, përpara prezantimit të veprës në edicionin e 55 të Bienales së Venecias, tregon se nëpërmjet kësaj paraqitjeje kërkon të flasë edhe me gjuhën e sjelljeve të artistëve që performojnë në këtë vepër. 

Vepra e paraqitur nga Franca në Bienale, ka edhe një domethënie politike. Në hapjen e pavioneve ka një bashkëpunim mes pavionit francez dhe atij gjerman, dhe kjo, për të kujtuar nëpërmjet artit 50 vjetorin e Traktatit të Elizesë, i firmosur në Janar 1963, por që ishte guri i parë i vendosur në murin evropian, me bashkëpunimin mes Sharl de Gole dhe kancelarit gjerman Konrad Adenhauer. E pikërisht, 50 vjet më pas, Anri Sala, një artist shqiptar, e gjen veten në një prezantim sa kulturor, aq edhe në një kontekst më të gjerë politik. 
Situata

Në Venecia është shumë e vështirë të akomodohesh. Gjithë bota e artit i ka kthyer sytë në Venecia. Në datën 30 maj, në pavjonin francez ishin duke u bërë përgatitjet e fundit. Anri Sala, pas një dreke me Fate Velaj, kërkon të kthehet në pavjon për të parë se deri ku kanë shkuar detajet e fundit. Por, nuk ka asnjë shanc. Mbi 500 vetë, mes të cilëve, kinezë, japonezë, koeranë, evropianë, nga shumë e shumë shtete të botës, duke përfshirë edhe një grup shqiptarësh, ishin në një rradhë kaq të gjatë, e nën shi, duke pritur për të hyrë brenda e për të parë punën e artistit shqiptar që prezanton në këtë edicion Francën. Anri nuk ka kohë as të përgjigjet në celular. Ai madje se mban fare. Dikush tjetër kthen përgjigje në të. Media nga e gjithë bota kërkon të intervistojë artistin shqiptar i cili është ndër pretendentët kryesorë për Luanin e Artë të edicionit të 55 të Bienales së Venecias. 

Anri Sala, nuk e ka pasur të lehtë të vijë deri këtu. Por as shumë të vështirë nuk e ka pasur. Fati duket se i ka ecur më së miri artistit të madh, i cili në fillimet e veta ka prezantuar edhe Shqipërinë në Bienale. E prezantimi i tij “dammi i colori” në Londër, e ngriti në një tjetër shkallë, në kohën kur nëpërmjet ngjyrave bashkëbisedonte me mikun e tij Edi Rama, ish-kryetar i bashkisë së Tiranës, e në subjekt ishte pikërisht pikturimi i kryeqytetit. “365 ditë pa të kuqen”, një tjetër vepër e artistit, u prezantua edhe vitin e kaluar në kinema Millenium, në kryeqytet, vepër që pati një sukses të vecantë për të gjithë ata që e pëlqejnë artin kontemporan. Nuk është e zakontë për artistët shqiptarë të kenë ekspozitë të tyren personale në Pompidou. Por për Anrin, kjo është krejt e zakontë...

(v.gj/shqiptarja.com)