Baza Detare Ushtarake e Bishtit të Pallës po rikthehet në misionin e saj të mëparshëm. Një projekt i rëndësishëm investimi ka nisur qysh në nëntor të vitit 2008 dhe po vazhdon me ritme të shpejta, për ta modeluar bazën sipas parametrave dhe kritereve të NATO-s, strukturë ushtarake e cila ka anëtare të saj tashmë edhe Shqipërinë. Së shpejti anijet luftarake do të mund të ankorohen në Bazën Detare të Bishtit të Pallës, pasi baseni i saj ka nisur të thellohet nga një dragë e fuqishme. Prej 11 vjet, ajo bazë ka qenë e braktisur, pasi kuota e thellësisë së saj ishte shumë e ulët dhe ishte e pamundur ankorimi në portin ushtarak. Një dragë që dikur përdorej për thellimin e liqeneve dhe të rezervarëve të vendit tonë ka nisur gërmimet në këtë bazë prej disa ditësh me synim kthimin e saj në identitet. Mjeti gërmues që ishte dërguar në Itali për riparim, ka ardhur qysh nëntorin e kaluar dhe ka nisur punimet për gërmimin e basenit të bazës. Pas një periudhe të gjatë kohe është mundësuar vënia e tij në gjendje pune nga ana e specialistëve të ardhur nga Italia, të cilit po këqyrin punimet. Sipas ekspertëve të NATO-s, Baza Detare e Bishtit të Pallës duhet të mos tjetërsohej duke kërkuar ringjalljen e saj. “Baseni i bazës detare, ndoshta më e madhja në rajon, kishte nisur të dekompozohej që nga fillimi i vitit 1990, pasi nuk u pastrua asnjëherë nga dekompozimi i llumrave të lumenjve, të cilat derdhen në det e një pjesë e të cilëve përfundon në tabanin e bazës. Nga 6 metra që ishte thellësia e basenit në kohën më të mirë të saj arriti në 1,5 m, duke e bërë të pamundur ankorimin e anijeve dhe të motovedetave dhe duke e nxjerrë kështu bazën jashtë aftësive të saj”, - u shpreh një oficer i saj. Anijet që disponon flota jonë kanë vite që qëndrojnë të strehuara në portin e Durrësit. Në fillimin e viteve ’90, në inventarin e Flotës Luftarake Detare kishte kaluar edhe draga e cila përdorej për thellimin e baseneve të liqeneve dhe të rezervarëve. Ajo u dorëzua e dëmtuar që në atë kohë. Por, pas trazirave të vitit 1997, ky mjet u dërgua në Itali në portin e Brindizit, ku edhe u riparua. Pas gati 11 vjetësh, specialistët italianë arritën ta riparonin e ta vinin në gjendje pune. Draga nga nëntori i vitit 2008 është rikthyer dhe është vënë në punë për thellimin e bazës detare të Durrësit. Brenda një periudhe të shkurtër kohe thellësia e basenit nga 1,7 metra ka arritur në 3 metra. Një kuotë e tillë bën të mundur ankorimin pa asnjë lloj problemi të motovedetave në përbërje të flotës sonë detare. Puna po vazhdon për rritjen e kuotës së thellësisë së basenit në mënyrë që edhe anijet e tjera, ku bën pjesë edhe me e reja, “Iliria”, e blerë në Holandë, të mund të strehohen brenda në bazë. Në vitin 2009, flota jonë detare u shtua edhe me 3 anije të tjera të përmasave të “Ilirisë”, e cila është 52 m e gjatë, të cilat do të ankorohen pikërisht në bazën e Bishtit të Pallës. Disa vjet më parë u mendua që destinacioni i bazës të ndryshohej dhe ajo të kthehej në port peshkimi dhe u mendua që një pjesë e territorit të përdorej për kompensimin e ish-pronarëve të Durrësit, por këto propozime gjetën reagimin negativ të ekspertëve të NATO-s, pasi për ta baza duhet të ringjallet. Ajo tashmë ka hyrë në inventarin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe në strukturat më supreme të forcave të armatosura të NATO-s, si bazë e mirëfilltë ushtarake.


A. Ajazi