12 hapat që duhet të ndjekë çdo subjekt për të bërë deklarimin elektronik të tatimeve


Ervin KOÇI



Bizneset e vogla, që tashmë janë pjesë e TVSH-së, duhet që të gjitha deklarimet tatimore t’i bëjnë vetëm në rrugë elektronike. Sipas një vendimi të Ministrisë së Financave, deklarimi i detyrimeve tatimore dhe dorëzimi i librave të shitjes dhe blerjes do të kryhet vetëm në mënyrë elektronike. Për të shmangur të gjitha ngatërresat dhe mungesën e orientimit për këtë proces, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka publikuar në faqen e saj elektronike një rubrikë të posaçme se si çdo biznes mund të orientohet për të kryer procedurat e deklarimit elektronik. Këto procedura publikohen sot për herë të parë edhe në gazetën “Albania”, ku në mënyrë kronologjike janë shpjeguar të gjitha hapat që duhet të ndjekë çdo subjekt. Sipas kalendarit të përcaktuar nga administrata tatimore, nga subjektet private do të dorëzohen elektronikisht këto deklarata tatimore: 1. Formulari i deklarimit dhe pagesës së TVSH-së. 2. Formulari i deklarimit dhe pagesës së Tatimit mbi të Ardhurat nga Punësimi (TAP). 3. Formulari i deklarimit dhe pagesës së Tatimit mbi Fitimin (deklarata vjetore). 4. Formulari i deklarimit dhe pagesës së Kontributeve për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.



Procedurat online

Hyni në faqen zyrtare të internetit të DPT-së në adresën: www.tatime.gov.al.

Rekomandohet përdorimi i programit “Internet Explorer”. Në të majtë të ekranit, nën titullin “Shërbimet elektronike”, klikoni mbi “Tatimet e mia”, që është e para në listë. Në ekran do të shfaqet dritarja që shërben për të hyrë në sistemin e deklarimit elektronik të tatimeve. Shkruani NIPT-in dhe fjalëkalimin (password) tuaj dhe klikoni mbi butonin “Log-In” (Hyr). Në këtë faqe të parë ju do të shihni në të majtë deklaratat tatimore dhe në fund opsionin “Ndrysho fjalëkalimin”. Duke klikuar mbi të, ju keni mundësi të ndryshoni fjalëkalimin sipas dëshirës. Në listën e deklaratave tatimore në të majtë të ekranit klikoni mbi atë deklaratë që dëshironi të plotësoni. Klikoni opsionin “Deklarim i ri”, i cili ndodhet djathtas listës së deklaratave tatimore dhe në ekran do t’ju shfaqet formulari përkatës me rubrikat që duhet të plotësoni. Dritarja që shfaqet ka në qendër një kuti ku duhet të vendosni adresën tuaj të postës elektronike (e-mail), e cila ju shërben të merrni konfirmimin për deklarimin e kryer. Në fund të ekranit, djathtas, klikoni butonin “Mbyll” për të ndërprerë deklarimin, ose butonin “Tjetër” për ta vazhduar atë. Dritarja që shfaqet pas klikimit të butonit “Tjetër” përmban informacion për periudhën tatimore që po deklarohet dhe të dhënat identifikuese të tatimpaguesit, të ngjashëm me informacionin që përmban kreu i Formularit të Deklarimit dhe Pagesës (FDP) që keni përdorur më parë. Në fund të ekranit, djathtas, klikoni butonin “Mbyll” për të ndërprerë

deklarimin, ose butonin “Tjetër” për ta vazhduar atë. Dritarja që shfaqet pas klikimit të butonit “Tjetër” përmban trupin e FDP-së me rubrikat përkatëse.



Plotësimi i Formularit

Bëni kujdes në plotësimin e kësaj faqeje! Mos lini kuti pa plotësuar. Kur nuk keni vlerë për të shkruar, ju duhet të vendosni numrin. Më pas, në fund të ekranit, djathtas, klikoni butonin “Mbyll” për të ndërprerë deklarimin, ose butonin “Tjetër” për ta vazhduar atë. Dritarja që shfaqet pas klikimit të butonit “Tjetër” ka dy butona të mëdhenj në qendër që

ofrojnë dy zgjedhje. Kujdes!!! a) Nëse klikoni butonin “Ruaj për rishikim”, deklarata juaj do të ruhet në sistem në llogarinë tuaj dhe mund të ndryshohet deri në momentin që dërgohet, por ajo nuk është e vlefshme për organet tatimore. Ju keni afat deri në skadimin

e afateve kohore ligjore për përfundimin e procesit. B) Klikoni butonin “Përfunduar-Dërgo”, nëse ju e konsideroni deklaratën të përfunduar. Në këtë rast deklarata juaj nuk mund të ndryshohet më nga ju dhe konsiderohet e dorëzuar dhe e pranuar nga organi tatimor. Data kur ju klikoni këtë buton konsiderohet si data zyrtare e dërgimit të deklaratës nga ana juaj. Në përfundim, nëse deklarata juaj është me pagesë, në rubrikën “Dorëzuar” vendosni kursorin mbi deklaratën e muajit, shtypni butonin “Gjenero urdhër pagesë” dhe në ekran do t’ju shfaqet “Urdhër pagesa”, të cilën duhet ta dorëzoni në bankën ku do të kryeni pagesën. Nëse dëshironi, ju mund të printoni deklaratën për ta ruajtur për përdorim personal, duke klikuar mbi “Gjenero deklaratën”.



Avantazhet e deklarimit

Deklarimi elektronik i tatimeve ju kursen kosto administrative si në kohë, ashtu dhe në burime njerëzore, duke reduktuar numrin e vizitave në zyrat e tatimeve. Ju mund të plotësoni deklaratat tatimore në kompjuter dhe t’i dorëzoni ato nëpërmjet internetit. Ju keni gjithashtu mundësinë që të bëni pagesën elektronike nëpërmjet sistemit e-banking, ose mund të shkoni në bankë për të bërë veprimet e nevojshme. Të gjithë tatimpaguesit në të gjithë Shqipërinë kanë mundësinë të deklarojnë elektronikisht detyrimet e tyre tatimore. Të gjitha komunikimet që kryhen në sistemin e deklarimit elektronik të tatimeve janë të “enkriptuara” (të mbrojtura) në bazë të standardeve ndërkombëtare. Informacioni që futet në këtë sistem është i njëjtë me atë të dërguar në mënyrën tradicionale shkresore, por niveli i sigurisë është shumë më i lartë, kjo për arsye se ekzistojnë rregulla të qarta dhe të prera për sa i përket procedurave të hyrjes në serverin ku ai ndodhet. Për më tepër, të gjitha veprimet që kryhen lenë gjurmë dhe mund të kontrollohen në çdo kohë. I gjithë informacioni që ndodhet në sistem ruhet në një kopje të dytë për raste problemesh.





Bizneset, si mund ta denoncojnë një akt korruptiv në mënyrë “sekrete”



Në faqen e internet të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, çdo subjekt privat ka mundësinë të denoncojë çdo akt korruptiv, apo sjellje joetike të punonjësve të administratës tatimore, si dhe evazionin fiskal apo shkeljen e ligjeve tatimore nga subjektet tatimpagues, të regjistruar ose jo. Subjektet apo individët mund t’i paraqesin shqetësimet duke i denoncuar këto fenomene në format si: 1. Duke telefonuar, pa pagesë nga një numër telefoni fiks në numrin “0800 14 14”. Gjatë orarit zyrtar të punës (08:00-16:00, nga e hëna në të premte) ku një punonjës i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve do t’ju përgjigjet dhe do t‘ju shërbejë. Në ditët e pushimit zyrtar dhe jashtë orarit zyrtar të punës (nga ora 16:00 - 08:00) subjekti ose individi mund të lërë një mesazh në këtë numër telefoni, duke paraqitur shqetësimin apo denoncimin. 2. Duke dërguar mesazh në adresën e postës elektronike: denoncime@tatime.gov.al. 3. Duke përdorur formularin "Informacion për akte abuzive", të cilin mund ta shkarkoni duke klikuar në faqen elektronike. Formularin e plotësuar, subjekti ose individi mund ta dërgojë: a) Me postë në adresën: Sektori i Informacionit “Call Center“, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Rr. “Gjin Bue Shpata“ (mbrapa Stad. “Selman Stërmasi“), 1001, Tiranë. b) Duke e dorëzuar dorazi në Sektorin e Informacionit “Call Center“ në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, në adresën Rr. “Gjin Bue Shpata“ (mbrapa Stad. “Selman Stërmasi“), 1001, Tiranë.







Korçë, instalohet sistemi i ri i kompjuterizuar i taksave vendore



Drejtori i Misionit të USAID-it, Joseph C. Uilliams dhe kryetari i Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi, përuruan dje një sistem të ri të kompjuterizuar të taksave vendore në këtë qytet. Një ditë më parë, Joseph Uilliams përuroi të njëjtin sistem edhe në bashkinë e Pogradecit me kryetarin e kësaj bashkie, Artan Shkëmbi. Sistemi i programit, i cili u zhvillua nëpërmjet programit të USAID-it për qeverisjen vendore në Shqipëri (LGPA) mundëson një administrim më të efektshëm dhe më efikas të vjeljes së taksave dhe ofrimit të shërbimeve që do të rezultojnë në të ardhura më të mëdha nga taksat për bashkinë dhe në shërbime më të mira për qytetarët. Deri tani, drejtoritë e taksave të Korçës dhe Pogradecit i kryente detyrat e tyre “manualisht”. Ndërsa me sistemin e ri të kompjuterizuar, drejtoritë e taksave në këto bashki do të ulin kohën që duhet për të llogaritur saktësisht detyrimet tatimore, për të evidentuar pagesat e taksave, do të hartojnë raporte më të mira dhe më të shpeshta dhe do të bëjnë parashikimet aq të nevojshme për të ardhurat nga taksat. Me rritjen e të ardhurave bashkitë pritet të ofrojnë shërbime të një cilësie më të lartë për qytetarët e tyre. Drejtoritë e taksave në bashki po punojnë me shoqatat e biznesit të vogël për të rritur shkëmbimin e informacionit midis punonjësve të taksave në këto bashki dhe komunitetit të biznesit. Përveç kësaj, me mbështetjen e Programit USAID/LGPA, bashkitë e Korçës dhe Pogradecit kanë përgatitur një seri fletëpalosjes për të informuar qytetarët dhe bizneset për përgjegjësitë e tyre tatimore, duke thjeshtëzuar kështu procesin për taksapaguesit vendorë. USAID-i ka instaluar shërbimin e kompjuterizuar të taksave në 5 bashki, si Lezhë, Fier, Fushë-Krujë, Korçë, dhe Pogradec. USAID-i ka shpenzuar si kontribut një shumë mbi 370 milionë lekë për kompjuterizimin e drejtorive të taksave për 10 bashkitë partnere, përfshirë këtu rreth 3 milionë lekë në Pogradec dhe 3.5 milionë lekë në Korçë.











2 Prill 2010