Procesi i pajisjes me karta identiteti nuk do të jetë aq i lehtë dhe i shpejtë siç ishte menduar. Regjistri elektronik i gjendjes civile në qytetin e Durrësit ka shfaqur problemet e para dhe ato janë mjaft serioze, duke e çuar deri në bllokim këtë program elektronik. Regjistri i trumbetuar nga qeveria si varianti më i mirë i përzgjedhur në Austri, ka shfaqur probleme të mëdha.

Këto probleme janë vërejtur në disa rajone të bashkisë së Durrësit, ku aktualisht ka filluar aplikimi për pajisjen me kartat e identitetit. Në shumë raste gabimet që po konstatohen nga shtetasit aplikantë, nuk ndryshohen dhe ruhen nga regjistri elektronik. Në momentin kur janë hedhur të dhënat nga regjistrat e vjetër në regjistrin elektronik janë bërë edhe gabime në shkronja të ndryshme të emrave apo vendlindjeve, por askush nuk e dinte që në regjistrin elektronik gabimet nuk mund të korrigjohen dhe kjo gjë po konstatohet vetëm tani kur shtetasit po aplikojnë për kartat e identitetit. Nëse në zyrat e gjendjeve civile kryen ndryshimet përkatëse në gabime shkronjash, regjistri nuk i ruan dhe rrjedhimisht ndryshimet nuk dalin në kompjuterat e punonjësve të firmës "Sagem" ku bëhet aplikimi për kartat. Problemet më të shumta janë hasur në rajonin nr 4 dhe 5 të Durrësit, ku dhjetëra qytetarë nuk munden të aplikojnë për shkak se gabimet në regjistrin elektronik nuk mund të ruhen, pas ndryshimeve që kanë dalë të nevojshme në kohën që janë verifikuar të dhënat e tyre. Në drejtorinë e përgjithshme të gjendjeve civile nuk të japin shpjegime për këto probleme, pasi qeveria mesa duket është e papërgatitur për këtë që ndodhi sepse nxitimi i madh duket se i ka befasuar ekspertët e kësaj drejtorie që nuk kanë pyetur nëse mund të bëheshin ndryshimet ose jo. Ajo që mbetet tashmë të bëhet është ardhja e specialistëve austriakë për të ndërhyrë në sistemin me anë të të cilit funksionon "on line" regjistri në fjalë. Megjithëse është përcaktuar një afat për shtetasit që duhet të aplikojnë të parët për kartat e identitetit, ky afat detyrimisht po shkon drejt shkeljes për shkak të këtyre problemeve. Në 5 rajonet e qytetit të Durrësit, aplikimi i shtetasve po kryhet normalisht jo me fluksin që pritej në fillim, por problemet që po dalin tashmë me regjistrat elektronikë do të ndikojnë ndjeshëm në uljen e numrit të aplikimeve për kartat e identitetit.





Email This
Klikime: 1