Bonot e privatizimit nuk do të kenë afat në përdorimin e tyre dhe do të jenë në treg në çdo kohë. Me miratimin e një sërë ligjeve, si ai për sipërmarrjet kolektive, ligji për titujt si dhe me daljen e udhëzimit të Ministrisë së Financave për rishpërndarjen e më se 12 miliardë lekë bonove të privatizimit të kompanisë “Anglo-Adriatika”, përdorimi i bonove në treg do të jetë afatgjatë. Ekspertët e Ministrisë së Financave sqarojnë se në publik është krijuar ideja se vetëm tre muaj do të ketë afat për përdorimin e bonove të privatizimit. Sipas tyre, kjo nuk është e vërtetë, pasi ky afat tre muaj lidhet vetëm me kërkesën që të interesuarit duhet të bëjnë pranë Agjencisë së Legalizimeve për të paguar objektet e tyre me letra me vlerë. Ekspertët sqarojnë se brenda tre muajve duhet të bëhet kërkesa, ndërsa pagesa me letra me vlerë mund të bëhet në çdo afat. Në këtë mënyrë, letra me vlerë kanë për t’u përdorur më gjerë dhe nuk do të ketë afate. Qeveria ka në plan të privatizojë një sërë kompanish të tjera shtetërore, siç është KESH, dhe në këtë proces do të përdoren bonot e privatizimit. Nga ana tjetër, ligji për sipërmarrjen kolektive lejon që kompanitë të kenë të drejtë të hapin mundësi investimi me bono privatizimi. E thënë më thjesht, tashmë do të ketë përsëri kompani, siç ka qenë “Anglo-Adriatika”, të cilat do të pranojnë bono privatizimi.
Tregu për 74 miliardë bono
Aktualisht, ekzistojnë 74 miliardë bono privatizimi që janë shpërndarë nga qeveria që në vitin 1994. Një pjesë e tyre nuk është përdorur, ndërsa një pjesë tjetër kanë qëndruar të bllokuara si tek kompania “Anglo-Adriatika”. Me udhëzimin e ri të Ministrisë së Financave, 12 miliardë lekë bonot e privatizimit të “Anglo-Adriatikës” do të rishpërndahen tek qytetarët që i kanë pasur ato. Ligjet e reja të miratuara në Kuvend parashikojnë rigjallërimin e tregut të letrave me vlerë si ato të ish-të përndjekurve, bonot e privatizimit, lëshimin e obligacioneve nga kompanitë private, si dhe shitblerja e aksioneve në bursë. Parlamenti miratoi një vit më parë një ligj të ri “Për titujt”, që ka si objekt të bëjë aktivë titujt tregtarë që qarkullojnë në tregun aktual. Sipas specialistëve, ai do të përfshijë të gjitha stoqet dhe fondet e firmave në bursë. Sipas tyre, në këtë rast bëhet fjalë për letra me vlerë, të cilat, përmes këtij ligji të ri, do t’i nënshtrohen një skeme të re procedimi. Në atë ligj nuk u përfshinë letrat me vlerë të privatizimit, pikërisht ato që janë shpërndarë rreth 12 vjet më parë. Sipas përllogaritjeve, janë rreth 750 mijë qytetarë, të cilët përfituan nga letrat me vlerë dhe bonot e privatizimit. Gjatë periudhës së qeverisjes socialiste, ky proces ndenji pezull, duke mos i konvertuar letrat me vlerë në aksione. Nga socialistët më pas u bënë premtime, por asgjë konkrete. Sipas të dhënave, rreth gjysma e letrave me vlerë u mbetën në dorë qytetarëve, kur ligji i vitit 1998 nuk u zbatua.
Anglo-Adriatika
Ministria e Financave pritet që së shpejti të nxjerrë udhëzimin për rishpërndarjen e bonove të privatizimit që janë bllokuar në kompaninë “Anglo-Adriatika”. Drejtoresha juridike e Ministrisë së Financave, Linda Rusmali, ka pohuar për gazetën se udhëzimi është duke u hartuar dhe se do të rishpërndahen vetëm bonot e “Anglo-Adriatikës”. Të gjitha bonot do të kthehen me një procedurë të cilën do ta përcaktojë Ministria e Financave. Çdo qytetar i cili disponon dokumentin që ka dorëzuar letrat e tij me vlerë tek “Anglo-Adriatika”, mund ta dorëzojë dhe të përfitojë sasinë e bonove që ai ka investuar.



Sasia e bonove të privatizimit

Janë prodhuar në total 75 miliardë bono

Janë shpërndarë në total 51 miliardë bono

Nuk janë shpërndarë 24 miliardë bono

Janë përdorur në proces legalizimi 11 miliardë bono

Nuk janë përdorur fare 64 miliardë bono



Vlera në treg, bonot e privatizimit blihen me 12%

Vlera e bonove të privatizimit ndodhet në masën e 12-përqindëshit. Ditën e fundit është pësuar një ulje e vlerës në shitjen e bonove. Brenda një periudhe më pak se një muaj, ka pasur luhatje në këtë treg. Fillimisht, vlera e tyre kapi në muajin shtator një vlerë deri në 20 për qind, kjo edhe për shkak të sasisë së pakët në treg të tyre. Por, me shtimin e shitjes së tyre, vlera e bonove të privatizimit ra. Në mesin e dhjetorit, shitja e bonove nuk i kaloi 8 për qind, ndërsa në fundin e muajit shitja e tyre shkoi deri në 14 për qind. Aktualisht, prej ditësh vlera e tyre nuk po kalon 12-përqindëshin. Gjithsesi, vlera e bonove pritet të rritet, kjo për shkak se ato do të përdoren në shumë fusha, dhe jo vetëm në procesin e legalizimeve që tashmë u sanksionua me ligj.