Shorti për eliminatoret e Botërorit 2014 i hedhur në Rio De Zhaneiro i buzëqesh kombëtares së Shqipërisë, e cila për herë të parë në historinë e saj nuk do të luaj kundër asnjë skuadre “gjigande” të futbollit europian. Dora e talentit brazilian Ganso i vendosi kuqezinjtë në grupin E bashkë me Norvegjinë, Sllovenionë, Zvicrën, Qipron dhe Islandën, ndërsa Fenomeni Ronaldo i kurseu shqiptarëve emra të mëdhenj si Gjermania, Anglia, Franca apo Spanja.





Kështu, nga shtatori i vitit 2012, kombëtarja e Shqipërisë do të nisë
aventurën e saj në eliminatoret e Botërorit me më shumë shpresa për një
kualifikim që vazhdon të mbetet vetëm një ëndërr për të gjithë tifozët
kuqezi. Me të tgjitha skuadrat rivale të grupit E, përfaqësuesja
shqiptare është përballur edhe më parë. Kundër Norvegjisë kokë grupi,
vazhdon të mbetet në kujtesën e të gjithë tifozëve barazimi 2-2 në Oslo,
ndërsa kundër Qipris, Shqipëria ka regjistruar dhe fitoren më të thellë
në historinë e saj 6-1 në miqësoiren e luajtur në “Qemal Stafa” në
vitin 2009.



Edhe me Islandën, përfaqësuesja kuqezi ka një bilanc pozitiv me dy
fitore dhe një humbje në tre ndeshje të luajtura, ndërsa nuk mund të
thuhet e njëjta gjë në precedentët me Zvicrën dhe Slloveninë, ku
Shqipëria ka një bilanc negativ. Gjithsesi, kur mungojnë emrat e mëdhenj
të futbollit europian shpresat janë më të mëdha, por kjo ka edhe anën e
saj negative. E pakënaqur ka ngelur Federata Shqiptare e Futbollit, e
cila pa asnjë skuadër të madhe si kundërshtare duhet të kënaqet me më
pak para nga e drejta televizive apo të ardhurat e tjera të marketingut.




Shorti i hedhur në Rio De Zhanerio ka përcaktuar edhe grupet e tjera
eliminatore të Botërorit 2014 për zonën e Europë, duke vendosur Spanjën
dhe Francën në grupin I. Grupi A projektohet i zjarrtë pasi Serbia,
Kroacia dhe Maqedonia do të sjellin disa prej ndeshjeve derbi më të
nxehta të Ballkanit.



Nertan Prifti