Motra e Fatmir Haklajt, Aishja, së bashku me bashkëshortin dhe fëmijët janë larguar jashtë vendit prej më tepër se 9 muajsh


Familja mësohet se është larguar nga vendi menjëherë pasi Meta pranoi koalicionin me Berishën për bashkëqeverisje


TIRANE- E fundmja e Hakljave braktis Shqipërinë për t'u strehuar tek të afërmit e saj në Suedi. Aishe Haklaj (Basha) motra e madhe e vëllezërve Haklaj, është larguar nga Shqipëria në mënyrë sekrete, larg vëmendjes së publikut dhe gazetarëve të ndryshëm që nuk do ta humbnin rastin për të pasqyruar lajmin.

Gruaja me profesion mësuese dhe ish- drejtoreshë e një prej shkollave në qytetin e saj të lindjes që prej vitesh jetonte në kryeqytet mësohet se ka braktisur apartamentin e saj në të cilin jetonte me qera prej vitesh në rrugën "Ali Demi".


Bashkë me bashkëshortin e saj dhe fëmijët, vajza e madhe e Muharrem Haklajt e vetmja nga familja që jetonte në Shqipëri, braktisi vendin ashtu si motra më e vogël e saj Zylfia (Shota) si dhe si Hamdiu, vëllai i madh, i vetmi i mbetur gjallë prej tyre.


Familja e Haklajave njihet për përfshirjen e saj në vrasjen e Deputetit të Partisë Demokratike Azem Hajdari, me 12 shtator të vitit 1998, dhe për përplasjet e tyre me politikanë të PD-së mes tyre edhe kryeministrin Berisha.


Familja e Aishe Hakljat, ka mbërritur në Suedi, ku aktualisht jetojnë edhe pjesëtarët e tjerë të familjes së saj, vëllai i madh Hamdiu me familjen e tij, motra Zylfia, si dhe fëmijët e Fatmirit, të vrarë në vitin 2001 në Tropojë.


Lajmin e largimit të saj e kanë konfirmuar të afërm të familjes së Hakljave dhe të njohur të tyre të cilët kanë konfirmuar se Aishja bashkë me familjen e saj kishte braktisur vendin, për të udhëtuar në drejtim të Suedisë, për t'iu bashkuar pjesës tjetër të familjes.


Burimet që preferuan të mbeten anonimë thanë se motra e madhe e Haklajve braktisi vendin vetëm pak kohë pasi në Shqipëri u rikonfirmua fitorja e zgjedhjeve parlamentare nga Partia Demokratike, e drejtuar nga kryeministri Berisha.


Sipas burimeve, vendimi është marrë ditën që kreu i LSI-së Ilir Meta i ktheu përgjigje pozitive aleatit të tij të djathtë, Sali Berishës për të qeverisur pas zgjedhjeve të qershorit të vitit të kaluar.


Mësohet se fillimisht Aishja ka larguar nga Tirana tre fëmijët e saj, të cilët janë strehuar në një vend të sigurt dhe më pas janë larguar jashtë vendit. Pas tyre është larguar edhe vetë Aishja bashkë me bashkëshortin.


Kreun e PD-së familja Haklaj e kishte akuzuar si të përfshirë në sulmet ndaj tyre, pas vitit 2005, që nisin me djegien e kullës së tyre në Bujan të Tropojës e cila qëndronte e pabanuar prej kohësh, pasi pjesëtarët e familjes së Hakljave braktisën vendin, për shkak se sipas tyre ata ishin nën shënjestrën e qeverisë së djathtë, për shkak të përplasjeve të tyre të nisura në vitin 1997.


Përgjatë viteve të mëvonshme, hakmarrjet mes Hakljave dhe kundërshtarëve të tyre shkaktuan vrasjen e më tepër se 14 pjesëtarëve të familjes së Fatmir Haklajt dhe të një numri të madh të personave të tjerë të kundërshtarëve të tyre. Shumica e kundërshtarëve të familjes së Haklajve u vranë në fund të viteve '90 e fillim të viteve 2000.


Fillimisht u vra Shkëlqim Haklaj në një pritë të organizuar në Qafën e Luzhës, në të cilën mbeti i vdekur edhe kunati i Fatmir Haklajt, Artur Demiri. Të dy ata ktheheshin nga pika e kalimit kufitar në Qafë Prush, me një automjet "Nissan Terrano". Në pikën e kalimit kufitar me Kosovën Haklaj sapo kishte nisur punë si polic atje ndërsa ditën e atentatit kthehej për në banesë.


Këtu zuri fill revanshi i egër i Fatmir Haklajt, që nisi të hakmerrej për vrasjen e vëllait dhe kunatit të tij, duke vrarë Bislim Demirin, shofer taksie në qendër të qytetit të Bajram Currit. Më parë ishte vrarë kushëriri i Fatmirit, Sokol Haklaj, ish- gjyqtar në Skrapar.


Hakmarrjet e Fatmirit, nuk mbetën pa përgjigje pasi krahu tjetër vrau gjithashtu disa të afërm të tjerë të tij. Në vitin 2000, Fatmir Haklaj mbeti i plagosur në një atentat me telekomandë dhe më vonë u vra. Pas vrasjes së tij, u vranë edhe vëllezërit e tjerë të tij, si Halili, dhe Ylli.


Po kështu mbetën të vrarë edhe të afërm të tjerë, si vëllai i Muharremit, Elez Haklaj, me të birin, Cen Haklaj, si dhe Eduard Haklaj, një nip tjetër i familjes. Hakmarrja e fundit ndaj tyre është ajo e vitit 2006, kur kulla e familjes së Haklajve.....................................


Kërkoheshin nga Interpoli, Haklajt, me azil në Suedi


Hamdi dhe Muharrem Haklaj, Zylfie Haklaj, vëllai më i madh dhe motra e vogël e Haklajve që prej më tepër se pesë vitesh qëndrojnë në Suedi, ku kanë mundur të fitojnë statusin e azilantit për shkak të problemeve të tyre në Shqipëri, ku ata kanë pretenduar se ishin të përndjekur politikisht nga qeverisja e PD-së.


Hamdiu është i kërkuar për një vrasje të ndodhur në vitin 1992, në Tropojë, ku pas një grindjeje akuzohet se ka vrarë me sende të forta një person atje.


Në të kundërt, motra Zylfie Haklaj, e njohur ndryshe edhe me nofkën "Shota", akuzohej se me 2 prill të vitit 2002, vrau në qendër të qytetit të Tropojës, Rasim Lumneshin dhe Ilir Gosturanin.


I pari ishte pronar i hotel "Shkëlzenit" në Fier dhe gjithashtu një përkrahës i Partisë Demokratike dhe i kreut të saj Sali Berisha. Të dy ata u arrestua nga policia suedeze tri vite të shkuara në Goteborg për llogari të Interpol Tiranës pasi të dy akuzohen për vrasje.


Pas një procesi për ekstradimin e tyre që zgjati muaj, i mohoi të drejtën autoriteteve shqiptare të drejtësisë që Haklajt të ekstradoheshin në Shqipëri, duke bërë që familja e Haklajve të fitonte të drejtën e qëndrimit në Suedi.

Disa nga të vrarët e familjes Haklaj
Shkëlqim Haklaj
Ylli Haklaj
Halil Haklaj
Fatmir Haklaj
Elezi Haklaj
Cen Haklaj
Sokol Haklaj
Eduart Haklaj
Artur Demiri

Makina del jashtë rruge, shemb dy shtylla tensioni


Humbja e kontrollit të drejtimit të një automjeti nga shoferi i tij, për pak mund të kishte shkaktuar një ngjarje të rëndë pasi është përplasur me dy shtylla betoni që mbanin kabllo të energjisë elektrike të tensionit të lartë.


Një veturë me targa të Tiranës është përplasur me një nga shtyllat fillimisht, për shkak të shpejtësisë së madhe dhe nga humbja e kontrollit të mjetit nga shoferi.


Pas përplasjes me shtyllën e parë, për shkak të inercisë, mjeti është përplasur edhe me një tjetër duke shkaktuar edhe shembjen e të dyjave. Shembja e tyre ka shkaktuar dëmtimin e një mjeti fuoristradë dhe të një kamioni që transportonte tulla për ndërtim.


Për fat të mirë, në asnjë prej mjeteve që janë dëmtuar nuk ka pasur persona të plagosur apo të dëmtuar të cilët kanë shpëtuar mrekullisht nga aksidenti. Po kështu edhe disa kalimtarë janë rrezikuar nga situata e krijuar por për fat të mirë të tyre nuk ka pasur të lënduar.


Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka nisur këqyrjen e vendit të ngjarjes, ndërsa ekspertët kanë konkluduar se aksidenti ka ndodhur për shkak të shpejtësisë së mjetit dhe humbjes së drejtimit të tij nga shoferi. Ai është marrë në pyetje nga policia që ka bllokuar mjetin e tij, ndërsa mësohet se ai është proceduar administrativisht prej tyre.