BURREL/ HASAN PASHA

“Këtu i thonë Burrel, ku hyn e nuk del...”. Kjo thënie simbolizonte tmerrin e burgut të Burrelit para viteve ’90, ku qindra vetë humbën jetën pas izolimit nga shteti monist. Në ditët e sotme, edhe pse konsiderohet burg i sigurisë së lartë për të dënuar për vepra të rënda, jeta vazhdon. Aktivitete, takimet e rregullta me familjarë janë të zakonshme për të burgosurit, por tashmë të zakonshme po bëhen dhe martesat brenda qelive.
Burgu i ngritur
nga Zogu
Burgu i Burrelit nisi të ndërtohej gjatë regjimit mbretëror të Ahmet Zogut. Thuhet se mbreti kishte për qëllim të punësonte këtu patriotët e tij matjanë, kishte besim se ata do ta mbronin atë me fanatizëm dhe të afërmit e të dënuarve do ta kishin më afër burgun për të vizituar njerëzit e tyre. Është përdorur për pak kohë si burg dhe në vitin 1940 italianët e kthyen në kazermë për nevojat e tyre. Pas çlirimit të vendit në këtë burg vuajtën dënimin njerëz të shquar të politikës dhe fesë. Asokohe ky burg ishte etiketuar si burgu i ferrit. Dy dhoma të burgut të Burrelit janë kthyer në muze. Aty janë pasqyruar mjaft qartë prova të dhunës së padëgjuar ndaj të dënuarve si dhe mjaft të tjera, që faktojnë cili ishte burgu që ishte pagëzuar me shprehjen: “Këtu i thonë Burrel, ku hyn e nuk del”. Qelitë e vogla kishin vetëm një dritare të vogël nga ku dielli e kishte të vështirë të hynte. Ish të dënuarit kanë deklaruar se në një gropë gjigante pas burgut varroseshin të dënuarit, duke e kthyer në një varr masiv. “Në anë të gropës nuk kishte asnjë lloj bimësie, përveç një qershie që u bë simboli i vdekjes”. Nga viti 1946 deri në vitin 1990 në këtë burg kanë vdekur të paktën 400 ish të dënuar.
Lejet e të dënuarve
Nëse dikur burgu i Burrelit konsiderohej si “Burgu i Ferrit”, tani kushtet e të dënuarve janë si në të gjitha institucionet e tjera të vuajtjes së dënimit. Për drejtorin e këtij institucioni, Shkëlqim Gjoçuka, kushtet kanë ndryshuar si nata me ditën jo vetëm krahasuar me vitet ’90-të, por kjo krahasuar dhe me një vit më parë. Ai deklaron se askush nuk guxon të dhunojë të dënuarit. “Administrata zbaton me korrektësi ligjin dhe kjo sjellje e gardianëve ka krijuar një klimë më të mirë në marrëdhëniet mes të dënuarve dhe gardianëve. Nuk bëhet fjalë për dhunë ndaj të dënuarve, deklaroi drejtori. Nuk kam lejuar askënd të shkelë ligjin duke vënë dorë mbi të dënuarit, duke shkelur të drejtat e tyre ligjore”. Sipas tij është bërë kujdes për plotësimin e kushteve në qeli, ushqyerjen e të dënuarve, argëtim, ajrim, etj. Nëse para viteve 1990 nuk bëhej fjalë për leje të së dënuarve, vetëm në harkun kohor të gjashtë muajve gjysma e të dënuarve janë dërguar me leje nga administrata e këtij burgu. “100 të dënuar janë dërguar me leje nga ana jonë. Plotësonin kriteret për t’u dhënë leje dhe deri tani të gjithë të dënuarit janë kthyer para afatit të caktuar. Në asnjë rast nuk na janë krijuar probleme. Gjykoj se edhe lejet e dhëna kanë ndikuar pozitivisht në marrëdhëniet e mira mes administratës dhe të dënuarve”.
Martesat, të zakonshme në burg
Jo vetëm Myrteza Çaushi është martuar në burgun e Burrelit. Drejtori i Burgut të Sigurisë së Lartë, Shkëlqim Gjoçuka, pohoi për gazetën “Panorama” se gjatë tre muajve të fundit tre të dënuar, madje me burgim të përjetshëm, ose dënime të rënda janë martuar duke qenë në qelitë e burgut. Ai tha se në çdo rast drejtoria e burgut ka zbatuar legjislacionin në fuqi. Gratë e të dënuarve të martuar brenda hekurave të burgut vijnë rregullisht në takimet speciale. “Në çdo rast zbatojmë rregulloren e burgut, - tha drejtori Gjocuka. - Ushtrohen kontrolle të rrepta fizike për këdo që kryen takime familjare apo speciale në mjediset e brendshme të Burgut”. Ndërkohë të dënuarit, si ata të martuar ashtu dhe personat e tjerë të izoluar kanë mundësi të flasin në telefon me njerëzit e tyre të afërm. Në mjediset e brendshme të burgut janë vendosur nga Telekomi disa kartofonë, të cilët shfrytëzohen mjaft mirë nga të dënuarit. “Të gjithë të dënuarit i kemi pajisur me rregulloren e brendshme. Kjo na ka lehtësuar punën dhe të shtuar mirëkuptimin mes administratës dhe njerëzve që vuajnë dënimin në këtë burg”, pohon Gjoçuka.


Viktimat e burgut të Burrelit
Duke shfletuar historikun e këtij burgu mëson se nga viti 1946 deri më 1948 kanë vdekur mbi 200 intelektualë, mes tyre ish-kryeministri Koço Kote, ish-ministri i Arsimit, Xhevat Korça, ish-shefi i Shtabit të Ushtrisë, Gjergj Kokoshi, Xhavit Leskoviku, drejtor i Bibliotekës Kombëtare, Arqile Tase, që kishte kryer studimet në “Harvard”, e shumë figura të njohura të Shqipërisë.



Të martuarit VIP

Myrteza Çaushi, i cilësuar si “lideri” i Bandës së Çoles në Vlorë. Zani është dënuar nga drejtësia shqiptare me burgim të përjetshëm për veprën penale të vrasjes, organizimit të bandave të armatosura, etj. Një muaj më parë ai u martua me vajzën matjane Ariana Panxha, banorë e fshatit Vinjoll, komuna Lis. Për Zani Çaushin vazhdon gjykimi për akuza të tjera në Gjykatën e Tiranës.

Behar Molla, 23-vjeçari nga fshati Zall Gjoçaj i Rrethit të Matit  është dënuar me 23 vite burg për veprën penale të vrasjes me paramendim dhe armëmbajtje pa leje. Molla akuzohet se ka vrarë me 28 shtator 2004, kushëririn e tij Gëzim Molla. Të afërmit e Beharit kanë “negociuar” me një vajzë mjaft të bukur, që ka pranuar të martohet me djalin matjan, i cili vazhdon ta konsiderojë veten të pafajshëm.

Xhevahir Çupi, i dënuar me 20 vjet heqje lirie për veprën penale të vjedhjes me armë është martuar me një vajzë nga Fieri, studente në degën e Psikologjisë. Sipas burimeve të burgut, 30-vjeçari vizitohet herë pas here nga bashkëshortja e tij, një vajzë simpatike dhe mjaft korrekte. Autoritetet e burgut sqarojnë se Çupi është një i dënuar, që sillet mjaft mirë si me punonjësit e administratës së burgut ashtu dhe me bashkëvuajtësit në qeli.