Të tjera rreth shkrimit Drejtori: Asgjë nuk është e vërtetë Sher mes grupeve rivale Burgu i Lezhës mbipopulluarpesë të dënuar në një dhomë Çfarë ka ndodhur?




TIRANE - I mbipopulluar, me grupe rivale të burgosurish që zihen sa herë dalin në ajrim, me një ushqim që nuk futet në gojë pasi prej vitesh u serviret vetëm lëng fasulesh dhe me një administratë të politizuar që i orienton të burgosurit se për kë parti ta hedhin votën. Kjo është situata, sipas një raporti të detajuar të “Avokatit të Popullit” në burgun e Shën Kollit në Lezhë, raport i cili i është dërguar edhe drejtorit të përgjitshëm të burgjeve, Gazmend Dibra, si dhe kreut të këtij institucioni, Kastriot Piroli.

Sipas “Avokatit” problematikat kanë dalë nga vetë të burgosurit, në takimet që ata kanë zhvilluar me ta. “Nga intervistat me të dënuar, rezulton se Drejtori i Institucionit së bashku me Specialistin e Sigurisë në Godinën nr.2, z. Ilir Beleshi, ditët e fundit para zgjedhjeve kanë vizituar të gjitha dhomat e kësaj godine pa përjashtim, duke i kërkuar të dënuarve të votojnë një subjekt të caktuar politik. Një fakt i tillë është pranuar dhe nga vetë drejtori i institucionit në takimin përmbyllës të zhvilluar midis tij dhe Grupit të Punës së Institucionit të Avokatit të Popullit.

Sa më sipër jo vetëm mund të konsiderohet një praktikë e patolerueshme e ndikimit të funksionarit publik ndaj zgjedhësit, por kemi të bëjmë me një cënimin të drejtës kushtetuese të shtetasve sipas të cilit vota është vetjake, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë. Në këtë rast e për aq sa vetë Drejtori i institucionit kërkon nga të dënuarit të votojnë një subjekt të caktuar politik pavarësisht bindjeve të tyre në këtë drejtim, indirekt vë në diskutim trajtimin me paanshmëri të të dënuarve”, - thuhet në raportin e Avokatit të popullit.

USHQIMI

Sipas “Avokatit të Popullit”, cilësia e ushqimit në këtë burg mbetet një problematikë për të cilën të gjithë të dënuarit pa përjashtim, shprehen njësoj. “Ushqimi i servirur gjatë të tre vakteve është i pakonsumueshëm deri në atë pikë sa përdorimi i tij për një periudhë të caktuar të shkakton sëmundje të stomakut. Fasule pa salcë ku vështirë se mund të gjesh disa kokrra, qumësht i përzier me ujë, fruta në më të shumtën e rasteve të prishura, ndërkohë që mishi është i cilësisë më të keqe.

Termi “sipas normave dhe llojshmërisë së përcaktuar” i përdorur në Regulloren e Përgjithshme të Burgjeve, mbetet një nocion thjesht gjuhësor, pasi pa e ekzagjeruar aspak i njëjti ushqim(përveç ndërrimit të makaronave me orizin), përdoret tashmë prej disa vitesh. Konkluzioni i gjithë kësaj, është moskonsumim masiv, e për më tepër për vite të tëra i ushqimit(përveç bukës) të IEVP nga shumica dërrmuese e të dënuarve, ndërkohë që zgjidhja e vetme e familjarëve, e për më tepër e detyruar panvarësisht të ardhurave, mbetet furnizimi i të afërmit të tyre me produkte ushqimore.
           
Sa më sipër duhet të mbajtur në vëmendje gjithashtu, se referuar akteve ndërkombëtare për të drejtat e personave të dënuar me burgim , personi të cilit i është mohuar liria, gëzon të gjitha të drejtat që nuk i janë marrë atij në mënyrë të ligjshme, e që do të thotë se ndër të tjera edhe sa i përket ushqimit, kemi të bëjmë me një të drejtë të detyrueshme për t’u respektuar në përputhje me standartet e vendosura”, - thuhet në këtë raport.

Ndërkohë që “Avokati” i ka rekomanduar drejtorit të përgjitshëm të burgjeve, Gazmend Dibra, si dhe kreut të burgut të Shën Kollit, Kastriot Piroli, marrjen e disa masave për daljen nga kjo situatë. Sipas “Avokatit të Popullit” duhet të fillojë masa disiplinore ndaj drejtorit të këtij burgu, Kastriot Piroli, të zgjidhet menjëherë çështja e ushqimit dhe konflikti mes të burgosurve.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 24.07.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)