Në një godinë të vjetër, e cila ka nevojë të ndërtohet nga e para, vuajnë dënimin gratë e akuzuara për krime

Kushte mjerane në burgun 325 në Tiranë, ku grindjet më të shpeshta vijnë nga mbipopullimi


TIRANË- Kushtet mjerane të zënë frymën në burgun 325 në Tiranë. Të dënuarat gra ankohen për moskujdesje ndaj tyre, duke akuzuar shtetin se i ka lënë në harresë. Nga statistikat e drejtorisë së këtij burgu mësojmë se rreth 50 gra mbi kapacitet jetojnë në burgun e vjetër në zonën e “Ali Demit”.Një nga të burgosurat shprehet se jeton në një dhomë me 13 gra të tjera, ku nuk mungojnë grindjet mes tyre për çështje nga më të ndryshmet, duke mos i lënë asnjë hapësirë të burgosurave të qëndrojnë qoftë edhe në një moment vetëm. Sipas nëndrejtorit të burgut, Arben Noka, gjendja e tualeteve të burgut është gjithashtu e rëndë. “Kjo godinë duhet shembur totalisht dhe të rindërtohet nga fillimi, pasi nuk plotëson asnjë kërkesë të përcaktuar nga standartet evropiane”,-thotë Noka, që në kundërshtim me drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, qe ka shprehur se në burgun 325 mungojnë fondet. “Nuk jemi në dijeni të asnjë projekti konkret, thjesht dimë ç’dëgjojmë në media”,-shton nëndrejtori i burgut 325.


Tualetet ndodhen në një largësi të konsiderueshme nga dhomat, duke e bërë të vështirë kalimin e grave në një kohë që bie shi, duke qënë se edhe oborri ku ajrosen pas një shiu të rrëmbyeshëm shndërrohet në një rrugë me baltë. Mungesa gjithashtu e një sistemi të përgjithshëm ngrohjeje ka bërë që shumica të ngrohen nga reflektorë të vegjël, duke ngelur më së shumti në të ftohtë. “Shumica prej nesh fle përtokë, pasi mungojnë krevatët”,- ankohet një tjetër e dënuar, duke shtuar se prej kësaj situate vuajnë prej sëmundjeve të ndryshme. Nga drejtuesit e burgut, gjithashtu na është komunikuar se një pjesë e konsiderueshme e të burgosurave nuk konsumojnë ushqimin e përgatitur nga administrata e burgut, por preferojnë atë që iu sjellin familjarët. Drejtuesit janë shprehur se ushqimi që i serviret të dënuarave është në nivele të mira si sasiore ashtu edhe cilësore, e megjithatë, një pjesë shumë e madhe e tyre nuk e konsumojnë fare atë.


Të dënuarat shpreheshin të irrituara duke akuzuar drejtorinë e burgjeve apo edhe drejtuesit e burgut 325 se nuk i lejojnë të takojnë fëmijët. Një pjesë e tyre i kishin fëmijët në jetimore dhe i takonin ata një herë në 45 ditë. Mungesa e kushteve për të shtuar takimet mes nënës me fëmijëve është i theksuar në këtë burg, duke i privuar këto të fundit nga fëmijët e tyre. Gratë e burgut 325 në Tiranë kërkojnë të qëndrojnë më shumë kohë me fëmijët e tyre, pasi vetëm ata mund t’i ndihmojnë t’i bëjnë ballë fatit të tyre mes telave me gjemba.


Erinda Bakalli, psikologia e burgut, rrëfen vështirësitë e terapisë me të dënuarat


Psikologia: Kushte të vështira edhe për terapi


Psikologia e burgut, Erinda Bakalli, ankohet se kushtet në këtë burg nuk janë të përshtatshme. Bakalli na pret në një zyrë të vogël, ku punonin aktualisht 5 punonjëse, një ambient plot lagështirë. Kushtet e punës aty janë shumë të vështira: në një dhomë kaq të mbipopulluar edhe për stafin, si mund të pretendosh për të përcaktuar një terapi individuale sa më të efektshme për çdo të dënuar. Megjithatë në rregulloren e burgut janë përcaktuar takime të përditshme nga e hëna në të premte me psikologun, që zgjasin 45 deri në 50 minuta. Shërbimi i psikologut ka dy vjet që ka hyrë në burgjet shqiptare dhe sipas Bakallit, kjo është një kohë shumë e shkurtër për të përcaktuar pasojat pozitive dhe negative të këtij projekti që në Perëndim ka rezultuar shumë i suksesshëm. “Ne po përpiqemi të studiojmë dosjen e çdo të dënuare në veçanti, hap ky i cili kërkon një kohë të konsiderueshme, për të mos çuar në gjykime false”, -është shprehur Bakalli. Ka pas raste sipas psikologes, kur të dënuara janë transferuar në spitalin e burgjeve pasi mungesa e lirisë për një kohë të gjatë, largësia ndaj familjes mund t’i ketë lënë ato me pasoja. Psikologia thotë se ka hasur vështirësi në terapitë me të burgosurat, pasi ka shumë pakënaqësira nga ana e tyre, duke sjellë si rrjedhim stresin dhe duke çuar në probleme të tjera më të rënda ku secila kërkon të shfaqë egon e vet dhe të mbisundojë të tjerat. “Këto probleme po përpiqemi t’i përballojmë nëpërmjet programeve individuale që po hartohen apo janë hartuar, pasi kohët e fundit në këtë burg kemi një prurje të madhe të të dënuarave të reja, që po përpiqemi t’i harmonizojmë në jetën këtu dhe në bashkëjetesën në grup”,- thotë Bakalli.


Kurset profesionale? Gratë: Kohën e kalojmë me muhabet


Të vetmet aktivitete për to janë kurset profesionale. Gratë e dënuara janë të përfshira në kurse të parukerisë apo të rrobaqepësisë, kompjuteri apo gjuhësh të huaja. Kjo terapi okupacionale i bën të dënuarat t’i shmangen monotonisë së përditshme, duke u marrë me një punë të caktuar. Megjithatë ne pyetëm rreth 5 të dënuara në lidhje me këto mundësidhe ato na u përgjigjën: kohën e lirë e kalojmë duke bërë muhabet me njëra- tjetrën ose duke ndenjur, pa u marrë me asnjë gjë konkrete.


Në sektorin e grave ishte ndërtuar gjithashtu edhe një bibliotekë, ku të dënuarat mund të shkonin dhe të lexonin apo të shkruanin. Ka të dënuara që shkruajnë poezi. Kryesisht temat që trajtojnë janë vuajtjet që përjetojnë aty në burg, mungesa e lirisë, largësia nga familjarët që i frymëzojnë ato t’i shprehin këto dëshira të fjetura. Gjithashtu ato bëjnë aty shumë punime artizanale siç janë çentrot, mbulesa etj.., apo edhe punime për fëmijët e tyre.