Reformat e politikave fiskale në Kosovë - Nëse sistemi tatimor përkatësisht sistemi fiskal nuk është vetëm pjesë, por derivat i sistemit social-ekonomik dhe politik i shtetit, është lehtë të pranohet fakti se ashtu si ka ecur Kosova drejt pavarësisë, si imperativ i ka vënë vetes detyrë edhe përshtatjen dhe përsosjen e sistemit tatimor sipas ecurive të zhvillimit ekonomik e shoqëror të vendit, por edhe të regjionit. Këtë e ka bërë për dy arsye: E para, Kosova është orientuar drejt ekonomisë së tregut të lirë dhe e dyta Kosova është orientuar që të krijoj kushtet për të qenë anëtare e BE dhe e rrjedhave të ekonomisë botërore.
Për këtë arsye janë bërë përpjekje që të krijohet një sistem tatimor i cili do të jetë kompatibil me sistemet tatimore të shteteve evropiane. Nuk ka një sistem fiskal apo tatimor si model që përdoret të themi si model evropian tatimor, sikurse nuk ekziston asnjë sistem tatimor i njëjtë për dy shtete edhe pse në sistemet tatimore dhe në politikën tatimore ndikojnë shumë faktor siç janë rregullimi kushtetues, roli i shtetit në jetën ekonomike, madhësia e territorit, numri i banorëve, të qenit anëtar i asociacioneve ekonomike, lartësia e të ardhurave për kokë të banorit, shkalla e punësimit, raportet në këmbimet ndërkombëtare etj. Ndaj, sistemi i tatimeve në Kosovë, jo vetëm që është i nevojshëm, por patjetër duhet të jetë në harmoni me sistemet tatimore të shteteve te zhvilluara perëndimore, veçanërisht me shtetet në regjion dhe me shtetet që për Kosovën kanë rëndësi të veçantë. Për nga numri i tatimeve, Kosova ka sistem të thjeshtë dhe aplikon vetëm tri lloje të tatimeve. Tatimet në të ardhura, edhe në të ardhmen, në masën më të madhe, do të jenë burimi kryesor i financimit të nevojave publike. Është shumë e sigurt, se do të duhej të bëhen përpjekje që të zvogëlohet pjesëmarrja e tatimeve në bruto produktin shoqëror dhe kjo do të përkrahej edhe nga vetë bizneset, po edhe nga opinioni i gjerë.
Mirëpo, ashtu siç është e kushtëzuar lartësia e ngarkesës tatimore në rend të parë nga lartësia e shpenzimeve publike që duhet plotësuar, është joreale të pritet që këto ngarkesa tatimore mund të kenë ndonjë zvogëlim të rëndësishëm, pa zvogëlimin e ndonjërës nga pozicionet e shpenzimeve publike. Megjithatë sistemi tatimor dhe politika tatimore në Kosovë po pësojnë reforma të vogla prej viti në vit dhe se ato po vazhdojnë. Kështu, ne vitin 2005 kemi avancim të sistemit tatimor të Kosovës, pra fillon të aplikohet shkallë më e gjerë e veprimtarive afariste me dy lloje të tatimeve: tatimin në të ardhurat personale dhe në të ardhurat e korporatave. Po në maj 2005 kemi avancim në legjislacionin e tatimeve, siç është ligji mbi administratën dhe procedurat. Pjesë e reformave në vazhdimësi është edhe ligji mbi TVSH-në, i cili ka pësuar ndryshime në favor të taksapaguesve (favoret: zgjerimi i listës së kategorive që përfshihen në lehtësitë tatimore, si OJQ, shëndetësia, bujqësia, rimbursimi etj), arkat fiskale etj. Po ashtu ka risi edhe në rregulloren e të ardhurave të korporatave, si bartja e humbjeve nga 5 në 7 vjet, ndërkaq fitimet kapitale nuk tatimohen etj.

...