Qyteti antik i Butrintit, rreth 20 kilometra larg Sarandës, do të jetë pjesë e projektit "Menaxhimi i Integruar dhe Pastrimi i Zonës Bregdetare". Përfshirja e qytetit antik në këtë projekt synon veç të tjerash që i gjithë ekosistemi i zonës të jetë i vizitueshëm nga turistë vendas dhe të huaj, të cilët më së shumti janë përqëndruar në objektet arkeologjike që ofron parku i Butrintit. Jamarbër Malltezi, në cilësinë e koordinatorit të këtij projekti, pohoi se “projekti synon mbrojtjen e zonave ligatinore bregdetare dhe zonave pyjore, të pasura me lloje me rëndësi globale për ruajtje, si dhe të pasurive arkeologjike të kësaj zone të trashëgimisë botërore të UNESCO-s, objektiv, që do të arrihet përmes përgatitjes dhe zbatimit të Planit të Menaxhimit të Parkut Kombëtar te Butrintit, si dhe investimeve në infrastrukturë dhe krijimin e fermave ekologjike”. Projekti i hartuar nga qeveria shqiptare gjatë vitit 2004- 2005 dhe i miratuar më pas nga Banka Botërore shtrihet nga Orikumi në komunën e Ksamilit, pjesë e së cilës është dhe Butrinti. Qëllimi i tij është zhvillimi i qëndrueshëm i zonës bregdetare, duke respektuar trashëgiminë kulturore dhe mjedisore të zonës dhe përmirësuar infrastrukturën publike. Ky projekt sjell njëkohësisht rregulla të qarta për hartimin e planeve lokale të zhvillimit, duke fuqizuar kështu rolin e bashkive dhe komunave në përcaktimin e tipit të zhvillimit të turizmit bregdetar. “Është një projekt i rëndësishëm, kompleks dhe që integron për herë të parë në Shqipëri çështje të forcimit institucional, planifikimit të territorit dhe modernizimit të infrastrukturës publike”, shpjegon  Malltezi, sipas të cilit projekti po zbatohet në përputhje me standartet e Organizatës Ndërkombëtare të Ruajtjes (Ramsar, Eurosite, IUCN). 


Pjesëmarrja e komunitetit


Një rol të rëndësishëm për zhvillimin e praktikave të turizmit bregdetar, por edhe natyror, nuk do të kishte kuptim pa pjesëmarrjen aktive të komunitetit të zonës. Z.Malltezi,  shpjegon se gjatë përgatitjes së Planit të Menaxhimit të Parkut Kombëtar të Butrintit do të përfshihen edhe grupet e interesit, si dhe banorët që jetojnë prej vitesh në këtë zonë. 


Për këtë qëllim gjatë ditëve të fundit në zonën e Butrinit është zhvilluar një takim i hapur me grupe të interesit, një nga tre të tilla që do të organizohen në kuadër të hartimit të Planit të Menaxhimit të Parkut Kombëtar të Butrintit.


“Takimi i parë, i organizuar në fshatin Mursi të komunës Xare, rreth 25 kilometra larg Sarandës, me pjesëmarrjen e drejtuesve të ë komunave Xarrë e Ksamil dhe banorëve të zonave përrreth Parkut Kombëtar të Butrintit synonte qartësimin e qëllimit dhe objektivave të Planit të Menaxhimit”, sqaron z. Malltezi.


 Sipas tij, konsulentët që po punojnë për përgatitjen e planit kanë prezantuar idenë parësore që turistët vendas dhe të huaj të mos vizitojnë vetëm Parkun e Butrintit, por të kenë mundësi të vizitojnë dhe ekosistemin e zonës. 


Gjatë kësaj faze konsulentët kanë mbajtur kontakte me aktoret qëndrore dhe lokalë, roli i të cilëve është i rëndësishëm në hartimin dhe zbatimin e Planit të Menaxhimit.


Ferdinand Bego, një nga konsulentët e këtij projekti thotë se mbi këtë bazë është përgatitur dhe një strategji për mobilizimin e komunitetit, i cili do të shërbejë si një mjet shumë i rëndësishëm për stafin e administratës së Parkut Kombëtar të Butrintit. Ai shton, se gjatë takimit të zhvilluar u arrit një emërues i përbashkët, që të gjithë të mbështesin dhe punojnë për ruajtjen e Parkut Kombëtar te Butrintit. 


“Në zbatim të kësaj ideje do të merren masa për parandalimin e aktiviteteve që dëmtojnë biodiversitetin e parkut”, tha z. Bego.


Draft Plani i Menaxhimit pritet të prezantohet në takimin e dytë, ku do të merren dhe komentet nga të gjitha palët e interesuara, ndërsa takimi final që do të zhvillohet drejtëpërdrejtë me publikun, me përfaqësues të lartë të pushtetit qëndror dhe vendorë, si dhe me agjenci qeveritare do të fokusohet në zonat specifike dhe aktivitetet në secilën zonë, aktivitetet e menaxhimit dhe përdorimit publik. Ky takim do të shërbejë dhe për ndërtimin e bashkëpunimit midis administratës së zonave te mbrojtura dhe komuniteteve vendore në funksion të menaxhimit. 


Administrimi mjedisor


Ferdinand Bego, konsulenti që po përgatit Planin e Menaxhimit, tha se,  strategjia për një menaxhim të integruar dhe të qëndrueshëm, do të ofronte praktika të përshtatshme për ruajtjen e pasurive natyrore brenda territorit të parkut, vecanërisht për zonat ligatinore. 


Përmes këtij projekti synohet të ndalen ndërtimet ilegale, sidomos në komunën e Ksamilit, prerjet e druve, peshkimi dhe gjuetia e pakontrolluara, shkatërrimi dhe degradim i peisazhit.


“Plani i Menaxhimit të Parkut Kombëtar të Butrintit duhet të jetë i lehtë për t’u kuptuar dhe përdorur në dobi të turizmit”, të thotë zoti Bego. Pjesëmarrja e komunitetit dhe grupeve lokale të interesit në menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit, sipas tij, do të sjellë integrimin e parimeve të ruajtjes së biodiversitetit në dobi të praktikave lokale dhe të zhvillimit të mbrojtjes së ligatinave.


Veçoritë e parkut të Butrintit


Parku Kombëtar i Butrinit me një sipërfaqe prej 15 hektarë, ndodhet në lartësinë 30-50 metra mbi nivelin e detit. I ndodhur në këndin juglindorë të gadishullit të Ksamilit, Butrinti ka një pozitë mjaft të mbrojtur natyrore. Ai laget në të dyja anët nga liqeni i Butrintit, gjysmë të kripur dhe gjysmë të ëmbël, dhe në njërën anë nga kanali i Vivarit. Në park gjenden pemë me gjelbërim të përhershëm si dafina, prralli, ilqe, fishekarthi, kullastra, mimoza, si dhe lloje të tjera gjetherënës. Drurët arrijnë lartësi deri 12 metra dhe kanë një diametër 60-80 cetrimetra, me moshë maksimale 200 vjeçare.


Në park gjenden një numër i konsiderueshëm zbulimesh arkeologjike. Në vitin 1992 gërmimet në qendrën e qytetit antik të Butrintit nxorrën në dritë forumin romak. Ndërtesa me tre dhoma, ndodhet në pjesën jugore të akropolit. Mbishkrimi që daton në shekullin I pas Krishtit, flet për një tempull kushtuar perëndeshës Minerva, ndërtuar nga Manius Otacilius Mystes.


...