U bë një kohë pak si e gjatë që leku duket se po zhvlerësohet paksa. Do stopohet, prapësohet, apo përkeqësohet? Këtu duam të bëjmë, pikërisht këtë analizë dhe prognozë, edhe pse nuk është fort e kollajtë. Ka pasur edhe momente të tjera te ne, kur kursi i këmbimit, p.sh. lek-euro, ka lëvizur mbi vlerën 1 euro=122 lekë, por ky zhvlerësim i lekut nuk ka qenë në masën e gati 8 lekëve (sot kursi është në prag të këmbimit të 1 E=130 lekë) dhe për një kohë që duket se po zgjat pak si gjatë, megjithëse ministri i Financave dha garanci për një stabilizim të shpejtë të kursit të këmbimit valutor dhe një ristabilizim të lekut në tregun e këmbimit valutor.



Tregu valutor është njëri prej tregjeve financiarë dhe së bashku me tregun monetar janë dy shina ku lëviz lokomotiva e gjithë ekonomisë së një vendi. Tregu valutor është një treg shumë i komplikuar dhe nuk është shumë i thjeshtë kontrolli dhe menaxhimi i tij. Madje, edhe njëra nga dy objektivat kryesorë që ka pasur ngritja e FMN-së është ruajtja e stabilitetit të tregjeve valutore (krahas objektivit teknik të rritjes së performancës në arritjen e standardeve të larta për monitorimin e treguesve të tjerë statistikorë të ekonomisë nëpërmjet INSTAT-it, apo BSH-së te ne). Ndoshta FMN-ja, nëse nuk do të ishte larguar, mund të kishte ndikuar për stabilitet të vlerësimit të monedhës vendase me veprime më energjike dhe masa më konkrete, sidomos nëse kjo situatë e pakëndshme ka ndodhur për pakujdesi dhe inaktivitet tonin dhe jo për shkaqe objektive.



Ministri i Financave, z. Bode, ndoshta me të drejtë deklaroi se zhvlerësimi i momentit të lekut ishte një fazë kalimtare dhe se kjo nuk kishte ndodhur për shkak të zhvlerësimit real të tij në tregun e brendshëm të mallrave dhe shërbimeve në raport me euron. Nëse do të ishte e vërtetë e kundërta, atëherë qeveria dhe BSH-ja duhet ta pranonin një zhvlerësim real të tij dhe jo për shkaqe të tjera thelbësore si loja e kërkesë-ofertës së "mallrave" lek dhe valutë në raport me njëra-tjetrën (po analizojmë si valutë euron, për shkak të stabilitetit të saj në raport me luhatjet e vlerës së valutës së dollarit në vitin 2008 e këtej).



Në fakt edhe unë mendoj si z. Bode, se ky zhvlerësim i momentit të lekut nuk është si rezultat i zhvlerësimit real të tij në tregun e brendshëm ekonomik, por si rezultat i luhatjeve të raporteve kërkesë-ofertë të valutave të forta në tregun e brendshëm të këmbimit.



Ndoshta nuk do të ishte e tepërt të sillnim në vëmendjen e lexuesit joprofesionist në fushën e ekonomisë, se vlera e monedhave të brendshme në raport me valutën shihet sipas dy këndvështrimeve: ose sipas normës së interesit, ose sipas paritetit të monedhave për mallra dhe shërbime të njëjta. Në rastin e parë vendos kryesisht kërkesa dhe oferta e tregut valutor (këta tregues i stabilizojnë qeveritë dhe bankat qendrore me rregullimin e masës së parasë, apo valutës në tregun valutor) për kursin e këmbimit të monedhës vendase, kurse në rastin e këndvështrimit të dytë, kursi i këmbimit varet nga aftësia që ka çdo monedhë për të blerë të njëjtat mallra dhe shërbime me valutën përkatëse. Pas historisë së petrodollarit, apo pas viteve 1974 (kriza energjetike e naftës, për shkak të embargos së OPEC-ut pas mbështetjes së Izraelit nga Perëndimi në luftën njëjavore të Yom Kipurit), tregjet e këmbimeve valutore u bënë tërësisht të luhatshme. Themi këtë, pasi nga marrëveshja e Breton Wodsit, e cila e shkallmoi parimin e standardit të arit që kishte ekzistuar për 120 vjet (mbas Koncertit të Vjenës më 1821-shin e deri më 1944-ën me një shkëputje në Luftën I Botërore), u vendos kursi fiks i këmbimit valutor, ku valuta kryesore ishte dollari, i cili do të ishte i emetuar në kartëmonedhë mbi bazën e standardit të arit të Fed-it. Më përpara, në kohën e standardit të arit, ruajtja e standardeve të konvertibilitetit të monedhave bëhej mbi bazën e këmbimit të arit midis bankave qendrore për të ruajtur të paprekur ekzistencën e parasë fiduciare mbi parimin e standardit të arit. Breton Wodsi u arrit mbi bazën e një pune të gjatë, kryesisht nga tri shtetet kryesore e me peshë si USA, Mbretëria e Bashkuar dhe Kina (për momentin nga vendet me peshë të veriut të pasur të botës dhe nga tri kontinentet e Amerikës, Evropës e Azisë) dhe në tri ekipet politiko-teknike spikatnin vëllezërit Dallas dhe ekonomisti Wite nga USA, Keynes nga Mbretëria e Bashkuar (ky ekonomist i madh i "rritjes së kërkesës" nëpërmjet shpenzimeve qeveritare kishte braktisur Traktatin e Versajës 25 vjet përpara si të dështuar) dhe C. K. Sheku nga Kina. Këtu u vendos për ngritjen e FMN-së e BB-së, si dhe për heqjen e bazueshmërisë së standardit të arit të monedhave vendase. Standardi i arit, në fakt, e kishte frenuar së tepërmi nëpërmjet rrallësisë së tij zhvillimin e shoqërisë njerëzore, edhe pse në fakt ai pati luajtur një rol frenues dhe pozitiv ndaj hiperinflacionit të monedhave, por si ilaç ai ka qenë më i dëmshëm se sëmundja, sepse në përgjithësi shkaktonte deflacion dhe frenim të zhvillimit ekonomik, pasi nuk lejonte emisionin e parasë në masën për të cilën kishte nevojë ekonomia për mallra dhe shërbime. Në sistemin e tregut valutor, i cili nuk është një treg gjeografik, por i përbotshëm, Breton Wodsi vendosi në fillim parimin e këmbimeve fikse në tregun valutor dhe kjo zgjidhje, në fakt, i lodhi pas dy dekadash këmbët e ekonomisë botërore dhe në fund të viteve 1960, me dy hope (dy marrëveshjet "smithsoniane"), u vendos sistemi i sotëm tërësisht i lëkundshëm i këmbimit të monedhave vendase me valutat. Edhe vetë vendet e eurozonës nuk e patën të lehtë eliminimin e monedhave vendase dhe zëvendësimin e saj me euron; për këtë është dashur shumë punë dhe studime nga profesionistët që merren me çështjet e parasë.



Pas kësaj retrospektive dhe duke u rikthyer te zhvlerësimi i lekut, duhet përmendur fakti se kjo situatë dëmton eksportet, ndihmon rritjen e volumit të importeve dhe nxiten investimet e huaja jo afatgjata me destinacion të produktit për tregun e brendshëm. Kështu dobësohet politika jonë merkantiliste nga thellimi i deficitit tregtar, zhbalancohet negativisht bilanci i pagesave të Shqipërisë. Këtu mund të ketë disa shkaqe të kësaj gjendjeje: arsye subjektive, ku organet kompetente nuk janë përgjigjur flakë për flakë për të tregtuar valutën rezervë m.q.që të ruajnë në nivelin e caktuar kurset e këmbimit të lekut me valutat; arsye objektive ku BSH-ja dhe qeveria nuk kanë në dispozicion rezerva valutore (ka errësirë informimi transparent të apdejtuar për këtë).



Çfarë masash merren në përgjithësi në këto raste:



pranohet zhvlerësimi i monedhës vendase; merren masa aktive për shëndoshjen e situatës "merkantiliste", në këtë rast politika nxitëse ndaj rritjes së eksporteve, apo edhe masa pasive për të frenuar rritjen e importeve dhe një përkeqësim i marrëdhënieve me organizatat tregtare globaliste që mbrojnë parimet e tregtisë së lirë (OBT etj); merren masa për sigurimin e rezervave valutore, sidomos nëpërmjet një borxhi të jashtëm në valutë (siç duket se ka zgjedhur si rrugë qeveria jonë). Banka Qendrore e jona vazhdimisht ka deklaruar se gëzon rezerva të mjaftueshme valutore për të stabilizuar kursin e këmbimit valutor. Nëse është kështu, atëherë përse po toleron trillet e tregut kaq gjatë.



Në veprimet e tregjeve ndërkombëtare valutore lot një rol të rëndësishëm edhe inflacioni reciprok, si edhe norma bazë e interesit. Po kështu, për vendin tonë duket se e shumëpritura me tmerr e uljes së dërgesave të refugjatëve mundet që po jep efektet e saja të para dhe zgjidhja e situatës nëpërmjet shtimit të borxhit të huaj publik, nuk është një solucion i kërkuar dhe afatgjatë. Shqipëria dhe qeveritë e saj duhet të mendohen vazhdimisht për uljen graduale të deficitit tregtar dhe përmirësimit të klimës së bilancit të pagesave. Ka ardhur koha e rritjes së prodhimit vendas, sidomos në sektorët e tregut ushqimor, bujqësor e blegtoral (si lëndë të para dhe të përpunuara) nisur nga parimi i avantazhit krahasues që ka vendi ynë dhe sidomos rritja e peshës në GDP të sektorit bujqësor, por edhe i sektorëve të tjerë.