Rreth 42 mijë maturantë ju nënshtruan dje provimeve me zgjedhje, të cilat mbyllin fazën e tretë dhe të fundit të Maturës Shtetërore. Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj uroi maturantët për këtë sfidë të fundit nga qyteti i Korçës. Ai kishte zgjedhur për të vizituar shkollën "Themistokli Gërmenji", e cila është renditur në vendet e para sa i përket rezultateve të larta të provimeve. "Janë 42 mijë kandidatë që sot zhvillojnë provimin në lëndët me zgjedhje. Jam i bindur që do të arrijnë suksese sipas lëndëve që kanë zgjedhur pasi këto përcaktojnë edhe degët, ku do të ndjekin studimet universitare. E them këtë pasi synimi kryesor i këtyre lëndëve është pikërisht ky"", u shpreh ministri në një prononcim për mediat. Ndërkohë sa i përket provimit të djeshëm, maturantëve ju është lënë në dispozicion një hapësirë kohore prej katër orësh për të plotësuar dy testet e lëndëve me zgjedhje që ata kanë përzgjedhur në formularin A1. Testet e hartuar nga specialistët e AVA-s përmbanin 20 pyetje, nga të cilat 10 ishin me alternativa dhe vlerësoheshin me 10 pikë ndërsa 10 të tjera me shtjellim me 30 pikë. Provimet me zgjedhje përfshijnë lëndë të tilla si kimia, biologjia, njohuri për shoqërinë, ekonomi-filozofia dhe gjuhët e huaja si anglisht, italisht, gjermanisht, frëngjisht, spanjisht. Fletët e testimit do të korrigjohen në qendrat e vlerësimit në Tiranë, Fier, Elbasan, Shkodër. Pas këtij provimi në vijim nga ana e Ministrisë do të bëhet shpërndarja e formularit A2.


Qeveria, vendime për universitetet në Tiranë, Korçë, Gjirokastër, Elbasan
Shtohen degët e studimeve në katër universitete në vend

Studentët në vend do të kenë më shumë alternativa studimi sa i përket degëve, kjo pasi me një vendim të fundit Qeveria ka vendosur të shtojë numrin e tyre. Për Tiranën ndryshimet dhe shtimi i programeve të studimit ka përfshirë Universitetin e Sporteve. Me një vendim të veçantë, Qeveria ka vendosur hapjen në Fakultetin e Veprimtarisë Fizike dhe të Rekreacionit, të degës "Fushat e veprimtarisë fizike, të shëndetit dhe të rekreacionit". Po kështu në Fakultetin e Shkencave të Lëvizjes është vendosur hapja e programit "Shkenca të lëvizjes", në bazë të riorganizimit të programit të studimit të ciklit të parë "Edukim fizik dhe sporte". Ky vendim i Qeverisë nuk prek studentët, të cilët tashmë ndjekin studimet në "Edukim Fizik dhe sporte". Një tjetër universitet ku shtohen programet e studimit është ai i Elbasanit, "Aleksandër Xhuvani". Qeveria ka vendosur që në këtë universitet të hapë degë të tjera si: "Gjuhë shqipe dhe frënge", "Histori dhe gjuhë gjermane", "Gjeografi dhe gjuhë italiane". Ndërsa Universitetit "Eqerem çabej do t'i shtohen dy degë të reja, ajo e "Fizikës dhe Teknologjisë së Informacionit" dhe "Teknologji e Informacionit". Kjo e dyta i shtohet edhe Universitetit "Fan S. Noli" në Korçë.

Degët që shtohen

Universiteti i Sporteve, Tiranë
• Fushat e veprimtarisë fizike, të shëndetit
dhe të rekreacionit
• Shkenca të lëvizjes

"Aleksandër Xhuvani" Elbasan
• Gjuhë shqipe dhe frënge
• Histori dhe gjuhë gjermane
• Gjeografi dhe gjuhë italiane

"Eqerem çabej" Gjirokastër
• Fizikë dhe Teknologji e Informacionit
• Teknologji e Informacionit

"Fan S. Noli" Korçë
• Teknologji e Informacionit


FAQET E PLOTA,MUND TI LEXONI NE FORMATIN PDF