Cistet në vezore krijohen në procesin e evoluimit dhe quhen ciste funksionale, sepse gjenden në kuadër të funksionit të vezoreve. Cistet në vezore shpesh shkaktojnë panik të madh nga frika për tumor, edhe pse shumica prej tyre janë plotësisht të parrezikshme. Cistet mund të paraqiten në cilëndo moshë, por më së shpeshti janë në periudhën e riprodhimit dhe janë të rralla pas menopauzës. Cistet në vezore paraqiten gati tek të gjitha femrat në periudhën e riprodhimit. Shumica e këtyre cisteve janë funksionale dhe të parrezikshme.

Cistet

Cistet në vezore janë të mbushura me lëng apo përmbajtje gjysmë të lëngshme që krijohen në vezore. Numri i diagnozave të cisteve është rritur me zgjerimin e përdorimit të kontrolleve fizikale dhe ultrazërit. Çdo muaj, vezoret normale krijojnë ciste të vogla që quhen gjëndra Graf, nga të cilat njëra në mesin e cikleve është dominues dhe arrin madhësinë deri në 2.4 cm dhe nga ai lëshohen qeliza të pjekura vezore gjatë evoluimit. Kur gjëndra shpërthen bëhet një trup i verdhë, i cili është i madhësisë prek 1.2 deri në 2 cm kur është e pjekur dhe ka mes ciste. Nëse nuk ndodh pllenimi, ajo zvogëlohet dhe zhduket, ndërsa në rast të pllenimit së pari rritet dhe pastaj zvogëlohet gjatë shtatzënësisë. Cistet në vezore krijohen në procesin e evoluimit dhe quhen ciste funksionale, sepse gjenden në kuadër të funksionit të vezoreve, ndërsa ndahen në ato gjëndra dhe luteale. Cistet funksionale të shumëfishta krijohen si rezultat i rritjes së stimulimit hormonal apo ndjeshmërisë së tepërt. Për shembull paraqiten gjatë procesit të kurimit të jo-pjellorisë kur vezoret stimulohen me ilaçe të caktuara. Kështu, nëse nuk rregullohet doza e duhur dhe vjen deri te stimulimi i tepërt, atëherë krijohet ciste.

Dallimi

Simptomat te cistet e parrezikshme janë kryesisht të njëjta. Paraqitet dhimbje në stomak dhe ndjenja e pakëndshme e presionit në zorrën e trashë, apo fshikëz. Po ashtu, paraqitet edhe çrregullimi i ciklit menstrual, si dhe ndjenja e fryrjes dhe çrregullime në tretje. Përsa i përket diagnostikimit të cisteve, së pari, duhet të bëhet ultrazëri, i cili tregon karakteristikat morfologjike të cistit. Cistet e thjeshta kanë një gropë dhe një mur të hollë përreth saj dhe tek ato ka shumë pak gjasa që të jenë të rrezikshme. Cistet komplekse kanë disa pjesë, trashja e murit, ndarje dhe çrregullim në përmbajtjen e cistit. Tek këto ekziston dyshimi për tumore të rrezikshëm. Pas kontrollit të parë, mundeni lirisht të bëni ultrazërin trans-vaginal, i cili në detaje tregon strukturën e mitrës, ndërsa ultrazëri trans-vaginal është zgjidhje edhe më e mirë, sepse tregon masa të mëdha dhe mundëson kontrollin e strukturë në gropën e stomakut (veshkat, mëlçinë, lëngjet e lira). Kurimi tek cistet e thjeshta nuk është i nevojshëm. Tek paraqitja e cisteve tek femrat që janë në menopauzë është e nevojshme të bëhet CA125 (tumor-shënuesi për mitër dhe vezore). Natyrisht, kurimi kryhet sipas shkaktarit. Cistet që janë paraqitur që herët dhe pas gjashtë muajsh terapie ende qëndrojnë, ndërsa janë më të mëdha se 5 deri 10 centimetra, duhet të hiqen në mënyrë kirurgjike. E njëjta vlen edhe për cistet komplekse. Operimet kryhen me metodë kirurgjike laparaskopike dhe klasike. Gjatë shtatzënësisë, për shkak të kontrolleve të ultrazërit, cistet në vezore shpesh vërehen. Kurimi i cisteve tek shtatzënat është i njëjtë tek të gjitha femrat: cistet e parrezikshme, vetëm përcillen dhe kryesisht tërhiqen në mënyrë spontane. Cistet e tjera që janë aty më shumë se gjashtë muaj dhe janë të madhësisë mes 5 dhe 10 centimetra, apo ato që janë shenja të dyshimta se janë të rrezikshme, duhet të hiqen në mënyrë kirurgjikale. Me rastin e heqjes së cisteve, fëmija nuk është në kurrfarë rreziku.

Pasojat

Problemi kryesor te gratë me sindromën e vezoreve policistike është shtimi i peshës. Këtyre pacienteve u propozohet që të zvogëlojnë peshën trupore, gjë e cila sjell edhe shumë ndryshime të tjera pozitive. Zvogëlimi i peshës trupore vetëm për 5 për qind, mundet që sërish të rivendosë funksionin e vezoreve gjerësisht ciklet menstruale të shoqëruara me ovulacion. Pesha trupore normale në të njëjtën kohë do të thotë edhe më pak probleme me rritje të kolesterolit, lipideve dhe insulinës. Së bashku me humbjen e peshës, me rëndësi është edhe aktiviteti fizik, mospirja e duhanit, alkoolit, dhe në përgjithësi regjim i rregullt jetese. Në kuadër të mjekimit të sterilitetit (shterpësisë), problemi kryesor janë ciklet anovulatore. Për këtë qëllim duhet të bëhet stimulimi i ovulacionit, shpesh i shoqëruar me frenim të aktivitetit të hipofizës dhe marrëdhënie seksuale në kohë të caktuar. Shtatzënia ka ndikim shumë pozitiv në sindromën e vezoreve policistike. Problemet e tjera që lidhën me anovulacionin janë gjakderdhjet e çrregullta menstruale, vonesa e menstruacioneve (amenorreja), e cila mund të mjekohet me dhënien e terapisë me gestagjene ose kontraceptivë oralë dhe niveli i lartë i testosteronit, i cili mjekohet me dhënien e barnave antiandrogjenik. Për këtë qëllim në rend të parë aplikohet bari ciproteronacetat (ose Diane 3 5; Androcur), i cili përshkruhet në bazë të skemave të caktuara gjerësisht, skema e kundërt e Kauffmann-it ose skema sipas Hammerstein-it. Përveç këtyre barnave edhe pse me një përqindje më të vogël të inhibimit të receptorëve androgjenik, mund të përdorët klormadinonacetati (Belara, Neo-Eunomin) dhe dienogest (Valette). Nëse shfaqen probleme të theksuara metabolike si rezistenca periferike në insulinë dhe hiperinsulinemia që është edhe shkak i problemit me kolesterol dhe lipide si dhe një varg problemesh të tjera metabolike dhe endokrinologjike që së bashku çojnë drejt shfaqjes së sëmundjes së sheqerit e cila haset në rreth 80–90 për qind të rasteve me sindromën e vezoreve polikistike të pamjekuara, përdoret metoformina (Glucophage). Sindromi i vezoreve policistike mund të trajtohet edhe me rrugë kirurgjike (laparoskopi ose laparotomi), e njohur si resekcioni i vezoreve në formë pyke, qëllimi kryesor i së cilës është të zvogëlohet vëllimi i vezoreve të rritur dhe në këtë mënyrë edhe uljen e prodhimit të shtuar të hormoneve seksuale mashkullore.







Çfarë është sindroma e vezoreve policistike

Sindroma e vezoreve policistike (PCOS) përfshin një varg simptomash, fillimisht me një ndryshim të ndërtimit të vezoreve të cilat gjatë vizitës ultrasonografike japin një ndërtim karakteristik, madhësia e të cilave ndryshon nga madhësia normale e deri në shumë të rritur. Nën kapsulën e vezoreve shfaqen një varg folikulash të vogla, që i japin pamjen e qafores me rruaza me madhësi maksimale deri në 7-8 mm. Kjo sindromë është përshkruar në vitin 1905, nga ana e Stein-it dhe Leventhal-it si një grumbull simptomash: amenore (mungesë e menstruacioneve), shtim i peshës- majmëri dhe vezore policistike. Sindroma e vezoreve policistike shfaqet në rreth 3 për qind të adoleshenteve dhe femrave të rritura. Mund të paraqitet që nga menstruacioni i parë. Shpesh diagnostikohet te femrat e reja, fillimisht për shkak të cikleve menstruale të parregullta gjatë pubertetit, që bëhen shkak për paraqitjen e hiperandrogjenemisë (shtim i nivelit të hormoneve seksuale mashkullore–androgjeneve), në moshën para pubertetit. Niveli i ngritur i testosteronit vepron në gjëndrat dhjamore duke shkaktuar shfaqjen e seboresë (krunde në flokë) puçrrave-akne sidomos në fytyrë. Testosteroni, me veprimin në folikulën e qimeve, nxit shfaqjen e qimeve (hiruzitizëm) të tipit mashkullor, ndërsa qimet e kokës hollohen, dobësohen dhe fillojnë e bien duke imituar rënie të flokut të tipit mashkullor (tullac).





19 Gusht 2009