Në vitet e Rilindjes sonë Kombëtare, lufta për çlirim mori përpjesëtime të mëdha. Rol të rëndësishëm për ta kurorëzuar me fitore këtë luftë, përveç çetave të armatosura, luajtën dhe veprimtarë politikë. Të gjithë ata së bashku me përpjekjet e tyre vunë nga një gur në themelin e Pavarësisë shqiptare.



Njëri prej tyre është pa dyshim atdhetari Dhimitër Vasil Zografi. Ai lindi në Korçë në vitin 1878, atë vit kur në Prizren u lidh besa e shqiptarëve nën emrin "Lidhja Shqiptare e Prizrenit".



Në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë, ai së bashku me tre vëllezërit e tjerë Vasil, Grigor e Daniel, emigroi në Rumani. Aty menjëherë vëllezërit Zografi, sidomos Vasili e Dhimitri, u radhitën në koloninë shqiptare të Bukureshtit dhe morën pjesë në shoqëritë patriotike të atjeshme "Drita" e "Dituria".



Veprimtaria patriotike e Dhimitër Zografit fillon të marrë jetë në ato vite kur të "sëmurit të Bosforit" po fillonte t‘i dridhej toka nën këmbë. Vëllai i tij më i madh, Vasili, për mjaft kohë kishte jetuar e punuar në Francë. Kjo i dha mundësi atij që të njihte e të admironte Revolucionin francez. Pa dyshim që këto përshtypje revolucionare u pasqyruan edhe në jetën e të riut, Dhimitër Zografi. Gjatë kësaj kohe, ai propagandon shtypin shqiptar të kohës e njëkohësisht bëhet një nga përkrahësit kryesorë të komitetit të fshehtë "Për lirinë e Shqipërisë". Mban letërkëmbim të pasur me figurat kryesore të lëvizjes për çlirim kombëtar në Shqipëri e gjetkë. Një miqësi e veçantë e karakterizon me vëllezërit Spiridon e Tashko Ilo, me Asdrenin, Dhimitër Berattin etj. Më 1906 merr pjesë në themelimin e shoqërisë patriotike të shqiptarëve te Bukureshtit "Bashkimi-Unirea".



Prej fillimit të shekullit XX, vëllazëria Zografi kishte nën zotërim dyqane e restorante, një prej të cilëve e shohim të reklamuar në një broshurë, botuar në vitin 1911 nga Dhimitri. Veprimtarinë e tij tregtare, ai e ushtron gjatë kësaj kohe, në rrugën



"Doamnei".



Shënohet si një nga organizatorët e mbledhjeve që u zhvilluan në fillim të nëntorit 1912 në hotel "Kontinental". Aty theksoi se patriotët "kanë besim të plotë në veprimin e Kombit shqiptar pas udhës që tregoi z. Ismail Qemal Beu, e cila përmblidhet në



vendimet ////////////////(…) e se kanë për të bërë sa mundet e për t‘u përpjekur me gjithë shpirt e me të gjitha mënyrat për shpëtimin e Atdheut" ("Shqipëri` e Re", Kostancë, datë 29 nëntor 1929).



Në mbledhjen e datës 5 nëntor 1912, Dhimitri Zografi u zgjodh delegat i kolonisë shqiptare të Bukureshtit për të marrë pjesë në Shpalljen e Pavarësisë. Siç na tregon një fotografi, me pushkë në dorë, siguron udhëtimin e delegacionit prej Rumanie në Shqipëri.



Më 28 nëntor 1912, si përfaqësues i kolonisë shqiptare të Bukureshtit, firmos vendimin e Pavarësisë me siglën "Dimitri Zografi". Është anëtar i pleqësisë (senatit) së përbërë prej 18 vetash, me në krye Vehbi Dibrën. Një informacion interesant mbi rrethanat e ngritjes së flamurit kombëtar, ai na jep në shkrimin e tij "Si u kasnecua vetëqeverimi i Shqipërisë" (Revista "Ylli i mëngjesit", Boston, datë 30 nëntor 1917, faqe 196-205). Në dhjetor 1912, bashkë me Dhimitër Emanoilin, shkon në Brindisi e prej andej kthehet në Korçë. Këtu gjen një situatë aspak të pëlqyeshme. Pas takimeve me patriotët korçarë, sidomos me Themistokli Gërmenjin e Jovan Cico Kosturin, largohet më 1917 në Rumani, ku vazhdon aktivitetin e tij patriotik e tregtar. Ndjek me interes ngjarjet e kësaj kohe, si Konferencën e Paqes në Paris dhe kundërshton vendimet e padrejta të saj në kurriz të popullit shqiptar, firmos protesta drejtuar kryesisë së Konferencës, në qershor 1919.



Në shkurt 1915 zgjidhet anëtar i këshillit të "Shoqërisë së kolonisë shqiptare të Bukureshtit".



Në vitin 1935, kolonia shqiptare e Rumanisë i dërgon qeverisë së Ahmet Zogut një protestë ku theksohet : "Me të marrë lajmin e dënimit në vdekje prej gjyqit politik të Fierit të kaq patriotëve Kolonia shqiptare e Rumanisë dërgoi me datë 19 vjeshtë (shtator) 1935 telegramin që pason : Mbretit Zog I Tiranë. Të nënëshkrarët në emër e Kollonisë me dhembshuri për gjendjen e Atdheut çfaqim hidhërimin për ngjarjet e funtme. Lutemi për ndalimin e ekzekutimeve të patriotëve dhe për marjen masash për çdukjen e shkaqeve të moskënaqësive të popullit, që provokojnë të tilla turbullime të dëmshme për Atdhenë". Mes 79 nënshkrimeve, me numrin rendor 3, dallojmë emrin e Dhimitër Zografit.



Në gusht 1936 ndodhet në Berlin, ku ndjek lojërat olimpike "Berlin 1936" dhe thuhet se është takuar me Hitlerin, por aspak në mënyrë miqësore. Më pas kthehet në Rumani. Për herë të fundit erdhi në Shqipëri në janarin e vitit 1937.



Prej fillimit të viteve `30 e deri në fund të jetës, patrioti Dhimitër Zografi iu kthye jetës private. Gjatë këtij harku kohor ndiqte të gjitha zhvillimet politike e kulturore të Shqipërisë. Nuk përshëndeti pushtimin e vendit nga trupat nazifashiste dhe vendosjen e regjimit komunist. Pas çlirimit nuk mundi të kthehej në Korçë. Vdiq larg vendlindjes, në Bukuresht pas vitit 1945.



Dhimitër Zografi është dekoruar me urdhrin "Për veprimtari patriotike" të klasit III, me këtë motivacion: "Është aktivizuar në lëvizjen patriotike në kolonitë shqiptare të Rumanisë dhe më 1912 ka erdhur në Shqipëri me Ismail Qemalin dhe ka firmosur Aktin e shpalljes së Pavarësisë".







DHIMITËR BERATTI (1888-1970)







Mësuesi, shkrimtari dhe gazetari Dhimitër Beratti lindi në qytetin e Korçës në 15 tetor 1888.



Për plotësimin e arsimit, Dhimitri në vitet e para të shekullit që lamë pas, shkoi në Rumani ku përfundoi Fakultetin e Shkencave Politike dhe atë Juridik. Ai karakterizohej nga një pasion e vullnet i veçantë për dije e kulturë. Vitet e para të shekullit XX dhanë shkëndijat e para të formimit të tij patriotik.



Pas vitit 1905 kthehet në Korçë ku për nevoja të arsimit tonë kombëtar, punon si mësues. Ai dha ndihmesë të admirueshme në përparimin e kulturës dhe arsimit në vendin tonë. Kudo ku ka shërbyer si drejtor shkolle apo mësues i thjeshtë, është bërë figurë shumë e dashur për të rinjtë, sepse u falte eksperiencën e tij në fusha të ndryshme. Ai ka qenë mësues për njëfarë kohe edhe në shkollën e parë shqipe të Korçës. Anëtar i klubit patriotik "Dituria" të Korçës që në themelimin e tij më 1908.



Në vitin 1909, më 13 dhjetor në Korçë u luajt drama "Besa" e Sami Frashërit. Në trupën e aktorëve bën pjesë edhe Dhimitër Beratti. Në fotografinë e Petro Fotografit, të vetmen e kësaj shfaqje, shohim ulur z.Beratti, regjisori dhe sufleri i shfaqjes. Po këtë vit merr pjesë në Kongresi i Elbasanit e më vonë në Kongresi i dytë i Manastirit.



Dhimitër Beratti është nga të parët pjesëmarrës në mbledhjen e hotel "Kontinental"-it në Bukuresht. Zgjidhet delegat i kolonisë shqiptare të Bukureshtit 3) dhe me pushkë në krah shoqëron Ismail beun për në Vlorë.



Dhimitër Beratti ka firmuar aktin historik të shpalljes së pavarësisë, me siglën "D. Beratti", në emër të kolonisë së Bukureshtit. U emërua "drejtor i përgjithshëm" në organin e qeverisë së Vlorës "Përlindja e Shqipëniës" dhe u zgjodh anëtar i pleqësisë. Për Dhimitrin, 28 nëntori i vitit 1912 është një datë e shenjtë, sepse: "Sa e shohim ma së largu në pasqyrën e mendjes s‘onë, aq ma e bukur na ngjan kjo ditë e kurorëzimit të shpresave të kombit shqiptar" - shkruan ai në gazeta "Elbasani" (28 nëntor 1922, viti I, nr. 2, faqe 1).



Më 1913 është sekretar i delegacionit shqiptar që udhëton me në krye Ismail Qemalin për sigurimin e tërësisë së trojeve shqiptare. Shkon në Londër, Paris, Romë etj. Bashkë me Luigj Gurakuqin, është krahu i djathtë i plakut të Vlorës dhe në janar 1919 vajton humbjen e tij. Më 1913 merr detyrën e administratorit të spitaleve të vendit.



Në korrik 1914 emigron në Rumani. Aty punoi për krijimin e kishës ortodokse shqiptare të Rumanisë. Mihal Gramenoja na thotë se Beratti është delegat i shqiptarëve të Bukureshtit në Konferencën e Paqes në Paris më 1919. Në shkurt të vitit 1919 shënohet si sekretar i kolonisë shqiptare të Bukureshtit. Me këtë detyrë, ai i dërgon mjaft protesta kryesisë së Konferencës së Paqes në Paris me qëllim rishikimin e vendimeve të padrejta që merren në kurriz të popullit shqiptar. Gjithashtu, ai ngre zërin kundër pretendimeve greke në jug të vendit: "Në emër të njëmijë shqiptarëve me origjinë nga zona e Korçës dhe Gjirokastrës me qëndrim provizor në Rumani dhe në emër të familjeve të tyre që janë në mëmëdhe, ne nënshkruesit protestojmë së fundi për pretendimet e qeverisë greke mbi territoret tona që i bashkëngjiten shtetit shqiptar pas ndarjes së Komisionit Ndërkombëtar të 1913-ës (…) Në emër të drejtësisë dhe të gjitha principeve që duhet të shërbejnë si bazë e paqes dhe që të garantojnë jetëgjatësinë, ne i kërkojmë Konferencës të pranojë disa diskutime mbi rajonin e Gjirokastrës e të Korçës, djep të Rilindjes politike të Shqipërisë. Jeta e shtetit shqiptar - përfundon protesta - pa distriktin e Jugut është me të vërtetë e pamundur".



Në një letër drejtuar presidentit Wilson, nënvijëzojmë: "Ne duam një Shqipëri të pandarë e të pavarur, e cila të pranohet dhe nga vendet e tjera (…) Kështu që pyesim SHBA për të caktuar një mandat për Shqipërinë, e cila është një pikë që duam të kujdesemi e të kemi një pjekuri të nevojshme për ta udhëhequr më vete (….) të gjithë ne shqiptarët dëshirojmë të jemi të bashkuar e në të ardhmen pa ndërhyrjen e fqinjëve, të cilët na ndjekin këmba-këmbës për interesat e tyre (…) ne besojmë, zoti President, në duart tuaja, si dhe në realizimin e kërkesës sonë të drejtë." Mes 31 nënshkrimeve të dokumentit, dallojmë emrin e Dhimitër Berattit, si dhe të Viktor Efthimiut, Stavri Kuneshkës, Dhimitër Ilos etj.



Më 1924 ndodhet në Sofje me detyrën e kryekonsullit. Në periudhën 1926 deri më 1934 punon si sekretar në Ministrinë e Jashtme. Më 1935 emërohet ministër i Ekonomisë kombëtare. Një vit më vonë emërohet ministër në Romë. Nga ribotimi i librit "Mësime" të Naim Frashërit, ku ai shkruan parathënien, në tetor 1942, kuptojmë se është ministër sekretar shteti i kulturës popullore. Në këtë post u emërua më 3 dhjetor 1941, datë e krijimit të qeverisë së Mustafa Merlikës Kruja. Këtë detyrë Beratti e mbajti deri më 4 nëntor 1942, kur u zëvendësua nga Eqrem Vlora. Po këtë vit është anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare në Tiranë, me kryetar Ernest Koliqin.



Këshilli i Ministrave miratoi më 22 prill 1943, emërimin e Ernest Koliqit si kryetar të përfaqësisë shqiptare pranë qeverisë italiane së bashku me Dhimitër Berattin dhe me Demir Vilën .



Në gusht 1944 si përfaqësues i qeverisë, Dhimitër Beratti mban një fjalim në ceremoninë e varrimit të diplomatit shqiptar, Rauf Fico. Në fjalën e tij, ai theksoi: "Me vdekjen e Rauf Ficos të gjithë humbasim një burrë shteti në kuptimin e naltë të fjalës. Kudo ai ia zbardhi faqen atdheut (…) me kopetencën dhe kthjelltësinë me të cilën ai dinte t‘i shtronte dhe t‘i mbronte interesat e vendit të vet."



Pas rënies së qeverisë së Rexhep Mitrovicës, u largua nga Shqipëria përgjithmonë e u vendos në Itali. Aty u mor me veprimtari të shumta patriotike, me organizimin e mbledhjeve e përvjetorëve të ndryshëm me qëllim afrimin e shqiptarëve me banim në Itali. Shkruan artikuj në gjuhë të huaja në favor të çështjes shqiptare, si dhe përkthen në shqip studime të huaja për Shqipërinë. Mbretëria rumune më 1932 e dekoroi me medaljen "Grand Officer De La Courron Roumania".



Vdiq në Romë më 8 shtator 1970 ku dhe sot e kësaj dite ka varrin.



Dhimitër Beratti është autor i këngës së njohur korçare "Malësoria", të cilën e shkroi para fillimit të viteve `20 të shekullit të kaluar. Këtë e shohim të botuar edhe në këngëtoret e kohës.



Ai ka botuar dy vëllime me titull "Shqipëria më 1937", të cilët për nga vlera që mbartin, shërbejnë edhe në ditët tona si model për shkrimin e historisë së shtetit shqiptar.



Dhimitër Beratti është dekoruar me urdhrin "Për veprimtari patriotike" të klasit të parë.





DHIMITËR MBORJA (EMANOIL) (1884-1945)



Personaliteti i shquar i lëvizjes për çlirim kombëtar, atdhetari i dalluar e punëtori i palodhur i çështjes shqiptare, Dhimitër Emanoil, ka lindur në fshatin Mborje të Korçës më 1884. Bashkë me të atin dhe vëllezërit, në moshën 16-vjeçare emigron në Bukuresht. Babai i tij, tregtari Viskë Mborjari, kur u shpërngul nga Mborja, shtëpinë e tij ia dhuroi këtij fshati për shkollë shqipe.



Në mërgim, Dhimitri ndihmon të atin në një restorant të vogël në Bukuresht. Në vitin 1908, krahas librave fillon t‘u përkushtohet veprimtarive me karakter patriotik. E shohim anëtar të shoqërisë "Dituria" të Korçës më 1908 e më pas zgjidhet mjaft herë si kryetar i shoqërisë patriotike të shqiptarëve të Bukureshtit.



Nga dokumentacioni i "Bandës së Lirisë" që ndodhet pranë arkivit tonë, mësojmë se Dhimitri ka kontribuar në botimin e dy marsheve me karakter kombëtar "Band‘ e Lirisë" dhe "Kongresi i Dibrës", të hartuar nga profesori i bandës, Paskal Anibali në vitin 1910. Emri i Dhimitër Emanoilit përmendet në dokumentet e mbledhjes së ndihmave.



Boton e shpërndan programin e komitetit të fshehtë "Për lirinë e Shqipërisë", themeluar në Gjirokastër nga Bajram Fehmi Gjirokastra (Bajo Topulli).



Gazeta "Minerva" më 5 nëntor 1912 (që sot ndodhet në Repartin e Koleksioneve Speciale të Bibliotekës së Rumanisë) boton në faqet e saj artikullin "Autonomia e Shqipërisë". Shkruhet aty për mbledhjen e Bukureshtit në hotel "Kontinental" dhe përmendet emri i Dhimitrit si delegat i kolonisë së Bukureshtit në ngjarjen e ngritjes së flamurit. Së bashku me vëllain e tij, Pandeli Emanoil, shoqëron Ismail Qemalin për në Shqipëri.



Ditën e shënuar të 28 nëntorit 1912, Dhimitër Mborja firmon aktin e pavarësisë me siglën "Dh Emmanuel" në emër të kolonisë së Bukureshtit. "Pas krijimit të Ministrisë së Financave, ai i dorëzon Luigj Gurakuqit 1000 napolona flori si ndihmë për mëkëmbjen e ekonomisë së shtetit të ri shqiptar.







Gjatë kësaj kohe ai ndihmon me të holla botimet shqipe. Në dhjetor të vitit 1912 bashkë me Dhimitër Zografin, shkon në Brindisi e më pas vjen në Korçë. Më 1914 e shohim bashkë me vëllain e vogël, Nuçi Emanoil, në krah të Themistokli Gërmenjit, pas një kërkese që ky i fundit iu bën vëllezërve Emanoil (Mborja).



Në shkurt të vitit 1915 zgjidhet si këshilltar pranë shoqërisë së "Komunitetit Ortodoks Shqiptar të Bukureshtit", e cila punonte edhe për të mbajtur një shkollë në gjuhën shqipe.



Rreth vitit 1920, Dhimitri do të lëshonte pa qira godinën e shtëpisë së tij në Korçë si ambient mësimor për Liceun Kombëtar të Korçës.



Më 1924 mbështet Nolin në revolucion e më pas, i detyruar nga presioni i forcave zogiste, zhvendoset nga Korça e për një periudhë kohe nuk kthehet në atdhe. Largohet në Rumani për t‘u rikthyer në Shqipëri vite më vonë. Nuk pati simpati për vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri. Gjatë kësaj kohe ndiqte me interes lajmet që bashkatdhetarët dhe shtypi i sillnin për zhvillimet në Shqipëri. Vdiq në Bukuresht në vitin 1945. Dhimitër Emanoil ka harxhuar pasuri dhe është persekutuar për çështjen shqiptare si veprimtar i saj.



Më 27 nëntor 1992, me numër dekreti 372, i jepet Dhimitër Emanoilit urdhri "Për veprimtari patriotike" i klasit të parë me motivacionin "Atdhetar i dalluar i lëvizjes kombëtare që ka dhënë një kontribut të madh për forcimin e shtetit të pavarur shqiptar." Titulli iu dorëzua pasardhësve në Korçë dhe e ruan sot Julian Emanoil. Historiografia shqiptare na ka lënë të trashëguar një informacion dokumentar mjaft të cekët për sa i përket figurës së Dhimitër Emanoil Mborjes, mungesë të cilën po përpiqemi sado pak ta mënjanojmë sot me këtë shkrim, modest në krahasim me veprimtarinë e tij të gjerë në shërbim të kombit e atdheut.



Nga vëllezërit Emanoil, në Kuvendin e Vlorës më 1912 ka marrë pjesë edhe Pandeli Emanoil.