Kur kanë kaluar disa muaj nga vrasja e kryetarit të PDK-së në Malësi të Madhe, Aleks Keka dhe prokuroria nuk ka ende të dhena për autoret e këtij ekzekutimi, Adriatik Coli risjell emrin e tij për ngjarje të tjera të ndodhura vite më parë. Dëshmitari dhe bashkëpunëtori i drejtësisë në procesin kundër bandës së Durrësit, ka habitur trupën gjykuese, prokurorinë por edhe avokatët e të pandehurve, kur gjatë procesit me dyer të mbyllura ka folur edhe për Aleks Kekën. Sipas Colit, Keka është përdorur vite më parë nga banda e Durrësit si korrier i drogës në Mal të Zi. Emri i Aleks Kekës përmendet nga dëshmitari për herë të parë, ndërsa në dëshminë e dhënë para prokurorisë ai nuk e thotë një fakt të tillë. Kjo gjë ka revoltuar avokatët, të cilët i thanë gjykatës se dëshmitari duhet të mendohet sepse po thotë fakte për të cilat s’ka folur në dëshminë e pendesës. Por Coli ka vijuar edhe me detaje të reja duke lakuar emrin e një avokati të njohur dhe të birit, që sipas tij kishin nxjerrë në pritë një nga viktimat e bandës së Durrësit. Sipas Colit, avokati me inicialet A.H kishte njoftuar për vendndodhjen e shënjestrës së radhës.

Keka

Aleks Keka vdiq në muajin qershor të këtij viti kur makna e tij shpërtheu si pasojë e vendosjes të një sasie eksploizivi. Ai ishte kreu i PDK-së së Malësisë së Madhe. Ngjarja dukej si një atentat mafioz, i cili ende nuk është zbardhur. Minutat që pasuan shpërthimin kanë sjellë një përplasje të ashpër mes krerëve të PDK-së dhe Ministrisë së Brendshme pas një deklarate për shtyp nga ana e kësaj të fundit. Policia e quajti të ndjerin Keka person me precedentë penalë, ndërsa reagoi ashpër PDK-ja, e cila, nëpërmjet drejtuesve të saj, u shpreh se vrasja ka prapavijë politike dhe se “me deklaratat e papërgjegjshme të policisë Aleks Keka është rivrarë”. Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur Grizhë, në aksin rrugor Koplik- Shkodër. Mjeti i tipit “Mitsubishi Pajero”, me targë SH 2125 E, është parë nga dëshmitarë të pranishëm se ka pasur një shpërthim në ecje dhe dalje të menjëhershme të mjetit nga rruga. Situata është komplikuar së tepërmi kur në më pak se dy orë pas ngjarjes Policia e Shtetit ka nxituar të përjashtojë çdo motiv politik, madje zëdhënësi i Policisë deklaroi se kreu i PDK-së në Malësinë e Madhe, Keka, ka pasur implikime në trafikun e armëve dhe të drogës.

Coli

Kjo ishte dëshmia e tretë e Adriatik Colit, të penduarit të bandës së Durrësit. I penduari i bandës së Durrësit në dëshminë e dytë të dhënë një javë më parë, për shtatë orë me radhë, duke rrëfyer për dhjetëra krime. Gjatë seancës së parafundit, e realizuar me dyer të mbyllura për mediat, Adriatik Coli mësohet se ka dëshmuar lidhur me vrasjen e Eduard Ongarit, kryer nga personi i njohur si kreu i bandës dhe atentati që iu bë atij kur ishte në shoqërinë e së fejuarës nga njerëzit e Lul Berishës. Dëshmia e Colit cilësohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si një nga provat më të rëndësishme të saj për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të aktivitetit kriminal të kësaj bande. Burime pranë kësaj gjykate sqaruan dje se Coli ka rikthyer edhe njëherë në sallën e gjyqit gjithçka që ka thënë me shkrim në aktet e prokurorisë, duke rënduar edhe më shumë pozicionin e të gjithë të pandehurve.









Atentat 30-vjeçarit në qendër të Elbasanit



Një sherr banal për pak i ka rrezikuar jetën një 30-vjeçari i cili u qëllua me armë në qendër të Elbasanit. Ngjarja ndodhi rreth orës 14:00 të ditës së djeshme pranë universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan kur A.M ka qëlluar me pistoletë në drejtim të 30- vjeçarit me inicialet F.B. Plumbi ka kapur në këmbë 30-vjeçarin duke e lënë jashtë rrezikut për jetën ndërsa ai aktualisht ndodhet në spital. Shumë kalimtarë të rastit të cilët u bënë dëshmitarë të ngjarjes i thanë policisë se gjithçka ndodhi pas një sherr për motive të dobëta mes dy personave. Policia ka mundur të identifikojë autorin ndërsa është vënë në ndjekje të tij.





Tiranë, policia prangos 10 persona për vepra penale



Krimet më të shpeshta në vend si vjedhjet, shpërndarja e lëndëve narkotike dhe plagosjet kanë vënë në pranga brenda 24 orëve 10 persona vetëm në Qarkun e Tiranës.

Sipas një njoftimi të Drejtorisë së Policisë së Qarkut, Tiranë, specialistët e seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit arrestuan në kushtet e flagrancës shtetasin Lulzim Mataj, 54 - vjeç, pasi në ambientet e banesës së tij, në Kombinat, dyshohet se ka plagosur, duke goditur me armë të ftohtë thikë, për motive të dobëta, bashkëshorten e tij, shtetasen Suzana Mataj, 40 vjeç. Gjithashtu, forcat e policisë mundësuan ndalimin e shtetasit në kërkim për "moskallzim krimi", Besmir Alia, 23 - vjeç, lindur në Pukë dhe banues në Paskuqan Tiranë. Ndërsa, specialistët e seksionit Kundër Narkotikëve arrestuan në flagrancë me një sasi lënde narkotike shtetasin Aleksandër Hoxhallari, 27 - vjeç, lindur në Korçë dhe banues në Tiranë. Siç bëhet e ditur nga Policia e Tiranës, janë arrestuar edhe 7 persona të tjerë, nga të cilët një i mitur, për veprat penale të "vjedhjes" dhe "armëmbajtjes pa leje". Çështjet në fjalë i kaluan për hetime të mëtejshme organit të Prokurorisë.





13 Tetor 2009