Guri Filozofal

Leximi është çmenduria e tij dhe çmenduria është leximi i tij

Dita botërore e librit, më 23 prill, është një kremtim në rang ndërkombëtar, me qëllimin për të nxitur leximin, botimin dhe mbrojtjen e pronësisë intelektuale, nëpërmjet të drejtës së autorit. E ka origjinën në Diada de Sant Jordi ( Dita e Shën Gjergjit) e festuar në Katalunjë të Spanjës, ku ka qenë si traditë që në Mesjetë që kavalierët t’u dhuronin trëndafila damave, dhe që më 1925, damat t’u dhuronin libra kavalierëve, në këmbim të trëndafilave. Por 23 prilli i vitit 1616 është edhe data e vdekjes së dy të mëdhenjve të letrave botërore, bashkëkohës me njëri-tjetrin, Cervantes-it dhe Shekaspeare-it, ndonëse jo e njëjta ditë, pasi e para i përgjigjet kalendarit gregorian dhe e dyta atij Julian. Në nivel ndërkombëtar, Unesco vendosi në vitin 1995, që dita 23 prill, të quhej dita botërore e librit.


Në sallën 207 të Fakultetit të Filologjisë, organizuar nga Ambasada e Spanjës në Tiranë, nën kujdesin e ambasadorit filozof dhe poet Montobbio, më 23 prill, kremtohej dita e librit; por në të vërtetë kremtohej leximi i Don Kishotit, simbol i librit -- vargu i njerëzve që lexonin pjesë, në disa gjuhë të botës, nga aventurat e padëgjuara të hidalgos mendjendritur, nuk reshte, -- me trëndafila të kuq, libra, të puthura dhe përballje shkrimtar-lexues. Në këtë të fundit që mbante për titull: Hispanikja në romanin “ E kuqja e Demave” u gjend autorja e këtyre radhëve. Shpeshherë, dalja e shkrimtarit në një “takim publik”, apo në një “takim me lexuesin”, siç filloi të cilësohej aty nga gjysma e dytë e shekullit që lamë pas, kam përshtypjen se është e shtrënguar të shoqërohet thuajse pashmangshëm nga një paradoks; një paradoks që ka fort të ngjarë të mos vërehet dhe të mos shfaqet i ndjeshëm përpos se në sytë dhe në shpirtin e shkrimtarit. Fjala është, pak a shumë, për një paradoks në rrafshin psikolinguistik; është një paradoks i brendshëm, si me thënë, fort i ngjashëm me atë që vë në dukje Shën Augustini në librin e njëmbëdhjetë të Rrëfimeve të tij, ndërsa flet për kohën dhe për përjetësinë. Të gjithë e kujtojmë, besoj, shprehjen e tij lapidare: “çfarë është vallë koha? Nëse askush nuk më pyet rreth saj, e di çfarë është; nëse do të më duhej t’i jepja shpjegime dikujt që më pyet rreth saj, nuk e di çfarë është. E njëjta situatë paradoksale qëndron në thelb të daljes së shkrimtarit në “takime publike”: “Nëse nuk më pyet kush se ç’është procesi i të shkruarit, ç’është krijimi artistik, e di, nëse më kërkojnë ta shpjegoj se ç’është, nuk e bëj dot”. Nuk mund të qe përjashtim edhe rasti i daljes së shkrimtarit përballë lexuesit në sallën 207 në Ditën Botërore të Librit. Dhe, për më tepër, nuk mund të jetë një përjashtim as i asaj që parashikonte Freud-i; më konkretisht: i shijes së zhgënjimit që lë një shkrimtar ndërsa jep një mori përgjigjesh në lidhje me pyetjet që i drejtojmë rreth artit të tij. Kështu që, duke marrë parasysh sa më sipër, ajo çka munda të them rreth romanit E kuqja e demave, apo mbi praninë e elementit hispanik në të, qe pak, fare pak. E pata të pamundur që të rrëfeja se cila ishte shkakësia që solli në jetë përndezjen fillestare, tek e fundit, atë energji që vë në lëvizje dorën që shtrëngon trupin e një pende si një ushtar që shtrëngon trupin e një ushte, ndërsa gatitet të hidhet në sulm. Shkakësitë e kësaj natyre janë fatshënjuar të qëndrojnë të strukura në skutat më të errëta të pavetëdijes, aty ku struken edhe njerëzit realë që kemi hasur në kohë dhe në hapësirë, të cilët në një formë apo tjetrën do të shndërrohen në modele qeniesh me mish dhe gjak të tjetërt; me mish dhe gjak ideor. Por munda të them diçka rreth lëndës, rreth gjuhës, në fund të fundit, rreth disa prej realiteteve të kapshme. Më tepër sesa i ndërtuar në Spanjë, E kuqja e demave, shpjegova, është një roman i gatuar me Spanjë; çka shprehimisht do të thotë se ka pak Spanjë gjeofizike, dhe shumë Spanjë të jetuar dhe përjetuar. Parë nga ky këndvështrim, E kuqja e demave ka vërtet shumë Spanjë; ka, më së pari, pasionin e saj të njohur dashuror, ka ngjyrat e saj të ndezura, ka elementë të saj kulturorë dhe botëkuptimorë, ka jo pak elementë të jetës që atje rrjedh sipas një ritmi marramendës prej bolero-je; ka shumë elementë të psikologjisë kolektive, të historisë dhe arkitekturës së një pjese të qyteteve të saj. Por, mbi të gjitha, ka një Spanjë që arrita ta mbledh si një bletë nektarin, një Spanjë që e struka (apo që u struk vetë?) thellë brenda vetes. Parë nga ky këndvështrim, rrëfeva se gjatë kohës që shkrova këtë roman, u përpoqa me këmbëngulje të mos shkoja në Spanjë për të vizituar vendet që përmend në libër, e kjo me një qëllim të vetëm: t’i lija tërë vendin e duhur Spanjës tjetër, Spanjës sime...


Porse më duhet të pohoj se, sidoqoftë, komunikimi letrar, -- ndoshta edhe ai që ndodhi në sallën 207, më 23 prill, -- përbën një proces të veçantë bashkëveprimi, dialogu dhe takimi që vendoset, nëpërmjet shkrimit dhe leximit, midis dy subjekteve: autorit dhe lexuesit. Sipas Roland Barthes-it, leximi ndikon te shkrimësia dhe vetë lexuesi kthehet në artificin e kuptimit të tekstit; gjithmonë sipas tij, boshti i interpretimit nuk mblidhet rreth autorit porse rreth asaj ç’ka ndodh midis tekstit dhe marrësit ( lexuesit) dhe ca më tepër rreth punës së lexuesit me vetë tekstin. Siç dihet, letërsia është një akt komunikimi in absentia midis autorit dhe lexuesit, nëpërmjet tekstit. Vepra letrare (teksti) është shifruar nga një autor, i cili ka një këndvështrim të caktuar për botën, dhe e fton në debat apo dialog lexuesin, i cili, nga ana e tij, aktivon, e bën aktiv tekstin. “Mbase në të vërtetë veprat letrare ndodhin nga fakti që ekzistojnë dhe lexohen, dhe po ta shohësh me kujdes, pas kaq shumë kohësh është më real dhe i vërtetë romani Don Kishoti se tërë bashkëkohësit e tij historikë të Spanjës së shek XVIII” thotë shkrimtari Javier Marias. Por le të marrim shkas nga kjo thënie e Marias-it, për ta parë figurën e Don Kishotit në një tjetër dritësim: në atë të lexuesit. Sepse Kishoti është, më së pari, një lexues. Michel Foucault-ja shikon në figurën e Don Kishotit shenjën e divorcit modern, apo të ndarjes midis fjalëve dhe sendeve. Emisar i së kaluarës, Don Kishoti kërkon dëshpërimisht përkimin e njërës me tjetrën, sipas rendit mesjetar. Pelegrinazhi kishotesk është një kërkim të ngjashmesh: analogjitë më të vakëta, vëren Foucault-ja, kapen në ajër prej Don Kishotit; për të, gjithçka është një shenjë e fshehtë që duhet zgjuar, në mënyrë që të flasë dhe të rrëfejë identitetin e fjalëve dhe gjësendeve: kopilkat janë princesha, mullinjtë janë gjigantë, hanet janë kështjella, sepse ky është identiteti që fjalët u japin sendeve në librat e Don Kishotit. “Mirëpo,” thotë Carlos Fuentes-i, “meqenëse në realitet kopetë e dhenve janë kope dhensh dhe jo ushtri katallanësh, Don Kishoti, që gjendet jetim në univers, ku fjalët dhe sendet tashmë nuk kanë ngjashmëri, zhvendoset vetmitar, duke mishëruar dilemën e përhershme të romanit modern që ai vetë themelon: Si mund të mbushet honi midis fjalëve dhe sendeve, i hapur nga divorci midis analogjisë dhe ndryshueshmërisë? Don Kishoti e ka pyetjen dhe përgjigjen e vet: divorci midis sendeve dhe fjalëve që dikur përkonin me njëra–tjetrën, nuk mund të riparohet nëpërmjet një vendosjeje të re, por, nëpërmjet një zhvendosjeje. I vendosur në botën fantastike të kalorësisë aventurore (F. Noli e ka përkthyer të arratisur), Don Kishoti dëshiron të shkatërrojë paradoksin e një aventure të palëvizshme, të mbyllur në librat e vjetër të bibliotekës së tij në një fshat të palëvizshëm të La Mancha-s, dhe të zhvendoset, të hyjë në një lëvizje. Kështu u ndanë në lashtësi njerëzit nga Zotat: duke u zhvendosur. Don Kishoti beson se udhëton për të rivendosur unitetin midis njeriut dhe besimit, që është bindja e tij; në realitet udhëton që të takohet me vetveten në një zonë të re ku gjithçka është shndërruar në problem, duke nisur që nga romani që Don Kishoti jeton. Një ftesë e përhershme për të dalë nga vetvetja dhe për ta parë veten dhe botën si problem të papërfunduar, romani modern përbën një zhvendosje të ngjashme me atë të Don Kishotit; asnjë roman tjetër nuk ka mundur të propozojë zhvendosje më rrënjësore se ato të Cervantes-it. Don Kishoti është romani i parë modern dhe paradoksi i tij është se shfaqet në Spanjën e Kundërreformës, të Inkuizicionit, dogmave të pastërtisë së gjakut dhe ortodoksisë katolike. Spanja, e cila duke dëbuar çifutët më 1492 dhe maurët më 1603, syrgjynosi gjysmën e vetvetes. Don Kishoti është paradoksi i paradokseve. është lexues i librave të kalorësisë që do të dëshironte të rivendoste vlerat mesjetare të nderit, drejtësisë dhe kurajës, dhe për ta bërë këtë del nga shtëpia e tij nëpër fushat e Castilla-s, hipur mbi një pelë ngalakaqe dhe i shoqëruar nga një shqytar shkurtabiq dhe bullafiq, hipur mbi një gomar. Don Kishoti është një lexues. Por, pavarësisht nostalgjisë së tij për Mesjetën, ai është një lexues modern që i lexon librat e tij në formën moderne të shtypshkrimit. I çmendur pas librave, Don Kishoti e shndërron leximin në çmenduri, dhe i kapluar nga të dy, leximi dhe çmenduria, dëshiron ta kthejë në realitet atë çka lexon. Dëshiron të ringjallë një botë të vdekur, një botë ideale. Porse kur braktis fshatin e tij, gjendet ballë përballë me një botë më pak ideale, me banditë, hajdutë, burgaxhinj e vrasës pa ndërgjegje, të gatshëm të tallen me të dhe ta zhdëpin në dru… Me gjithë përballjet e realitetit, Don Kishoti këmbëngul të shohë gjigantë, aty ku ka veç mullinj me erë dhe ushtri katallanësh aty ku ka veç kope delesh. I sheh, sepse i ka lexuar; i sheh, sepse kështu i rrëfejnë leximet se duhet t’i shohë. Leximi është çmenduria e tij dhe çmenduria është leximi i tij. Duke e lexuar, Don Kishoti bën të gjallojë e të marrë jetë romani i Cervantes-it, romani i parë modern në historinë e njerëzimit”.








#