Ministria e Arsimit ka publikuar në faqen e saj zyrtare të gjitha detajet, sipas universiteteve

Ministria e Arsimit ka miratuar dhe ka bërë publike koeficientet e 12 lëndëve me zgjedhje për studime në nëntë institucionet e arsimit të lartë publik për vitin akademik 2010-2012. Gjuha angleze vazhdon të kryesojë ndër gjuhët e huaja me koeficientin më të lartë prej 1.3. Ndërsa gjuhët e tjera me të cilat mund të konkurrojë një kandidat e kanë 1.0 koeficientin.


1.3 është edhe koeficienti maksimal që marrin lëndët e zgjedhura në përputhje me programin e studimit që kërkohet të ndiqet nga vetë maturanti apo kandidati për në universitet. Kanë qenë pikërisht drejtuesit e universiteteve publike në vend ata që kanë propozuar paraprakisht pranë Ministrisë së Arsimit koeficientet në përputhje me kërkesat që ata kanë për fakultete që ofrojnë. Kështu, në rast se një kandidat dëshiron të studiojë në degën e Informatikës në Universitetin e Tiranës, koeficientin më të lartë pra 1.3 e ka lënda e matematikës. Po kështu, për Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë dega Histori, kjo lëndë ka edhe koeficientin më të lartë.


Lëndët me zgjedhje janë fizikë, kimi, biologji, histori, gjeografi, njohuri për shoqërinë, ekonomi, filozofi, gjuhë angleze, gjuhë frënge, gjuhë italiane, gjuhë gjermane, gjuhë spanjolle.
Universitetet publike që presin studentë këtë vit në vendin tonë janë ai i Tiranës, universiteti politeknik në kryeqytet, Universiteti Bujqësor po në Tiranë. Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës, “Fan S.Noli” në Korçë, “Ismail Qemali” në Vlorë, “Luigj Gurakuqi” në Shkodër”, Aleksandër Xhuvani në Elbasan dhe “Eqrem çabej” në Gjirokastër. Ndërkohë që për Akademinë e Arteve të Bukura në kryeqytet, si dhe shkollat e larta sportive nuk ka koeficiente të përcaktuar për shkak se pranimet në to kryhen vetëm mbi bazë të konkurrimit të kandidatëve.


Po kështu, Ministria e Arsimit dhe e Shkencës ka bërë publike edhe koeficientet përkatëse sipas profileve të shkollave të mesme të përgjithshme apo profesionale për vitin akademik 2010-2011. Informacion i plotë mbi koeficientet për në universitete gjendet në faqen zyrtare të internetit të Ministrisë së Arsimit me adresën www.mash.gov.al
Ky informacion ndodhet në dritaren e posaçme të Maturës shtetërore.








#