Autori i Lajmit: Entela Duraj
Matura Shtetërore



Përfundon korrigjimi i provimit të matematikës për maturantët. Rezultojnë rreth 2700 maturantë mbetës në provimin e dytë të detyruar të Maturës Shtetërore. Nga analizat paraprake të nxjerra nga Agjencia Qendrore e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA) thuhet se nga 35 mijë e 724 maturantë pjesëmarrës vetëm 15 prej tyre kanë grumbulluar 50 pikët maksimale. “Korrigjimi i testit të matematikës ka përfunduar. Pritet që notat të afishohen në çdo shkollë të mesme. Paraprakisht mund të them se janë marrë rreth 450 dhjeta (pjesa më e madhe në Tiranë), pra më shumë se sa në provimin e letërsisë ku u morën vetëm 200 dhjeta në të gjitha shkollat e vendit. Ndonëse sipas një analize paraprake, rezultojnë më shumë mbetës se sa në letërsi (1600 me 2700), ndërkohë që numri i nxënësve që kanë arritur të grumbullojnë pikët maksimale është i njëjtë, jo më shumë se 15 maturantë që kanë marrë 50 pikë të plota”, - u shpreh dje për gazetën Ballkan , drejtori i AVA-s, Alfons Harizaj.

Testi

Testi i Matematikës pati 25 pyetje, të cilat vlerësohen maksimalisht me 50 pikë. Lloji i testit me të cilin u testua nxënësi, varej nga lloji i programit lëndor që ai ka përvetësuar në shkollën e mesme. Në përputhje me këto kritere, sivjet u hartuan teste, në varësi të profilit të arsimit. Kjo, pasi edhe programet lëndore dhe ato orientuese për provimet e pjekurisë, janë të ndryshme për tipe të ndryshme shkollash. Rreth 60 për qind e tezës së provimit u përkiste temave të shpërndara në programet orientuese për lëndët e provimit. Profili i shkollës së mesme specifikoi edhe llojin e testit që maturanti plotësoi në ditën e provimit. Po në varësi të profilit u detajua edhe shkalla e vështirësisë së pyetjeve. Pyetjet e testit ishin dy llojesh: me zgjedhje të shumëfishtë dhe me shtjellim të argumentuar.

Universiteti

Me mbylljen e këtij provimi, rregullorja për 2009-n përcakton se kanë të drejtë të kandidojnë për të vazhduar studimet në institucionet e arsimit të lartë publik vetëm nxënësit që vlerësohen kalues në të katër provimet e Maturës Shtetërore (dy provimet e detyruara dhe dy provimet me zgjedhje). Nëse një nxënës ka vlerësim kalues vetëm në njërin nga provimet e detyruara të Maturës Shtetërore, rezultati i tij ruhet (konsiderohet i vlefshëm) edhe në vitet në vazhdim. Nxënësi që është mbetës, qoftë edhe në një nga provimet e detyruara të Maturës Shtetërore në sesionin e parë, nuk ka të drejtë të futet në provimet me zgjedhje. Pas zhvillimit të dy provimeve të detyruara fillon periudha e përgatitjes përfundimtare për studimet e larta. Fillimisht, maturantët duhet të njihen me rezultatet e dy provimeve të dhëna, të krijojnë vetë një ide se sa pikë mund të mbledhin dhe vetëm më pas të bëjnë renditjen e degëve se ku duan të studiojnë.

Paramaturantët

Megjithatë, maturantët që kanë hyrë në provimet e këtij viti me rezultate të mbartura nga vitet e shkuara duhet të dinë se në procesin e llogaritjes do të merren parasysh koeficientet e vjetër. Kështu, nëse nxënësi kërkon t i ruhet rezultati i mëparshëm në përllogaritjen e pikëve për sistemin meritë–preferencë për këtë lëndë merret koeficienti që lënda ka pasur në vitin që është dhënë. Në rast se nxënësi e ka dhënë më shumë se një herë një lëndë të caktuar në provimet me zgjedhje dhe kërkon t i njihet rezultati i saj, do t i njihet rezultati i arritur në vitin e fundit kur e ka dhënë lëndën.

Ky lajm është publikuar: 25/06/2009