Nxënësit të cilët përfunduan Provimet e Lirimit, mund të gjejnë gjatë ditëve në vijim të publikuara në ambientet e brendshme të shkollave të tyre, rezultatet e provimit të dytë të dhënë në lëndën e Matematikës. Lajmi bëhet i ditur nga vetë drejtoritë e shkollave 9-vjeçare, të cilat me daljen edhe të rezultateve të provimit të dytë të Lirimit, do të nisin përgatitjen e dëftesave.

Kjo periudhë mendohet të zgjasë jo më shumë se një javë. Në drejtoritë e shkollave mësohet se dëftesat e lirimit do të jenë në duart e nxënësve duke nisur nga fillimi i javës së ardhshme, gjë që do të ndihmojë edhe në regjistrimin e nxënësve në arsimin e mesëm, proces i cili ka nisur tashmë. Deri më tani mësohet se të paktën 10 për qind e nxënësve që dhanë provimin e dytë të lirimit nuk arritën të kalojnë testimin. Këta nxënës do të rijapin provimin e matematikës në sesionin e vjeshtës që është programuar në ditët e para të muajit shtator, kjo për t'i dhënë shansin e fundit ngelësve të futen në kohë në arsimin e mesëm.