ANTON PAPLEKA


Herë pas here kam dëgjuar ndonjërin të deklarojë se poezia shqipe paska arritur nivelet më të larta të poezisë evropiane dhe botërore. E keqja nuk qëndron te këto deklarata në vetvete, të cilat u ngjajnë kapsollave që shpërthejnë fëmijët në rrugë në prag të Vitit të Ri, por te fakti se autorët e tyre nuk marrin mundimin të bëjnë kurrfarë analize, të sjellin qoftë edhe një argument të vetëm për të mbështetur mëtimet e tyre. Ata pandehin se duhet ti pranojmë në mënyrë të padiskutueshme deklaratat e tyre, sikur ato të qenë fjalë hyjnore, ose dekrete sulltanore… Për të mos u ngjarë këtyre individëve të papërgjegjshëm e vanitozë, unë do të përpiqem që përfundimet e mia ti nxjerr nga analiza konkrete krahasimtare dhe ti mbështes me argumente teorike të marra nga studiues të njohur të poezisë evropiane.

* * *

Në rrafshin substancial, lirika e Koçi Petritit ka ngjashmëri me lirikën e Artur Rembosë. Jean-Pierre Richard-i shkruan: Atëhere metamorfoza përfundon në një përzierje të jetës e të materies; ajo merr trajtën e një ekstaze të përshkueshmërisë kozmike; vë në dukje përmbushjen e parë të asaj force që në virtualitetin e saj, në veprën e Rembosë quhet rini, kurse në veprimtarinë e saj quhet dashuri. Duke përqasur lirikën e Rembosë dhe atë të Petritit, del se që në krijimet e tyre të hershme mbizotëron tema e dashurisë. Jo vetëm studiuesit, por edhe lexuesit të thjeshtë i bie në sy menjëherë numri i madh i poemave me motive erotike në përmbledhjen Lirikat e majit, botuar më 1962, apo në vëllimin e zgjedhur, titulluar Lirika, botuar më 2010. Në mënyrë të sintetizuar këtë e dëshmojnë këto vargje:

Si të të nxjerr prej vjershave të mia,/ ku ti hajdutërisht ske hyrë,

Si n atë shtrat, ku t iku çupëria,/ të dilje sdeshe e tjetra të pat shtyrë?

Si të të nxjerr, ti hyre gjer në çmendje,/ Pa ty më mbeten vjershat krejt gërmadha

E sdi se si je shndrruar në një dhembje,/ e drithmë e klithmë veshur me të bardha,

E veshur me të bardha e lule molle, nën lule molle lot një lojë zjarri,

Mes pemëve degëmbyllur si kasolle,/ sërish të shkoj mbi buzë një fill bari

E muzg i trëndafiltë e unë pa mendje,/ të zhvesh si degëz shelgu lakuriq

E ti, si për ta fshehur zhveshjen tënde,/ fshan: ah, ju djemtë ç jeni kaq të liq!

Duke e thelluar më tej analizën e tij J.- P. Richard-i shton: Krijimet e para të Rembosë provojnë qenësisht se në rini ai është marrë vetëm me dashurinë, me kërkimin dhe shprehjen e një farë ekstaze trupore. Të mbushura me obsesionet e pubesencës, të fryrjes, të bymimit, apo të vërshimit, duket sheshit se poezitë përshkohen nga kuqërrimet e hidhura të dashurisë. Në radhë të parë ato na interesojnë sepse në këto krijime dashuria mbështillet me hidhërim, ngjyroset me qortim. Gjithçka ndodh sikur erotizmi të mos pranohej ende, sikur mbi të të rëndonte një dënim… Dukuritë e mësipërme që hasen si në lirikën e poetit francez, ashtu edhe në lirikën e poetit shqiptar, mund ti ilustrojmë me shembuj të shumtë të marra nga krijimet e tyre. I tillë është ky pasazh nga poema Motivet e qilimit e Koçi Petritit::

E shtrydh ti gruan shpesh mbi shtrat/ e shpesh me epsh e shfrim,/ si dem që zbret hyjnisht nga lart/ e ngjesh përmbi qilim./ E sdi: përmbys, a mbi kurriz,/ mbi shtrat, a mbi qilim,/ tërbimi, a ledhatimi u ngjiz/ natë akt hyjnor sublim…

Adhurimi i trupit të femrës si burim i epshit dhe i kënaqësisë erotike

Në lirikën Kushtuar muzikës Artur Remboja shkruan:

Nuk them asnjë fjalë: prore i vështroj aty/ Qafat e tyre të bardha, të qëndisura prej cullufeve,/ Nën korse dhe nën stolitë e holla ndjek me sy/ Kurrizin hyjnor që zë fill te lakorja e supeve./ Menjëherë ua heq botinën, pastaj ua heq çorapin…/

Ua marr me mend trupin që fërgëllon nga zjarrmia./ Unë u dukem i çuditshëm, me zë të ulët flasin…/  Te buzët e tyre mbërthehen fort dëshirat e mia.

Në lirikën Ti hyre e rrije në mëdyshje Koçi Petriti shkruan:

Ti hyre e rrije në mëdyshje/ Aty në prag të derës,/ Siç hyn një çast një dallëndyshe/ Mes dimrit dhe pranverës./ E ndërsa heshtnim sy ndër sy,/ As ngeshëm e as ngutur,

Të qe shkopsitur kopsa ty,/ Apo të ish këputur?/ Se kur vështroja përmbi gjinj,/

Herë shtrembër e herë drejt,/ Sdi çnomatisa me gishtrinj/ E të shkopsita krejt.

Kur paraqesin trupin e femrës, poetët veçojnë misët e tij të rrumbullt e të kolmë, ata misë që quhen edhe organe erogjene. Artur Rembo, Në kabarenë e gjelbër:

I lumtur i shtriva këmbët nën tryezën e blertë,/ Në tapiceri sodita, pa u bërë ngërdhuza,/ Subjekte naive. Dhe qe kënaqësi e vërtetë,/ Kur një vajzë sisëfryrë, me sy si shpuza,/ Vajzë e tillë, që një puthje smund ta zmprapë,/ E hareshme ajo më solli feta buke me gjalpë.

Koçi Petriti, Bredh brenga e mbrëmjes:

Bredh brenga e mbrëmjes, bryma brigjet zbardh,/ Ty të buis mbi dy bumbeska i bryllët gjiri/ e unë ndjej sikur nga gjithë ky mall i madh,/ Përbrenda më vjen rreth një gur mulliri./ Mbi çbuzë bumbeskat-zogj ti po i çuket,/ Kur mijëra zilka gjethesh troket plepi/ E natyra nxjerr nga xhepi i vet/ Hënën si pasqyrëz tualeti?

Femra është një qenie plot trille dhe naze, bota e saj shpirtërore nuk mund të jetë gjithnjë në unison me mashkullin. Artur Rembo, Mbrëmja e parë:

Shputat e vogla nën këmishë/ u tërhoqën: Jepi fund sa më parë!/ Guximin e parë që lejuar më ish,/ gjasme e ndëshkonte qeshja e marrë.

Koçi Petriti, Ti më thërret :

Ti më thërret e unë pas të vij,/ si kureshtar pas një ariu të butë,/ po mos mendo ta quash dobësi,/ që qenkam kaq i bindur dhe i urtë./ E mos kujto që kthehem lehtë i thyer,/ nga që më mund me naze, nur e trill./ Unë di dhe të kafshoj si kalë i fyer,/ atje ku gjinjtë e bardhë zënë fill.

Në një shoqëri të mbushur me paragjykime, me ngjarje dramatike që i tronditin fatet dhe shpirtrat e të dashuruarve, shpeshherë dashuria është e kërcënuar, e dënuar të ketë një fund tragjik. Artur Rembo, Ofelia:

Qiell, Dashuri, Liri! O Marroke e gjorë, ç ëndërr mizore!/ Ti u trete në të si bora te zjarri në vatër;/ Ligjërimin ta këndirrën vizionet e tyre madhështore,/ Pafundësia e tmerrshme ta llahtarisi syrin e kaltër.

Koçi Petriti, Mali i Vashës:

Ç vajzë mban mbi supe djali,/ ç plumb i ndoqi, ç gojë u shpifi,/  gjer e ngjiti majë mali,/ Hip e zbrit si gur Sizifi?/ Dhe e ngjiti dhe gajasi,/ Dhe gajasi e oh! nuk nxori,/ Edhe zemra e vajzës plasi,/ mali në një varr i mori.

Atmosfera keqdashëse, apo e kobshme që e rrethon dashurinë zë vend në shumë krijime të poetëve të përqasur. Artur Rembo: Ylli qau me lot të trëndafiltë në veshët e tu si petale,/ nga zverku te balli pafundësia rrodhi bardhësi,/ deti sajoi perla të kuqe në sisët e tua ngjyralle/ dhe tek ija jote sovrane burri pikoi gjak të zi.

Koçi Petriti, Gërmadha:

Nga gjithçka që thamë e bëmë njëherë,/ mbeti diçka që as ti dot se urreve,/ Si trungu i djegur mbetur mbi humnerë,/ pas gjithë vetëtimave dhe rrufeve./

E kjo diçka papritur qenka zgjuar,/ si bisk buisur sipër shkrumbërie./ O, spaska asgjë më të trishtuar,/ se të ringresh gërmadha dashurie!

Duke vënë në dukje ngjashmëritë midis poetit francez dhe poetit shqiptar nuk dua të arrij në përfundimin se Koçi Petriti është Artur Remboja, sepse çdo poet i vërtetë është vetvetja. Veç kësaj nuk dua tu ngjaj atyre kuazistudiuesve që kanë zbuluar në Shqipëri me dhjetëra Artur Rembo, kur e gjora Francë ka vetëm një!

* * *

Një veçori e poezisë së Koçi Petritit është karakteri i saj konkret. Kjo dukuri të sjell ndër mend poezinë e poetit belg Norzh (1898-1990), për të cilin Jean Breton-i shkruan: Tek ai çdo fjalë është realitet, nuditet, fshat, shujtë, lodrim, ngjyrë. Ai nuk e njeh abstrakten.. Për të i