Procesi i integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian nuk do të jetë i lehtë. Kështu u shpreh Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, Renzo Daviddi, gjatë një debati të organizuar nga Ministria e Integrimit Evropian të Kosovës me rastin e 9 Majit, Ditës së Evropës, duke shtuar se ende nevojiten reforma rrënjësore, sidomos në fushën e sundimit të ligjit.






“Procesi i integrimit në BE, siç edhe mund ta imagjinoni nuk është i
lehtë. është një proces i cili kërkon lot dhe djersë. Ky proces
gjithashtu kërkon vendosmëri të lartë politike. Proces i cili kërkon
punë nga qeveria dhe shoqëria civile. Ne presim që lidershipi të jetë i
vendosur dhe i gatshëm për zbatimin e këtij proçesi”, tha Renzo Daviddi,
Shef i Zyrës Ndërlidhëse të KE-së në Kosovë.



Ndërsa, Ministri i Integrimit Evropian të Kosovës, Besim Beqaj, vlerëson
se ekzistojnë edhe sfida të tjera që lidhen me çështjet politike dhe
ekonomike. "Njëra ndër sfidat që kemi është bashkëpunimi rajonal dihet
që Serbia duke krijuar bllokada të ndryshëm për Kosovën në fushën e
bashkëpunimit ekonomisë, por është një sfidë neve duhet ta plotësojmë,
pjesa tjetër e sfidave është harmonizimi i legjislacionit në të gjitha
akterët ndërkombëtar që janë këtu është luftimi i krimit të organizuar,
luftimi i korrupsionit ngritja e nivelit të prokurimit ngritja e
zhvillimit ekonomik”, u shpreh Besim Beqaj, Ministër i Integrimit
Evropian të Kosovës.



Raporti i Progresit i vitit të kaluar ka adresuar një varg kritikash
ndaj institucioneve të Kosovës, sidomos për difektet e mëdha në sundimin
ligjit. Edhe raporti i radhës pritet të jetë po kaq i ashpër, ku ndër
kërkesat kryesore priten të jenë lufta ndaj krimit të organizuar dhe
korrupsionit, si dhe reformimi i sistemit të drejtësisë, që janë dy
kriteret kryesore për liberalizimin e vizave dhe integrimin në BE.



Bul Salihu