28/01/2005  





Dëbora e shiu duket se nuk do t’i ndahet edhe qytetit të Shkodrës, jo vetëm zonave të thella të saj. Për të disatën ditë radhazi dhe dje banorët e qytetit verior janë zgjuar nën flokët e dëborës, që zinte mbi dëborën e rënë gjatë ditëve të kaluara. Pas disa orësh rënie dëbore, kushteve të rënduara klimaterike të qytetit i është shtuar dhe një sasi reshjesh shiu, që ka rritur nivelin e ujit dhe të baltës në rrugë. Sipas burimeve zyrtare nga qyteti i Shkodrës, koha gjatë ditës së djeshme ka qenë e ngjashme me atë të ditëve të kaluara. Burimet kanë thënë për gazetën se brenda qytetit dëbora ka zënë në një trashësi nga 10 deri në 12 centimetra. Rënia e shirave të njëpasnjëshëm, pas rënies së dëborës, ka bërë shumë të vështirë trafikun, sidomos atë të kalimtarëve. Gjatë ditës së djeshme, gjithsesi, qytetarët kanë patur fatin të kenë një ditë paksa më të ngrohtë në krahasim me të ftohtin e ditëve të shkuara. Megjithë dëborën e shirat e rëna dhe trafikun e rënduar, akoma për fatin e mirë nuk është shënuar asnjë aksident i rëndë apo me pasoja fatale. Edhe gjatë ditës së djeshme nga ana e Drejtorisë së Policisë Qarkut Shkodër janë organizuar shërbime të pandërprera të uniformave blu në akset rrugore më problematike, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe për t’i dhënë ndihmë qytetarëve e mjeteve që lëvizin në këto akse rrugore.











Në rrethin e Shkodrës


Rruga Vau i Dejës-Pukë është e kalueshme për mjete të kalueshmërisë së lartë dhe me zinxhirë me një kalim.


Rruga e Komanit kalohet me vështirësi dhe vetëm me zinxhirë për automjetet e tonazhit të vogël.


Rruga Prekal–Pult–Shosh-Breg Lumi është e bllokuar


Rruga Muri i Turkut-Cukal (Shllak e Temal) është e bllokuar.





Në rrethin e Pukës


Gjatë gjithë natës së mbrëmshme ka rënë dëborë dhe vazhdon të bjerë me intensitet. Trashësia e dëborës ka arritur në 1m e 10cm.


Rruga Pukë-Shkodër është e kalueshme për mjete të kalueshmërisë së lartë dhe me zinxhirë me një kalim.


Rruga Pukë-Fushë Arrëz është e kalueshme për mjete të kalueshmërisë së lartë dhe me zinxhirë me një kalim.


Rruga Fushë Arrëz-Mirditë është e kalueshme për mjete të kalueshmërisë së lartë dhe me zinxhirë me një kalim.


Rruga Fushë Arrëz–Kukës është e bllokuar


Rruga Fushë Arrëz-Fierzë është e bllokuar


Rruga Fushë Arrës-Iballë është e bllokuar


Megjithëse po punohet për zhbllokimin e rrugëve, duke qenë se ka rëshqitje të dëborës në Qafë Plep në drejtim të Kukësit rruga është bllokuar sërish.





Në rrethin e Malësisë se Madhe


Rruga Dedaj–Boge–Theth-Dukagjin është e bllokuar


Rruga Dedaj-Razëm është e bllokuar


Rruga Hot-Vermosh është e bllokuar, pasi kalohet fshati Rrapsh