12/05/2005  SHKODER – Në dehje e sipër, gruaja në një dasëm “i jep shumë gojës” dhe tregon se kishte vrarë e groposur burrin e saj. Kaq ka mjaftuar, që fjala të vijë në veshin e babait të vitkimës, i cili pa i rënë në sy askujt, ka filluar hetimet dhe gërmimet e tij, deri në gjetjen e djalit të varrosur në oborrin e shtëpisë së tij. Menjëherë pas denoncimit, policia arreston vrasësit si dhe zyrtarizon identifikimin e kufomës së gjetur një ditë më parë në Malësinë e Madhe.


Të akuzuarit për vrasje pranojnë krimin.


Dyshimet rreth identitetit të kufomës së gjetur janë saktësuar ditën e djeshme nga ekspertët mjeko-ligjorë, të cilët kanë vërtetuar se eshtrat e gjetura i përkisnin shtetasit Nikolin Prekë Rrukaj, të datëlindjes 1970, lindur dhe banues në fshatin Brojë, të komunës Kelmend të rrethit Malësi e Madhe. Këtë e kanë pranuar edhe dy të bashkëpunëtorët, autorë të kësaj vepre penale, ish-bashkëshortja e viktimës, Elena Rrukaj dhe i dashuri i saj Gazmend Ujkaj.


Zhdukja


Në fillim të muajit qershor të vitit 2000, 35-vjeçari Nikolin Rrukaj, ka munguar në shtëpinë e tij, për disa ditë. Fillimisht është menduar nga prindërit e tij se ndoshta i biri do të kishte emigruar në Itali, pasi e kishte një synim të tillë, synim që e kishte shprehur gjatë grindjeve të herëpashershme me të shoqen, Elena, e cila shprehej se nuk kishte absolutisht dijeni për drejtimin e largimit të të shoqit.


Por më pas, rreth fundit të muajit qershor, i ati Preka, duke qenë se i biri nuk po bëhej i gjallë dhe nuk po kontaktonte me njerëzit e shtëpisë, as me letra dhe as me anë të telefonit, ka filluar të dyshojë për vdekjen e të birit, Nikolinit dhe është drejtuar në komisariatin e policisë së Malësisë së Madhe. Përveçse ka bërë njoftimin e zhdukjes së të birit, ka kërkuar edhe ndihmën e bluve të këtij komisariati për ta gjetur atë. Madje, Preka ka shprehur edhe dyshime se mos ndoshta të birin e kishin vrarë, duke i dhënë edhe njëfarë orientimi për pistën e kërkimit, por pa e ditur ende se e reja e shtëpisë kishte një lidhje jashtë martesore.


Kërkimi


Menjëherë pas denoncimit në polici për humbjen e Nikolin Rrukajt, blutë e komisariatit të Malësisë së Madhe, në bashkëpunim me blutë e komisariatit të Shkodrës si dhe me prokurorinë e rrethit, kanë krijuar grupe pune dhe kanë ngritur disa pista hetimi.


Këto grupe, në bazë të marrjes në pyetje të familjarëve, të afërmve dhe bashkëfshatarëve të të zhdukurit, kanë ardhur duke u ngushtuar deri tek e shoqja e të gjeturit të djeshëm, Elena si dhe mikut të saj Gazmend Ujkaj. Këta dy persona janë ndaluar nga policia për t’u marrë në pyetje, por duke qenë se nuk kishte fakte konkrete, nuk është bërë i mundur ndalimi i tyre për veprën penale të krimit të kryer, por vetëm për armëmbajtje pa leje.


Edhe më pas, policia e Malësisë së Madhe dhe prokururia nuk e kanë ndaluar hetimin dhe kërkimin e Nikolinit. Por kalimi ligjor i afateve të gjetjes së personit të zhdukur, bëri që Nikolin Rrukaj të deklarohej i humbur, ndërsa të dyshuarit u lanë të lirë.


Megjithatë, shprehen burimet, kërkimi i të humburit nuk u ndalua asnjëherë, pasi dyshimet rreth bashkëshortes dhe të dashurit të saj ishin të forta, por faktet për arrestimin e tyre mungonin.


Arrestimi


Pas gjetjes së të zhdukurit, forcat e policisë, në bashkëpunim me ato të Prokurorisë, kanë filluar hetimin intensiv dhe kanë marrë në pyetje shumë persona, përfshirë të afërmit dhe ish-bashkëshorten e të vrarit.


Pas informacioneve të grumbulluara, në saj të bashkëpunumit të përkryer polici-prokurori dhe pas kontakteve me Prekën, të atin e viktimës së gjetur pas 5 vitesh, të groposur në oborrin e shtëpisë së tij u shoqëruan në polici shtetësja Elena Gjelosh Rrukaj, ish-bashkëshortja e viktimës, lindur më 04. 06. 1973, në fshatin Bratosh të komunës Kastrat të rrethit Malësi e Madhe, me banim në fshatin Brojë të Komunës Kelmend të po këtij rrethi, si dhe shtetasi Gazmend Gjokë Ujkaj, lindur më 10. 09.1 975 dhe banues në fshatin Brojë të Malësi së Madhe (i dashuri i Elenës).


Pas “sinjalit”, kërkime në oborr pëllëmb për pëllëmb


Gërmimet e babait, zbuluan të birin e varrosur në oborrin e shtëpisë


SHKODER - Ka qenë vetë Prekë Rrukaj, i ati i 35-vjeçarit të zhdukur, që e ka gjetur të birin e varrosur në oborrin e shtëpisë. Preka, nuk i kishte humbur asnjëherë shpresat se të paktën një ditë do të merrej vesh se si ishte zhdukur i biri Nikolini dhe mendonte se dikush kishte dijeni për të.


Koha e solli që dikush ta lajmëronte atë se një njeri i afërm i të birit e kishte vrarë dhe varrosur atë. Kishte qenë pikërisht një dasëm, origjina e daljes së këtij informacioni.


Burimet shprehen se para disa kohësh, ish-bashkëshortja i Nikolinit, kishte pirë shumë në një dasëm dhe në pije e sipër i kishte treguar një të afërmi se e kishte vrarë dhe varrosur të shoqin.


Më pas, pas marrjes së këtij lajmi, Preka kishte filluar të mendonte se kush mund të kishte pasur arsye për ta vrarë të birin dhe, pa u ndjerë, kishte filluar edhe ai hetimet personale, por pa mundur të zbulojë asgjë. Mendja i ka shkuar përsëri te grindjet e Nikolinit me të shoqen Elena dhe ka filluar të mendojë se, në qoftë se e reja i kishte vrarë të birin, mundësia më e madhe për ta varrosur ishte oborri dhe banjoja e shtëpisë së tyre.


Ditë pas dite, ai kishte filluar të kërkonte në territorin e shtëpisë së tij, duke punuar tokën pëllëmbë për pëllëmbë. Duke parë se nuk po gjente dot gjë, ka filluar që të hap disa gropa më të thella sesa punimi i thjeshtë i saj.


Kanë qenë pikërisht orët e pasditës së të martës që kanë bërë të mundur gjetjen e eshtrave të Nikolinit. Duke kërkuar pranë themeleve të shtëpisë së tij, rreth 40 cm nën tokë, Preka ka gjetur eshtrat e një trupi të varrosur, për të cilin, në bazë të sendeve që ishin brenda, ka menduar se ishte i biri.


Pasi i ka nxjerrë ato, ka lajmëruar menjëherë forcat e komisariatit të policisë së Malësisë së Madhe, të cilat janë nisur urgjent në vendngjarje, ku gjatë kryerjes së veprimeve proçeduriale, në vendin ku ndodhej prej 5 vitesh e varrosur kufoma, janë gjetur, dy gëzhoja pistolete, një levë hekuri, një pjesë e mbulesës, me të cilën vrasësit kishin mbështjellë kufomën, si dhe ora e dorës së të ndjerit Nikolin Rrukaj, sende këto që u morën me cilësinë e provës materiale.


“Inventari”


2


gëzhoja pistolete


1


levë hekuri


1


mbulesë


1 orë dore


Viktima ishte xheloz dhe dyshonte


E tradhëtoi burrin pak pas martesës,e vrau më pas bashkë me të dashurin


SHKODER - Disa muaj pas martesës me Nikolin Rrukajn, e shoqja e tij, Elena, kishte krijuar lidhje jashtëmartesore me bashkëfshatarin e të shoqit, shtetasin Gazmend Ujkaj. Në lidhje me këtë fakt, Nikolini kishte filluar të dyshonte tek e shoqja dhe për këtë problem kishin nisur dhe grindjet, pasi Elena nuk e pranonte një fakt të tillë dhe e akuzonte të shoqin se ishte më kot xheloz dhe se po bëhej e papërballueshme.


Për xhelozinë e të shoqit, ajo kishte lajmëruar dhe të dashurin e saj dhe, me sa duket, kishin filluar të thurnin plane për ta zhdukur atë.


Për të vënë në jetë planin e tyre kanë shfrytëzuar një natë, kur Nikolini dhe Elena ndodheshin të vetëm në shtëpi. Gjatë orëve të vona të natës në shtëpinë e Nikolinit ka shkuar edhe i dashuri i Elenës, Gazmendi dhe të dy së bashku kanë kryer krimin e vrasjes. Fillimisht e kanë goditur me levë atë dhe duke e lënë pa ndjenja. Por, për të qenë të sigurtë se ka vdekur, e kanë qëlluar edhe me dy plumba pistolete.


Më pas, dy vrasësit e kanë mbështjellë me një copë të vdekurin dhe, pasi kanë hapur një gropë në oborr, pranë mureve të shtëpisë, e kanë varrosur aty brenda, duke e mbajtur sekretin për 5 vite me radhë.


Edhe pas vrasjes së të shoqit, Elena i ka vazhduar lidhjet me Gazmendin, por disi më të shkëputura, nga frika e dyshimeve që kishte policia. Muajt e fundit për të humbur gjurmët e lidhjes së tyre, si Elena ashtu edhe Gazmendi kishin ardhur për të jetuar në Shkodër.


Burimet zyrtare nga Komisariati i Policisë së Qarkut Shkodër, bëjnë të ditur se pas një pune intensive nga ana e këtij komisariati dhe prokuroria e rrethit Shkodër, është bërë dokumentimi i plotë ligjor i kësaj ngjarjeje dhe janë ndaluar si autorë të kësaj vepre penale të dy shtetasit Elena Rrukaj dhe Gazmend Ujkaj.


Ata akuzohen për “vrasje me dashje në lidhje me një krim tjetër” siç është ai i fshehjes së krimit, vepra penale këto që të parashikuara në nenin 77 të Kodit Penal, shpien në dënimin e të arrestuarve në jo më pak 20 vjet heqje lirie.


Precedentët


8 korrik 2004


Rreh burrin me hekur, e hedh në kanal


BERAT - Një grua ka rrahur burrin e saj 30-vjeçar, i cili ka marrë plagë të rënda në trup si pasojë e goditjes me shufër hekuri, të cilën gruja e përdorte për të shkundur tapetet. Ka qenë 40-vjeçarja Mako Bajrami, e cila, ka rrahur me shufër hekur burrin e saj, Qazim Bajrami, të cilin më pas e ka hedhur në një kanal, rreth 10 m larg shtëpisë. Menjëherë pas njoftimit, forcat e policisë kanë shkuar në lagjen “Pjeshkore”, ku ndodhej shtëpia e viktimës dhe kanë verifikuar se në banesën e tij nuk kishte njeri, ndërsa kanë nisur kërkimet në anët e lumit Osum. Pasi e kanë gjetur të goditur dhe në gjendje të rëndë, policia e ka çuar viktimën në shtëpinë e prindërve të tij. Pas kësaj policia ka shkuar në shtëpinë e prindërve të gruas së Bajramit dhe ka kërkuar që të shoqëronte në komisariat 40-vjeçaren, e cila ishte larguar nga banesa nga frika e policisë.


1 shkurt 2005


Dy thika vdekjeprurëse pas shpine burrit të saj


BERAT – Pas një grindjeje familjare të vazhdueshme, një grua 37-vjeçare ka vrarë burrin e saj 63-vjeç, në banesën e tyre, jo më larg se 50 metra nga komisariati i policisë. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “30-vjetori”. Elvira Bazonja, pas një grindjeje të radhës me bashkëshortin e saj, Rakip Bazonja, e ka goditur këtë të fundit nga pas shpine me thikë, duke e lënë të vdekur në vend. Ditën e krimit, mësohet se, që herët në mëngjes, burrë e grua ishin grindur, madje në prezencë edhe të djalit të tyre të vetëm, Manuelit. Grindja ka arritur deri atje sa burri e ka kërcënuar gruan se do ta vriste dhe më pas ka dal nga shtëpia. Por sa po ka dal nga porta e shtëpisë, gruaja me një thikë buke me majë të mprehtë e ka qëlluar nga pas në shpatullën e djathtë. Pas kësaj, burri ka vazhduar rrugën përreth 20 metra dhe në afërsi të komisariatit, ka rënë përmbys i mbytur në gjak.


5 prill 2005


Zhvarroset kufoma e burrit të vrarë 6 vjet më parë


TIRANË - Zbulohet kufoma e dekompozuar dhe e copëtuar e një 48-vjeçari, e varrosur dy metra thellë në oborrin e ish-banesës së tij, në Laprakë të Tiranës. Prej afro gjashtë vjetësh, rezultonte i zhdukur, ndërsa bashkëshortja e tij kishte pohuar në polici se burri i saj, Avdi Noka, ndodhej në Greqi. Kanë qenë djemtë e viktimës, të cilët e kanë çuar policinë drejt e në vendin ku ai është varrosur. Sipas policisë, si autore e ngjarjes, akuzohet ish-gruaja e tij Dëshira Noka. Nga këqyrja paraprake e kufomës mësohet se ai ishte qëlluar më parë me pistoletë dhe pastaj ishte copëtuar me sopatë. Krimin e kishin parë dy djemtë e çiftit Noka, të cilët vetëm pasi u rritën treguan për skenën dhe vendin e krimit. Sipas dëshmive, dyshohet që çifti të ketë patur mosmarrëveshje me njëri-tjetrin për shkaqe xhelozie. Ish-gruaja e tij akuzohet edhe për një krim tjetër, për të cilin ajo po vuan dënimin në Burgun 325.


7 prill 2005


Bar miu në kafen për të helmuar burrin


KORÇE – Ka mjaftuar pak bar miu në filaxhanin e kafesë, për t’i marrë jetën burrit të saj. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Kuç i Zi të rrethit të Korçës. Bashkëshortët Tefik dhe Ditera Liçolli, kishin mbi 20 vjet që ishin martuar, por nuk kishin lindur fëmijë. Vitet e fundit, mes tyre kishin lindur mosmarrëveshje për vogëlsira, por që sa vinin dhe shtoheshin. Një grindje të tillë duket se kanë pasur edhe ditën e krimit. Tefiku është ngritur në mëngjes dhe ka pirë kafen e servirur nga bashkëshortja. Ai donte të shkonte për të punuar në arë, por papritur nuk e ka ndjerë veten mirë. Filluan t’i merren mendtë dhe më pas, ka pasur edhe dhimbje të forta barku. Gjendja e tij shëndetësore ka ardhur duke u rënduar dhe brenda orës duke u përpëlitur vdiq. Rezultatet e analizave zbuluan se në trupin e Tefikut kishte lëndë helmuese. Personi i parë i dyshuar për helmimin e tij, ishte Ditera.


Ajo u arrestua në kushtet e flagrancës.