15-06-2013 / Gazeta 55

Gjovalin Kadeli: Ne mirditorët ia kemi prerë biletën Ramës vetëm vajtje për Paris

Tre të parët në listën e kandidatëve të Partisë Demokatike në qarkun e Lezhës kanë zhvilluar bashkëbisedime me banorët e Rubikut. Aldo Bumçi, Gjovalin Kadeli dhe Albina Deda fillimisht kanë qenë në fshatin Katund i Vjetër në Rubik ku kanë zhvilluar një bashkëbisedim me banorët e kësaj zone. Gjatë fjalës së tij, ministri i Jashtëm njëkohësisht dhe kandidat për deputet në qarkun e Lezhës Aldo Bumçi pasi ka vënë në dukje investimet e bëra nga qeveria Berisha në këtë zonë u shpreh se të tjera projekte priten që të shohin dritën e diellit për këtë zonë me pasuri të mrekullueshme natyrore. “Fillimisht ne kemi bërë rrugën e asfaltuar deri në skajin fundor të këtij fshati dhe ju jeni vetë dëshmitarë që menjëherë pas asfaltimit të rrugës lulëzuan edhe bizneset. Por gjatë këtyre tetë viteve qeverisje ne kemi patur një problem të madh dhe ky problem ka qenë Edi Rama. Ai ka votuar gjithnjë kundër jush. Ai nuk donte anëtarësimin në NATO. Ai nuk donte liberalizim vizash. Ai votoi kundër çdo ligji. Po ajo që është kryesore për ju është fakti që ajo ai bëri gjithçka që rruga e kombit të mos kalonte këtu. Por Partia Demokratike të gjitha këto i bëri. Ai është kundër çdo rregulli, sepse vetëm në këtë mënyrë aim und të mbijetojë, sepse ai është I lindur për të shkatërruar, për të qenë I korruptuar ndaj edhe nuk e beson më njëri” tha në fjalën e tij Aldo Bumçi. Ndërsa kandidati Kadeli gjatë fjalës së tij para banorëve shpjegoi largimin e Partia Socialiste dhe kandidimin e tij në listën e demokratëve. “Mirditorët nuk e kanë zakon ta flasin për shtëpinë ku kanë qenë, por unë jam i detyruar para jush të shpjegohem. Unë nuk jam larguar me dëshirën time nga Partia Socialiste, por jam detyruar ta bëj një gjë të tillë. Edi Rama vendosi të më largonte përfundimisht nga politika pavarësisht kontributit tim dhe më zëvendësoi me prurje të tjera. Unë jam një mirditor dhe ju të gjithë më njihni, sepse unë që nga vitit 2004 e deri më sot kam qenë gjithnjë pranë jush. Unë nuk jam nga ana e atyre që të bardhës i them të zezë. Nuk kam se si të mos them që Rruga e Kombit që u ndërtua nëpër Mirditë nuk ishte një vepër që ndihmon këto banorë. Kjo si duket me ka penalizuar. Unë iu gjenda Partisë Demokratike në një moment kritik për qeverisjen e saj për shkak të një pazari politik. Unë vij nga Partia Socialiste dhe ju them se ajo Partia nuk drejtohet nga Edi Rama por sundohet prej tij. Jam i detyruar t’u përgjigjem akuzave të tij 15 ditë më parë kur ishte në Lezhë. Rama nuk mblodhi dot njerëz në Lezhë sepse e kanë braktisur të gjithë ndaj edhe filloi të merret me akuza ndaj meje. Ai më tha tradhtar dhe atyre që vepruan si unë u tha dele. Tani unë i them Ramës se unë nuk jam tradhtar por sëbashku me ata që ai i cilëson si dele dhe socialiste të tjerë i kemi përgatitur Ramës një dhuratë për 23 qershorin, një biletë vetëm vajtje Tiranë - Paris. Unë dua të shtoj edhe diçka tjetër. Unë nuk kam ardhur i vetëm në Partinë Demokratike, por me shokët e mi të dukshëm dhe të padukshëm. Ne duhet të jemi krenar që pas 100 vjetësh kemi një tjetër udhëheqës të shtetit shqiptar nga veriu” tha ndër të tjera Kadeli. Të pranishmit e pyetën zotin Kadeli se nëse ai do t’i qëndronte pranë sikurse tani Partisë Demokratike apo gjërat mund të ndryshonin rrugës. “Unë jam një politikan, por nga ana tjetër unë jam një njeri që kam marrëdhënie të ngushta me secilin prej jush dha kam dhënë prova që kam qenë pranë jush. Unë ju garantoj se do të jem në krah të Partisë Demokratike gjithnjë pasi unë e shoh ndryshimin që ka ndodhur këtu për shkak të investimeve të deritanishme në Mirditë. Ne duhet ta vlerësojmë këtë” tha Kadeli.
E pranishme në këtë bashkëbisedim ishte edhe kandidatja Albina Deda. “Ajo që ka bërë Partia Demokratike për zonën e Mirditës është diçka që shihet nga të gjithë pavarësisht bindjes dhe përkatësisë politike. Ne duhet të mendojmë për të mirën dhe për zhvillimin tonë dhe Partia Demokratike është e vetmja alternativë. Partia Demokratike duhet votuar në Mirditë nga të gjithë sepse qeveria e drejtuar prej ka bërë shumë investime në Mirditë. Falë këtyre investimeve në shëndetësi, arsim, rrugë, bujqësi dhe në çdo fushë tjetër, ka bërë që zona të njohë zhvillim. Rruga e kombit në pjesë më të madhe të saj kalon në Mirditë. Pak ditë më parë kreu i qeverisë inauguroi edhe fillimin e punimeve të hidrocentralit që që do të prodhojë 7% të energjisë së gjithë vendit, dhe mendoni që në Mirditë do të ndërtohen pesë të tillë. Një tjetër investimet është premtuar që do të realizohet në Mirditë dhe pikërisht hekurudha drejt Kosovës. Po ashtu nëpër Mirditë po kalon rruga që lidh dy autostradat më të mëdha në vend atë të rrugës së kombit dhe autostradën që kalon në gjurmën e Rrugës së Arbërit. Këto janë investime kolosale. I pari landfilld që u ndërtua në Shqipëri ishte ai që u ndërtua në periferi të Rrëshenit. Sot edhe rruga në fshatin tuaj është tërësisht e asfaltuar. Ndaj për të gjitha këto ne duhet të votojmë atë forcë politike që i bëri gjithë këto investime në zonën tonë, pra Partinë Demokratike. Në 20 vitet e fundit Shqipëria është qeverisur edhe nga socialistët, ne e dimë shumë mirë çfarë investimesh kanë bërë ato në Mirditë, asgjë nuk kanë bërë. Prandaj të votojmë Partinë Demokratik, numrin 44 për më shumë investime në zonën tonë” tha ndër të tjera Albina Deda.
Më pas tre kandidatët për deputetë zhvilluan edhe dy takime të tjera me banorët në qytetin e Rubikut, takime në cilat të tre kandidatit u pritën shumë mirë. Qytetarët u shprehën të shpërblyer nga Partia Demokratike për kandidatët në fjalë. Sipas tyre kandidimi i Bumçit është një nder për zonën pasi është një figurë politike ndaj të cilit opozita nuk ka mundur asnjëherë të lëshojë akuza ndaj tij. Ndërsa për Kadelin u shpreh se ai ka ardhur aty ku duhet të ishte prej kohësh. Sipas banorëve të Rubikut Kadeli ka treguar gjithnjë se postin e deputetit e ka shfrytëzuar për të qenë në ndihmë të njerëzve që kanë nevojë për ndihmë. Ndërsa Albina Deda sipas mirditorëve është  jo vetëm bija e tyre, por një mjeke që ka qëndruar gjithnjë pranë tyre dukë bërë gjithçka ka patur mundësi për të ndihmuar banorët.

...