Presidenti Bamir Topi ka dekretuar shpalljen e ligjit nr. 10 097, datë 19.03.2009 Për një shtesë në ligjin nr. 8405, datë 17.09.1998 Për urbanistikën, të ndryshuar si dhe një shtesë në ligjin Për urbanistikën si dhe një ndryshim në ligjin Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje, miratimi i të cilit është shtyrë disa herë. Ndryshimet e bëra në këtë ligj synojnë në thjeshtimin e procedurave dhe të afateve në dhënien e lejes së ndërtimit, duke bërë që procesi të realizohet brenda 58 ditëve. KRRT-ja duhet që brenda 5 ditëve nga paraqitja e kërkesës të nisë procedurat në dhënien e lejes. Shqyrtimi i kërkesës kalon në dy faza: procedimi për shqyrtimin administrativ të kërkesës dhe, e dyta, shqyrtimi dhe miratimi i lejes së ndërtimit nga organi kompetent, KRRT-ja vendore. Njësia urbanistike brenda 5 ditëve shqyrton dokumentacionin e paraqitur nëse përmbush kërkesat që nevojiten. Kur njësia nuk vëren shkelje, njësia duhet të nisë procedurën e shqyrtimit administrativ të kërkesës, thuhet në amendimin e nenit 45 të ligjit aktual.

Gjithashtu theksohet se, me procedimin për shqyrtimin administrativ njësia dhe këshilli teknik duhet të shqyrtojë kërkesën brenda 35 ditëve, nga data ku kërkesa cilësohet si e pranuar. Kur njësia e urbanistikës, në përfundim të afatit 35- ditor nuk dërgon në adresë të kërkuesit njoftim për: Mos pranimin e shqyrtimit administrativ të kërkesës, ose në përfundim të procedimit për shqyrtim administrativ të kërkesës, depozitimin për shqyrtim dhe miratimin e lejes së ndërtimit në KRRT, atëherë kërkesa konsiderohet e pranuar në heshtje dhe dokumenti i përcillet për shqyrtim dhe miratim KRTT-së së njësisë vendore, thuhet në amendimin që i bëhet nenit 45 të ligjit aktual. Ndërsa tre muaj pas miratimit të këtij ligji ngarkohen institucionet kompetente brenda tre muajve dhe depozitojnë pranë bashkive dhe komunave materialin e azhurnuar hartografik mbi rrjetet infrastrukturore. Azhornimi duhet të realizohet më pas çdo 6 muaj, për kalimin e këtij informacioni nuk paguhet ndonjë tarifë.
Legalizimet
Ndërsa miratimi për Për një ndryshim në ligjin nr. 9482, datë 03.04.2006 Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje, të ndryshuar ka krijuar mjaft debate. Pavarësisht debateve të krijuara, kuvendi ka miratuar në muajin mars me votat e mazhorancës nismën për ndryshimin e ligjit nr. 9482 Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje. Sipas amendamentit, të gjitha kompetencat e parashikuara për zyrat e urbanistikës dhe të këshillave të qarkut, kur nuk ushtrohen nga këto të fundit brenda afateve ligjore, i merr përsipër ALUIZNI. Ajo që propozojnë ligjvënësit është futja në këtë proces edhe i qeverisë, e cila me vendim përcakton afatet, mënyrën dhe kohën e ushtrimit të këtyre përgjegjësive. Nisma e deputetëve nuk prek as vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe as thelbin e ligjit lidhur me kompetencat e pushtetit vendor. Ajo që ne korrigjojmë është referenca e nenit 10 i ligjit për legalizimin. Në rastet kur pushteti vendor për një arsye apo për një tjetër nuk i ushtron kompetencat e veta dikush tjetër duhet ti mbulojë dhe ky është një parim që ekziston në të gjitha strukturat e shtetit. Kjo është një përpjekje për të ndërprerë procesin e legalizimit. Por unë po ju them se ai vijon. Janë 130 mijë leje që presin për dokumentin e fundit, është shprehur ministri Olldashi në fjalën e tij. Nga ana tjetër, deputetët e opozitës e kanë cilësuar nismën antikushtetuese. Projekti është në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit. Meqenëse ai rregullon ligjin në respektim të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, duhet të kishte ardhur në Kuvend, si një nismë e Këshillit të Legjislacionit dhe jo e disa deputetëve, ka theksuar kreu i PSD-së Skënder Gjinushi. Edhe deputeti i LSI-së Spartak Braho, e cilësoi nismën antikushtetuese dhe një precedent të rrezikshëm. Ai tha se për strukturat që nuk kryejnë detyrat, duhet të gjenden masa penalizuese. Në nenin 10 paragrafi i fundit ndryshohet si vijon: Në rast se pas kalimit të afateve zyrat e urbanistikës ose këshillat e qarkut nuk ushtrojnë përgjegjësitë e përcaktuara në këtë nen, atëherë ALUIZNI merr përsipër ushtrimin e këtyre përgjegjësive.