Futet ai në fushë dhe ndryshon gjithçka. Aleks Del Piero vazhdon të jetë një lojtar i jashtëzakonshëm, paçka se në mënyrë krejt të pakuptueshme trajneri nuk ka besuar shumë te “pinturikio”. Pas golit me kokë të Kasares, kapiteni i Juventusit shënoi golin e sigurisë, duke treguar edhe një herë se koha nuk kalon për këtë legjendë. Ndërkohë lufta për vendin e tretë në Serinë A është një nga më të bukurat që është zhvilluar ndonjëherë, dhe në javën e 29-të pati emocione të jashtëzakonshme pikërisht në ndeshjet e luajtura me këtë synim. Me një fitore të vuajtur dhe të arritur në momentet e fundit, Lacio ia arriti ta ruante këtë pozicion duke mposhtur 1-0 Kaljarin në “Olimpiko”. Bardhekaltërit e trajnerit Reja shënuan në minutën e 88-të me anë të Diakites, njeriu nga i cili pritej më pak ky gol, dhe me këtë fitore arritën në kuotën e 51 pikëve. Gaboi Napoli, i cili po fitonte ndaj Katanias në “San Paolo”. Pas një pjese të parë pa gola, napolitanët shënuan dy herë radhazi me autorë golash Xhemailin në 61′ dhe Kavanin, 6 minuta më pas. Por, sicilianët besuan dhe reaguan. Në 74′, Spoli ngushtoi diferencën, ndërsa 5 minuta para fundit, barazimi erdhi falë golit të Lanxafames. Rëndësia e vendit të tretë është e madhe, pasi është pozicioni i fundit që dërgon një skuadër të Serisë A në Ligën e Kampionëve.


Në fushë, Ujkani e Bogdani, jo Cana

Për sa u përket shqiptarëve që aktivizohen në Seria A, Samir Ujkani ishte për 90 minuta në portë për Novarën, duke shpëtuar edhe portën e tij nga një gol i sigurt në minutën e 71-të të lojës. Ndërsa Erjon Bogdani luajti 10 minuta për Sienën në barazimin e marrë në fushën e Kievos (ish-skuadra e sulmuesit kuqezi). Ndërkohë u pa pas më shumë se dy muajsh edhe Lorik Cana te Lacio. Kapiteni kuqezi ishte në pankinë, por nuk u aktivizua për asnjë minutë nga trajneri Edi Reja.


Seria A/ Rezultatet

Atalanta-Bolonja            2-0


Shënues: Gabiadini 50′, Tiriboki 90′

Çezena-Parma            2-2

Shënues: Santana 47′, Del Nero 53′/ Flokari 40′, Paleta 62′

Kievo-Siena                1-1

Shënues: Açerbi 9′/ Destro 51′

Xhenoa-Fiorentina            2-2

Shënues: Belushi 21′, Palasio 89′/ Montolivo 31′, Natali 69′

Lacio-Kaljari                1-0

Diakite 88′

Napoli-Katania            2-2

Shënues: Xhemaili 61′, Kavani 67′/ Spoli 74′, Lanxafame 85′

Novara-Leçe                0-0

Juventus-Inter            2-0

Shënues: Kaseres 57′, Del Piero 71′

Të shtunën

Milan-Roma                2-1

Shënues: Ibrahimoviç 53′ (p), 83′/ Osvaldo 44′

Palermo-Udineze            1-1

Shënues: Mikoli 31′/ Torje 84′