ANASTAS ANGJELI


Nuk ishte aspak e rastit nisma, disa vite më parë, drejtuar nga nobelisti Joseph Stigliz e Amartya Sen, dhe e një grupi ekonomistësh, ekspertësh më në zë, për rishikimin e treguesve që mbahen në konsideratë për nivelin e zhvillimit ekonomik të një vendi, veç atyre – treguesve makroekonomikë – në të cilët bazohemi edhe sot. Qëllimi ishte, dhe tani është plotësisht i qartë. Të dhënat ekonomike të bëhen më të kuptueshme dhe më të plota për publikun dhe më të  përshtatshme për politikëbërësit kur flasin…. Kjo kërkonte dhe kërkon reflektimin dhe mbajtjen parasysh të disa treguesve dhe faktorëve të tillë, si: cilësia e jetës (mirëqenie apo varfëri, ndikimi dhe lidhjet e demografisë ekonomike në këto fenomene) dhe degradimin ambiental. Natyrisht, gama e problematikës për ketë çështje është shumë e gjerë dhe komplekse. Por, gjithsesi, domosdoshmëria e bashkërendimit të proceseve dhe treguesve demografikë me gjendjen dhe ecurinë ekonomiko-financiare të çdo vendi, tashmë nuk mund të anashkalohet më. Pikërisht kjo ka mundësuar lindjen dhe zhvillimin e një dege të veçantë të demografisë, të quajtur demografia ekonomike, e cila është dhe po zhvillohet edhe në vendin tonë. Shumë tregues demografikë, si numri i popullsisë, ritmet e rritjes së saj, struktura nga pikëpamja e moshës e shpërndarjes territoriale dhe një seri treguesish të tjerë, kanë rëndësi jo vetëm për fuqinë politike dhe ushtarake të çdo vendi, por dhe për sigurimin e ritmeve të nevojshme të rritjes ekonomike të tij, ritmin e rritjes së prodhimit e të konsumit, për mundësitë e kursimit e të investimeve që garantojnë shtimin e punësimit, për ecurinë e të ardhurave e të shpenzimeve të buxhetit dhe mundësitë e përballimit të nevojave të popullsisë në fushën e kujdesit shëndetësor, të pensionimit dhe të mirëqenies në përgjithësi. Proceset demografike të botës, të rajoneve e të vendeve të veçanta kanë qenë gjithmonë kaq të rëndësishme për njerëzimin, saqë studimi i tyre është lidhur ngushtë me vetë mbijetesën e njerëzimit. Është kjo arsyeja që sot, në këtë kuadër, pse jo dhe më gjerë, veç rrezikut dhe pasojave që po përjeton ekonomia globale nga kriza e borxheve sovrane dhe evazioni fiskal, po konsiderohet më mirë, një rrezik i ri financiar që po kërcënon stabilitetin financiar në botë. Dhe ky është…

NENVLERËSIMI I SHTIMIT TË JETËGJATËSISË DHE RREZIKU FINANCIAR I TIJ – KRIZA E PENSIONEVE

Të dhënat e bëra publike ditët e fundit, nga studimi mbi stabilitetin financiar në botë, i kryer nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe nga disa qendra studimore evropiane (qendra e studimeve për kontratat e përgjithshme të pensioneve, të Universitetit Freiburg),   nxjerrin në pah se rritja e jetëgjatësisë është nënvlerësuar vazhdimisht në projeksionet demografike dhe se …. rreziku financiar që përfaqëson shtimi i jetëgjatësisë është i nënvlerësuar dhe ndoshta do të peshojë rëndë mbi llogaritë publike të vendeve të zhvilluara…. Dhe kjo është e lidhur drejtpërsëdrejti me atë që tashmë po fillon të njihet me emrin kriza e pensioneve. Hipotezat e bëra zakonisht për vlerësimin e angazhimeve të pensioneve mund të mos marrin në konsideratë në mënyrë të përshtatshme zhvillimin e ardhshëm të jetëgjatësisë, shkruhet në raportin e fundit të FMN-së. Ndërsa përpjekjet e vendeve të eurozonës për të përballuar krizën e borxheve dhe për të zbatuar Platformën europiane kundër varfërisë dhe papunësisë, po shumëfishohen, kërcënimi i krizës së pensioneve ka trokitur dhe po bëhet shqetësues jo vetëm në vendet e Europës, por edhe në vendet në tranzicion dhe të rajonit tonë. Pra, një problem europian më i madh se kriza e borxheve po del në sipërfaqe dhe po kërcënon dukshëm dhe fort eurozonën. Ky është problemi që lidhet me fondet shtetërore të pensioneve. Të dhënat tregojnë se në 19 vende të BE-së, detyrimi rezulton mbi 39 trilionë euro. Sipas llogaritjeve, kërcënimi nga kriza e pensioneve është gati pesë herë më i madh se ai i krizës së borxheve.

Kështu, vetëm për Gjermaninë, kjo shumë llogaritet rreth 7,6 trilionë euro dhe për Francën 6,7 trilionë, apo rreth 47% e totalit të detyrimeve të eurozonës. Lindjet e qëndrueshme apo në rënie, por edhe rritja e jetëgjatësisë, shtojnë presionet duke rënduar kuadrin, ku përqindja e prodhimit të destinuar për pensionet e vendosura duhet të arrijë në 14% në vitin 2060. Me plakjen e popullsisë, analistët mendojnë se rritja e moshës së daljes në pension dhe përfitimet e ulëta duhet të jenë pjesë e çdo pakete për ta mbajtur eurozonën të bashkuar. Europa ka përqindjen më të lartë të personave me moshën më të madhe mbi të 60-at, nga të gjitha vendet e tjera të botës, dhe sipas raportit të OKB-së, përqindja do të rritet në rreth 35% brenda vitit 2050, nga 22% që ishte në 2009-n. Edhe sipas një studimi të OECD-së, numri i personave mbi 65 vjeç në 34 vende anëtare, parashikohet të shkojë në 350 milionë në 2050-n, nga 85 milionë në vitin 1970. Rritja e jetëgjatësisë në Europë po shtohet me një ritëm me pesë orë në ditë, thonë studimet. Qeveritë dhe kompanitë europiane kanë ndërmarrë masa për zvogëlim të shpenzimeve me hartuesit e politikave, duke rritur moshën e daljes në pension, kryesisht vendet si Franca, Gjermania, Greqia, Italia dhe Britania e Madhe.

Qeveritë dhe drejtuesit e pensioneve mbështetën në rritjen ekonomike për të mbrojtur premtimet e bëra. Por, nëse ekonomia në eurozonë rritet shumë ngadalë për të shtuar arkat publike dhe private, planet e daljes në pension mund të bëhen të papërballueshme. Fondet private të pensioneve janë nën presion edhe nga normat bazë të referimit të euros, të cilat janë në nivelet më të ulëta që nga dalja e euros. Norma të ulëta të interesit do të thotë se planet për pensionet duhet të gjejnë më shumë burime për të arritur projektet e tyre të pagave në periudha afatgjata.

RREZIKU NGA KRIZA E PENSIONEVE NE SHQIPËRI

Edhe ekonomia shqiptare, tashmë e ndodhur nën ndikimin dhe presionin e krizës globale dhe veçanërisht të eurozonës, është nën kërcënimin e trefishtë jo vetëm të krizës së borxheve dhe të evazionit fiskal, por edhe të krizës së pensioneve (buxheti i sigurimeve shoqërore). Sinjalet e qarta të fillimit të shfaqjes së një krize të tillë edhe në Shqipëri tashmë janë të dukshme. Të dhënat e moshimit (jetëgjatësisë) të popullsisë së vendit tonë provojnë se janë shumë të pritshme në dukje implikimet negative që mund të vijnë në vitet e ardhshme në stabilitetin financiar të vendit, nëse ky fenomen nuk konsiderohet me vëmendje që tani. Të dhënat për uljen e koeficientit të lindjeve dhe rritjen e jetës mesatare nga viti 1955 deri në vitin 2009, dëshmojnë se pesha specifike e popullsisë së moshës 0-14 vjeç është ulur nga 38,8% në 23,4% ose {-39,7%} dhe, nga ana tjetër, është rritur pesha specifike e popullsisë të grupmoshave 65 vjeç e lart nga 6,1% në 9,4% ose {+ 54%}. Gjithashtu, në qoftë se në vitin 1955  raporti midis numrit të grupit të popullsisë (0-5 vjeç) dhe grupit të popullsisë së moshuar (65 vjeç e lart) ka qenë: 1,26 në vitin 2009, ky raport është ulur në 0,80. Kjo përbën një karakteristikë të moshimit të popullsisë në përgjithësi dhe studiuesit e konsiderojnë si një sfidë për shoqërinë njerëzore në përgjithësi,Ne ketë sfide tani po përfshihet edhe Shqipëria.. Natyrisht, duke analizuar me kujdes procesin e moshimit (jetëgjatësisë në shtim të popullsisë) në vendin tonë, megjithëse ende kjo dukuri nuk është në kufirin kritik të saj, ritmet e përshpejtimit në vitet e fundit paralajmërojnë për një kërcënim shqetësues, në rritje të shpejtë. Përkeqësimi i treguesit të strukturës së popullsisë së Shqipërisë, nga pikëpamja e moshës, është rezultat i ndikimit të disa faktorëve që lidhen jo vetëm me dukuri