Demografia është degë e statistikës që studion shpërndarjen gjeografike, përbërjen ose shtimin e popullsisë ose të grupeve të veçanta shoqërore, studimi statistikor i përbërjes së popullsisë dhe ndryshimeve në gjirin e saj.


Ndërsa urbanistika është teoria dhe praktika e ndërtimit të qyteteve sipas një plani të caktuar me synime të afërta e të largëta, sistemi i ndërtimit dhe i rregullimit të një qyteti.


Kurse komuniteti është ekzistenca e përbashkët e grupeve të ndryshme shoqërore ose të jetuarit në një bashkësi shoqërore ose grup njerëzish të bashkuar nga prejardhja nga veçori kombëtare dhe lokale.


Grupet e interesit janë grupe shoqërore që kanë interesa të përbashkëta në një fushë të caktuar në planin ekonomik politik e shoqëror ose tërësia e grupeve të njerëzve të organizuar përkohësisht së bashku, që kanë qëllime të njëjta ose që kryejnë të njëjtën punë.


Të gjithë termat kanë të bëjnë më shoqërinë, ekonominë dhe politikën e që ndikojnë fuqishëm në zhvillimin e një qyteti ose shteti.


Në të gjithë botën e zhvilluar këta terma dhe këto fenomene kanë luajtur një rol të madh në zhvillim.


Ato janë elementet bazë, të cilët lozin një rol shumë të rëndësishëm për zhvillimin.


Nëse këto terma merren në konsideratë nga politika dhe “lidershipi”, ato sigurojnë një zhvillim të pranueshëm për të gjithë dhe përfituesi më i madh është komuniteti.


Duke ndjekur me vëmendje statistikat demografike dhe duke iu referuar zhvillimeve demografike e komunitare, që tek ne lënë për të dëshiruar, grupet e interesit tek ne kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë një rol përcaktues në zhvillim në këto vite, shpesh duke mos përfillur as komunitetin e as vetë shtetin.


Kjo ka bërë që shpesh të mos merret në konsideratë nocioni komunitet ose të anashkalohet.


Pa një komunitet të zhvilluar që merr pjesë, kontribuon, konteston, gjithmonë do të krijohen probleme shoqërore, ekonomike, urbane dhe mbi të gjitha, grupet e caktuara të interesit do të marrin një rol të rëndësishëm dhe diskriminues për komunitete të caktuara vetëm për të realizuar projektet dhe qëllimet e tyre për përfitime dhe shpesh edhe larje parash.


Duke punuar për studime demografike së bashku me një demograf të huaj, dolëm në konkluzionin se zhvillimi i vërtetë do të vijë mbas 20 ose 30 vitesh, pasi ai dilte me konkluzione se zhvillimi tek ne ka një amplitudë të ulët krahas elementeve të tjera.


Gjithashtu edhe zhvillimet kulturore lozin një rol vendimtar në zhvillim.


Ruajtja e traditës dhe vënia e saj në eficencë, siguron një të ardhme më të mirë ekonomike, shoqërore dhe politike.


Zhvillimi i turizmit: atij kulturor, patriotik, seksual, malor, lumor, fetar, ekstravagant, është elementi bazë për zhvillimin e ekonomive në të gjithë rajonin tonë e që në bazë duhet të ketë ruajtjen e kulturës tradicionale, që është pjesë e rëndësishme e qytetit dhe shtetit.


E fillova këtë artikull me këtë titull, pasi të gjitha këto nocione janë pjesë e rëndësishme e zhvillimit të një qyteti, shteti, fshati, lagjeje e më tej.


Pa marrë në konsideratë zhvillimet demografike, urbane, sociale, ekonomike, zhvillimi normal dhe intensiv nuk mund të kryhet.


Pastaj pjesë shumë e rëndësishme e këtyre koncepteve janë grupet e interesit dhe komuniteti.


Si ia doli Edi Rama të jetë dhe për një periudhë kohe në krye të bashkisë së kryeqytetit?


Edi Rama, krahas elementëve të tjerë, siç janë politikë, emocionalë, mentalitet, ka shfrytëzuar nevojat e komunitetit për banim, por jo të gjithë komunitetit dhe mbi të gjitha grupet e interesit të cilët kanë dashur të investojnë me çdo çmim.


Duke vlerësuar nevojat për banim dhe duke u mbështetur shumë në grupet e interesit që kanë pasur fitime kolosale, ai i bindi qytetarët e Tiranës të votojnë për të.


Por në të njëjtën kohë ky zhvillim shpesh është kontestuar nga shoqëria civile dhe individë të caktuar, bile nga të huajt që kanë vizituar Tiranën.


Individë të zhvillimit dhe urbanistë dhe arkitektë nga SHBA-ja nuk ishin dakord për mënyrën si është zhvilluar Tirana, por E. Rama ia ka dalë, se ka shfrytëzuar grupe të tjera interesi për ndërtim nga Evropa dhe ka shfrytëzuar nevojën e komunitetit për një shtëpi.


Shtëpia në Tiranë ka qenë dhe vazhdon të jetë për 50 vjet një ëndërr.


E. Rama doli “fitues”, bile legjitim, pasi kuptoi nevojat e individëve, qytetarëve të Tiranës për një shtëpi dhe shfrytëzoi po shkëlqyer tendencën e grupeve të interesit të huaja dhe vendase për investime, sidomos në ndërtim, pasi është një fushë që jep para!


“Nevoja, - thoshte Frojdi, - i bën të gjitha” dhe natyrisht edhe nevoja e grupeve të interesit për investime dhe komunitetit për banim, na kanë dhënë këtë Tiranë, që është fytyra dhe dëshira e një pjese të konsiderueshme të komunitetit të kryeqytetit dhe e grupeve të interesit për të rritur fitimet dhe pasuritë.


Por unë mendoj se një pjesë po e konsiderueshme e komunitetit të kryeqytetit dhe natyrisht po një pjesë e konsiderueshme e grupeve të interesit që nuk përfituan, u bënë kundër Ramës.


Sido që të jetë, Tirana mund të ishte zhvilluar ndryshe, por ky ishte fati i saj.


Në realitet Tirana po zhvillohet dhe nëse merren nisma për vlerësimin seriozisht të komunitetit i cili nuk ka nevojë për shtëpi dhe e grupeve të interesit që duan të fitojnë më pak dhe mendojnë më shumë për të ardhmen se për fitime të momentit, ajo çfarë ka ngelur e pashfrytëzuar, mund të menaxhohet më mirë.


Prandaj faza e dytë e studimit të pjesëve të ngelura dhe e periferive duhet të jetë e projektuar më mirë, tashmë në favor të të gjithëve.


Në fakt, Bashkia e Tiranës paraqiti një studim që zgjati 6 vite e që mendoj do të balancojë interesat e ndërtuesve të huaj dhe vendas me qytetin dhe komunitetin.


Zhvillimi ka në bazën e tij proceset demografike, urbanistike, ku pjesë e tyre janë edhe komuniteti, edhe grupet e interesit.


Arsyeja që po e shkruaj këtë artikull, është se një grup nga komuniteti “Bordi i komunikimit” kontestonin para disa ditësh Bashkinë e Shkodrës për nivel të ulët në punët publike dhe në implementimin e planit të qendrës së qytetit.


Në fakt, nisma duhet përshëndetur, pasi krijon debat dhe ndikon në të mirë të zhvillimit tashmë të periferisë.


Por ajo që është paradoksale dhe të bën të “qeshësh”, ishte se këtë studim e kontestonte pikërisht arkitekti që e ka bërë studimin e qendrës.


Në pamjen e parë pretendimet dukeshin logjike, por si ka mundësi që një person që e ka bërë vetë studimin e qendrës e konteston atë tashmë në rolin e “supervizorit” dhe “analistit”?!


A nuk i ka marrë parasysh projektuesi se realizimi i projekteve të ndryshme ka edhe firo, siç ka ndodhur p.sh. edhe në Bashkinë e Tiranës që është kontestuar shpesh?!


Nuk kam ndërmend as të mbroj bashkinë, se ka boll administratë që paguhet për këto gjëra, por një diçka më bën përshtypje, se si ka mundësi të arrihet deri në këtë pikë, duke kontestuar atë që ke projektuar vetë, bile projekti i pjesshëm i tij e ka deformuar qendrën kulturore të Shkodrës, siç është “rasti” flagrant i përdhunimit të radio “Shkodrës”.


Paradoksale ishin edhe pretendimet e arkitektit, Artan Shkrelit, që është i pari që ka “shëmtuar” qendrën e Shkodrës, duke vendosur bashkë tradicionalen me të qelqtën, që arkitektët amerikanë e kontestonin për këtë mënyrë kombinimi e cila vetëm estetike, arkitekturore nuk është, as tradicionale, por zhvilluese.


Prandaj e përsëris edhe një herë, që ky ndërtim plotësoi interesat e grupeve të interesit duke eliminuar traditën.


Edhe ky quhet zhvillim, por i një forme jologjike e kulturore e tradicionale.


Megjithatë, z. Shkreli ka bërë edhe punë të mira për të cilat është paguar dhe natyrisht duhet përgëzuar për këto punë.


Edhe në Shkodër situata është zhvilluar pak a shumë si në Tiranë. Edhe në Shkodër në këtë zhvillim një rol dhe forcë të madhe kanë pasur grupet e interesit dhe politika, të cilat mendoj se e kanë “shkatërruar” qendrën kulturore të qytetit, të vetmin studim për zhvillim e ndërtim deri tashti.


Prandaj në Shkodër dhe në Tiranë dhe kudo në qytetet tona, komuniteti duhet të ketë një rol më efikas, pasi do të ndikojë në të ardhmen e qytetit të tyre, në shfrytëzimin e hapësirave urbane të tyre dhe duhet të jetë garant në ruajtjen e atyre hapësirave urbane të cilat duhet të kenë një rol në zhvillimin dhe jetën e një komuniteti.


Një rast interesant është momenti kur komuniteti i Elbasanit ia doli të mos e shkatërronte qendrën muzeale, kalanë, duke penguar grupet e interesit të mos merrnin rol primar.


Vendimi i fundit për këto probleme i qeverisë shqiptare duhet përshëndetur, pasi tenton ta kontrollojë tashti e mbrapa zhvillimin, duke liberalizuar lejet e ndërtimit, duke e supervizuar zhvillimin në qytetet tona, të cilat vazhdojnë të kenë probleme në këtë plan dhe përsëri me grupet e interesit për qëllimet e tyre të fitimit, duke ndërhyrë pa të drejtë në hapësirat urbane të gjithsecilit.


Katër bashki firmosën kontrata për planet rregulluese. Ky projekt parashikon një zhvillim urban të planifikuar dhe të kontrolluar.


Natyrisht që demografia, urbanistika, komuniteti dhe grupet e interesit do të përfitojnë dhe mbi të gjitha, këtë herë duhet të përfitojë komuniteti.


Me të vërtetë, një komunitet ka nevojë për banim dhe strehim, por nuk duhen harruar hapësirat urbane të cilat janë pjesë vitale e jetës sonë.


Institucionet kulturore dhe hapësirat e gjelbra duhet të kenë një vend të rëndësishëm në të ardhmen.


Njëkohësisht pjesëmarrja e komunitetit në diskutimin e zhvillimeve urbane në qytetet tona duhet të jetë më e madhe.


Një rol të rëndësishëm ka edhe shoqëria civile.


Në të gjithë këtë proces zhvillimi, i cili nuk mund të ndalet, por duhet të kontrollohet, duhen pasur parasysh statistikat e ndryshimit të popullsisë, demografia, arkitektura, urbanistika, e cila vë në epiqendër tashmë komunitetin dhe shfrytëzimin logjik të hapësirave urbane dhe zonave të banuara, arkitekturën dhe kulturën, të gjejë vendin e grupeve të interesit, që të mos vendosin ato për atë çfarë ka ngelur dhe të vlerësojë e të ndërgjegjësojë komunitetin, i cili është edhe pjesa më e rëndësishme që do të jetojë, studiojë, kalojë kohën e lirë, do zhvillohet nga ana kulturore dhe ekonomike.