FIER - Deputetët demokratë dhe ai i LSI-së në qarkun e Fierit do të dhurojnë gjysmën e rrogës së parë të tyre si deputetë për familjen Geci në Levan. Deputetja e PD-së, Mesila Doda, ka vizituar dje familjen, e cila jeton në kushte tejet të vështira ekonomike prej më shumë se 10 vitesh. Familja Geci përbëhet nga 7 anëtarë, ku pas vetëvrasjes së nënës, babai shfaqi probleme mendore, ndërsa një fëmijë është i verbër. Ndihma ekonomike që do t'i shkojë familjes, sipas Dodës, do të jetë kolektive, pasi ajo së bashku me kolegët e tjerë, deputetët e kësaj force politike që janë të zgjedhurit e Qarkut Fier, kanë vendosur të japin kontributin e tyre në të holla për familjen Geci. Kështu, sipas Dodës, të 6 deputetët e PD-së do të japin gjysmën e rrogës së parë të deputetit, ndërsa kësaj nisme do t'i bashkohet edhe deputeti i LSI, Dritan Prifti. "Duam të japim kontributin tonë sa të mundemi që kjo familje të ndiejë më tepër ngrohtësi dhe siguri për të jetuar. Kemi biseduar dhe kjo do të jetë ndihma jonë e parë, ndërsa edhe nga Enti i Banesave familjes do t'i sigurohet një banesë për t'u strehuar". Gjatë vizitës së saj, Doda shoqërohej nga pushtetarët vendorë dhe kandidatja për deputete në zgjedhjet e 28 qershorit, Suzana Numani. Varfëria ekstreme e familjes Geci u bë e njohur nga media, çka ndikoi dhe në tërheqjen e vëmendjes së pushtetarëve dhe përkushtimin e tyre konkret për ta ndihmuar atë.            m.r