PD dominon rezultatin e zgjedhjeve, kur janë numëruar më shumë se gjysma e kutive të votimit. Kryeministri Sali Berisha shprehu bindjen se koalicioni i tij do të ketë 72 mandate në parlamentin e ri


Partia Demokratike dominon rezultatin e zgjedhjeve në rang kombëtar, duke siguruar 72 mandate në Kuvendin e Shqipërisë. Në bazë të rezultateve paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nga numri i më shumë se 2500 qendrave të votimit ndër 4753 të tilla në të gjithë vendin, rezulton se Partia Demokratike dhe koalicioni “Aleanca për Ndryshim”, ka siguruar më shumë se 72 vende në parlamentin e ardhshëm me 140 deputetë, kundrejt 65 të Partisë Socialiste dhe “Bashkimit për Ndryshim”. Partia Demokratike dhe koalicioni i udhëhequr prej saj “Aleanca për Ndryshim”, fitojnë bindshëm në qarkun e Shkodrës, Lezhës, Kukësit, Durrësit, Dibrës, Tiranës, ndërsa me rezultate thuajse të barabarta në qarqet si Elbasan, Korçë, Fier dhe me disavantazhe të ngushta në qarkun e Beratit, Vlorës dhe Gjirokastrës. Ndërkohë që PD udhëheq bindshëm në zonat rreth qarkut të Tiranës me më shumë se 3000 vota. Vetëm në bashkinë Kamëz në kryeqytet Partia Demokratike u shpall fituese me një diferencë të ndjeshme, prej 3600 votash.  Në rang kombëtar, koalicioni i udhëhequr nga Partia Demokratike, grumbullon shumicën e mandateve për kuvendin e ri, duke shkuar në total në 70 deputetë, 1 deputet PR dhe po 1 deputet PDI, kundrejt 64 mandateve të Partisë Socialiste dhe 3 deputetë që arrin të marrë Lëvizja Socialiste për Integrim, bashkë me koalicionin e tij. Partia Demokratike, është e favorizuar në 4 qarqe si në Tiranë, Elbasan, Korçë, Fier dhe Lezhë, që të përmirësojë rezultatet e saj dhe kësisoj të marrë mandatet e duhura, për të bërë të mundur formimin e qeverisë së re.   Në qarkun e Tiranës, Partia Demokratike dhe “Aleanca për Ndryshim”, udhëheqin me afro 48 për qind të votave, kundrejt 44.8 për qind të Partisë Socialiste dhe koalicionit “Bashkimi për Ndryshim”. Edhe si subjekt, Partia Demokratike udhëheq me 2 pikë diferencë kundrejt Partisë Socialiste, përkatësisht, 44 për qind dhe 42 për qind.  Në qarkun Shkodër, Partia Demokratike dhe “Aleanca për Ndryshim”, avancojnë me 55.7 për qind të votave, kundrejt 37. 7 për qind të Partisë Socialiste dhe koalicionit “Bashkimi për Ndryshim”. Në qarkun Lezhë, PD dhe “Aleanca për Ndryshim” fitojnë me 55.3 për qind të votave, kundrejt 33.8 për qind të PS dhe “Bashkimit për Ndryshim”. Në qarkun Dibër, PD dhe “Aleanca për Ndryshim”, fitojnë me 58.58 për qind të votave, ndërsa PS dhe “Bashkimi për Ndryshim” marrin 33.8 për qind të votave. Në qarkun Kukës, PD dhe “Aleanca për Ndryshim”, arrijnë të grumbullojnë 56.6 për qind të votave, kundrejt 30.2 për qind të PS dhe “Bashkimi për Ndryshim”.  Në qarkun e Durrësit, PD dhe Aleanca për Ndryshim, fitojnë me 52.16 për qind të votave, ndërsa PS dhe “Bashkimi për Ndryshim” marrin 38.5 për qind. Në qarkun Elbasan, rezultati është i ekuilibruar si nga rezultatet e votave ashtu edhe ndarja e mandateve. PD dhe “Aleanca për Ndryshim” me 46 për qind të votave, PS dhe “Bashkimi për Ndryshim”, 48 për qind të votave, në qarkun e Elbasanit. Ndarja e mandateve kalkulohet në mënyrë të barabartë për të dy forcat e mëdha politike, 7 me 7.   Në qarkun Korçë, gjithashtu rezultati është i barabartë, me përqindje votash të dy koalicionet “Aleanca për Ndryshim” dhe “Bashkimi për Ndryshim”, përkatësisht 43 për qind dhe 43.3 për qind, ndërsa në mandate deputetësh ndarja është në mënyrë po të barabartë, 6 me 6. Epërsi e lehtë e koalicioni të Partisë Socialiste vihet re në qarkun Fier, por që rezultatet ndryshonin moment pas momenti. PS dhe koalicioni “Aleanca për Ndryshim”, marrin 52 për qind të votave, kundrejt 40 për qind të Partisë Demokratike dhe “Aleanca për Ndryshim”. Në mandate deputetësh PS merr 8 deputetë, PD 7 deputetë dhe 1 deputet i shkon LSI-së. Në qarkun Vlorë, PD dhe “Aleanca për Ndryshim” shkojnë në shifrat e 40 për qind të votave, ndërsa PS dhe “Aleanca për Ndryshim” qëndrojnë në kufijtë e 50 për qind të votave.  Në qarkun Berat, PD dhe koalicioni “Aleanca për Ndryshim”, marrin më shumë se 40 për qind të votave, ndërkohë që PS dhe “Bashkimi për Ndryshim” në kufijtë 45-50 për qind të votave. Qarku Gjirokastër, Partia Demokratike dhe koalicioni “Aleanca për Ndryshim”, marrin 45 për qind të votave, ndërsa PS dhe “Bashkimi për Ndryshim”, në epërsi të lehtë me vetëm 5 pikë.


Mandatet


PD,         70 deputetë


PS,         64 deputetë


LSI,           3 deputetë


PDI,           1 deputet


PBDNJ,       1 deputet


PR,           1 deputet


Koalicionet Aleanca e Ndryshimit,  72 vende në parlament


Bashkimi për Ndryshim, 65 vende në parlament


Aleanca Socialiste për Integrim,   3 vende në parlament

...