Ministri i Drejtësisë,

Nishani, urdhëron Zyrën e Gjendjes Gjyqësore të nisë krijimin e regjistrit për të dënuarit jashtë Shqipërisë





TIRANË- Të gjithë shtetasit shqiptarë që janë dënuar nga autoritete gjyqësore jashtë territorit të Shqipërisë, edhe pse vendimet e tyre nuk janë njohur në Shqipëri, në dëshminë e penalitetit në gjendjen e tyre gjyqësore do të shënohet "I dënuar".





Ky është udhëzimi i fundit i ministrit të Drejtësisë, që tashmë është botuar në Fletoren Zyrtare me nr.55 të 10 majit 2010. Sipas këtij udhëzimi me nr. 3922 "Për mënyrën dhe procedurën e regjistrimeve të dënimeve të dhëna shqiptarëve nga autoritetet gjyqësore te huaja", është urdhëruar zyra e gjendjes gjyqësore të krijojë një regjistër të posaçëm për regjistrimin e vendimeve penale të autoriteteve të huaja për shqiptarët.





"Regjistri i posaçëm përfshin regjistrin shkresor dhe elektronik, të cilët krijohen sipas modelit të regjistrit shkresor dhe elektronik të gjendjes gjyqësore të administruara nga Zyra e Gjendjes Gjyqësore në përputhje me ligjin "Për certifikatat elektronike të gjendjes gjyqësore"-thuhet në udhëzimin e ministrit Bujar Nishani.





Sipas këtij regjistri, tashmë krahas regjistrimit të gjendjes gjyqësore të dënimeve penale për shtetasit shqiptarë të dënuar brenda territorit shqiptar, në dëshminë e penalitetit do të regjistrohet edhe dënimi penal i dhënë nga autoritetet e huaja.





Ky regjistrim, do të kryhet mbi bazën e të dhënave të siguruara nga Drejtoria e Marrëdhënieve Juridiksionale me jashtë që ndodhet në Ministrinë e Drejtësisë, e cila do të njoftojë Zyrën e gjendjes gjyqësore për çdo dënim të dhënë ndaj shtetasve shqiptarë nga autoritetet e huaja.





Gjithashtu, saktësohen edhe institucionet të cilat do të kenë akses në këtë regjistër, si Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, Interpoli, Ministria e Brendshme, e Drejtësisë dhe e Mbrojtjes, Prokuroria e Përgjithshme dhe Shërbimet Informative të Shtetit dhe Ushtrisë.





Në këtë regjistër, do të hidhen të gjitha detajet e gjeneralitetit, masën e dënimit, akuzën e dënimit, numrin e vendimit, vendin ku është dhënë kjo masë dënimi, njohjen ose jo të këtij vendimi, etj etj.