Kategoritë që përfitojnë nga marrëveshja midis Postës dhe Drejtorisë së Burgjeve. Botohet i plotë udhëzimi për aplikimin e marrjes së certifikatës së gjendjes gjyqësore
Jonida Tashi

Dëshmia e penalitetit, ose certifikata e gjendjes gjyqësore, tashmë mund të tërhiqet edhe në sportelet e Postës Shqiptare. Së fundi Posta Shqiptare ka lidhur një marrëveshje me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve në lidhje me shpërndarjen e certifikatës së gjendjes gjyqësore në sportelet e Postës Shqiptare. Kjo marrëveshje u vjen në ndihmë të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe rrjedhimisht klientëve të Postës Shqiptare. Me anë të kësaj marrëveshjeje, çdo qytetar që dëshiron të marrë një certifikatë të gjendjes gjyqësore (dëshmi penaliteti) mjafton t’i drejtohet sportelit të Postes Shqiptare ku do të plotësojë një formular dhe në një stad të dytë do të mund të tërheqë dëshminë e tij të penalitetit në sportel ose mund t’i dërgohet në shtëpi. Sipas Postës Shqiptare, ky shërbim i ri i Postës është shumë i vlefshëm për të gjithë qytetarët, pasi asnjë nuk ka pse të presë në radhë të gjata apo të harxhojë kohë dhe para për një certifikatë të gjendjes gjyqësore në një kohë kur Posta mund ta dorëzojë qytetarit në shtëpi.
Marrëveshja
Sipas marrëveshjes së bashkëpunimit midis Postës Shqiptare sh.a dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, prej datës 18 shkurt të këtij viti shërbimi i marrjes dhe dorëzimit të certifikatës së gjendjes gjyqësore (dëshmive të penalitetit) realizohet tërësisht dhe vetëm nëpërmjet Postës Shqiptare sh.a. Posta ka bërë të ditur se për realizimin e këtij shërbimi janë dërguar, përveç marrëveshjes së bashkëpunimit, dhe udhëzimet përkatëse për kryerjen e shërbimit. Ndërkohë, Posta, për të rritur cilësinë e shërbimit, si dhe për t’iu përgjigjur sa më mirë dhe në kohë klientëve, ka bërë publike disa sqarime, që do t’u vijnë në ndihmë për qartësimin e mënyrës së kryerjes së shërbimit dhe përcjelljen e informacionit te klientët.

Box
Kategoritë përfituese
Nëpërmjet Postës Shqiptare do të merren certifikatat e gjendjes gjyqësore vetëm për kategoritë e mëposhtme:
Vërtetim për dënim (jo politik)
Vërtetim për ambasadë
Vërtetim për jashtë shtetit

Udhëzimet për kryerjen e shërbimit
Çdo aplikim detyrimisht duhet të shoqërohet, përveç certifikatës apo letërnjoftimit personal, edhe me formularin përkatës, i cili duhet të plotësohet sipas çdo rubrike dhe me germa kapitale

Plotësimi i plotë, i saktë dhe i qartë i formularit është kusht i domosdoshëm për marrjen e dëshmisë së gjendjes gjyqësore

Në rubrikën Institucioni, për të cilin kërkohet certifikatë e gjendjes gjyqësore, për të tria rastet do të shënohet emri i institucionit, për shembull: Në rast se klienti kërkon vërtetim për dënim, në këtë rubrikë do të shënohet institucioni ku do ta dërgojë apo përdorë këtë vërtetim si (Gjykatë, Prokurori, Presidencë etj.), ose për ambasadat e kujt shteti. Po kështu dhe për rastin e jashtë shtetit, emrin e shtetit

Për të gjitha rastet e tjera të kërkuara nga klientët për të paraqitur vërtetimin gjyqësor në një institucion për t’u punësuar, qoftë publik ose privat, apo për të nxjerrë licenca etj., në bazë të Ligjit Nr. 9614 dt. 21.09.2006, çdo person do të plotësojë një ”formular të vetëdeklarimit” i miratuar nga Ministria e Drejtësisë dhe nga Këshilli i Ministrave, me të cilin duhet të jenë të pajisur të gjitha institucionet publike apo private, shqiptarë ose të huaj

Përveç tre kategorive të përmendura, të gjitha rastet e tjera që mund të paraqiten në sportelet e zyrave postare, qytetarët do të drejtohen në institucionin në të cilin duhet të paraqesin vërtetimin e gjendjes gjyqësore (dëshminë e penalitetit), për të plotësuar formularin e vetëdeklarimit. Më pas ky institucion i drejtohet Zyrës së Gjendjes Gjyqësore për të vërtetuar deklarimin e personit

Në rast se do të paraqiten persona të huaj, jo shtetas shqiptarë, me banim në Shqipëri, por me certifikatë apo fotokopje pasaporte të huaj, kërkesat për të marrë vërtetim të gjendjes gjyqësore nëpërmjet Postës Shqiptare do të pranohen, por do të cilësohet nga ata institucioni ku do ta përdorë këtë vërtetim gjyqësor dhe certifikata do të jetë origjinale (jo fotokopje), kjo vetëm për të shtetasit e huaj


Për shtetasit shqiptarë lejohet edhe fotokopja e certifikatës

Në rastet kur klientët kërkojnë dëshmi të gjendjes gjyqësore me dy mbiemra (para dhe pasmartesorë), duhet detyrimisht që të dy mbiemrat të jenë të shënuar në certifikatë dhe në formularin e aplikimit

Gjithashtu, për çdo aplikim për vërtetim gjyqësor adresa e marrësit do të jetë Zyra e Gjendjes Gjyqësore Tiranë

27 Shkurt 2008