16/11/2009  Nënkryetarja: Ka shumë probleme që presin të trajtohen, spo marrin zgjidhje


Lista e avokatëve problematikë duket se asnjëherë nuk do të shqyrtohet


TIRANË- Dhoma e Avokatisë së Tiranës duket se ekziston vetëm si emër dhe duke pasur në brendësi të saj një organik të krijuar vite më parë. Burime pranë kësaj dhome bëjnë të ditur se që prej qershorit të këtij viti, konkretisht para zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë, dhoma nuk ka bëra asnjë mbledhje dhe nuk është diskutuar për asnjë problem të ngritur nga aktorë të ndryshëm brenda drejtësisë. Faktin e mosmbledhjes së kryesisë së kësaj dhome e deklaron nënkryetarja dhe njëkohësisht anëtare e Dhomës Avokatisë Tiranë, Kjolda Dashi. Kjo e fundit shprehet se në vetvete dhoma ka shumë probleme që duhen diskutuar, por fatkeqësisht ato nuk po marrin zgjidhje. Nga ana tjetër janë gjykatat ato kryesisht të Krimeve të Rënda dhe ajo e Tiranës që herë pas here i drejtohen kësaj dhome dhe asaj kombëtares për mospjesmarrjen e avokatëve në seancat gjyqësore. Nga ana e Gjykatës së Krimeve të Rënda janë nisur drejt Ministrisë së Drejtësisë dhe Dhomës së Avokatisë me dhjetëra shkresa, por me sa duket këto mbeten vetëm në letra. Duke qenë se që nga qershori kryesia nuk është mbledhur asnjëherë, duket qartë se edhe kërkesat kanë mbetur në protokoll. Avokatët vazhdojnë të mosrespektojnë në të shumtën e rasteve gjykatën për të qenë prezent në sallën e gjyqit, duke shkaktuar për pasojë zvarritjen e proceseve gjyqësore. Lista e avokatëve problematik ndodhet në ministri dhe në zyrat e Dhomës kombëtare të Avokatisë, por duket se asnjëherë nuk do të shqyrtohen. Disa muaj më parë disa prej avokatëve që nuk paraqiteshin në gjyq dhe nga ana tjetër nuk deklaronin ndonjë arsye, dhoma i ka dhënë vërejtje për heqje licence. Por avokat të ndryshëm shprehin mendimin se janë në profesion të lirë dhe në këto kushte sanksionet duhet të jenë të rezervuara ndaj tyre. Nga ana tjetër problemet e avokatisë duhet të rregullohen nëpërmjet një ligji për avokatinë, i cili duhet rifreskuar. Nga dita në ditë gjyqtarët shprehen në seanca gjyqësore se i janë drejtuar Dhomës së Avokatisë për të zgjidhur pjesëmarrjen e mbrojtjes në gjyq, por asnjëherë nuk kanë marrë përgjigje. Takimi i fundit që Dhoma e Avokatisë ka bërë me gjyqtarët ka qenë më shumë se një vit më parë.