Me Dhora Lekën dhe krijimtarinë e saj në fushën e muzikës, posaçërisht atë të këngës, ka ndodhur diçka e pangjashme në krejt historinë e muzikës botërore: këngët dhe meloditë e kompozuara prej saj këndoheshin tej e mbanë Shqipërisë e më gjerë, ndërsa autorja e tyre për gati 50 vjet, gjatë diktaturës komuniste nuk u përmend fare, thuajse nuk ekzistonte. Me sa duket, ky fat i trishtë i jetës së saj njerëzore, për fat të mirë nuk ndikoi në përhapjen dhe transmetimin e muzikës së saj në popull, muzikë, e cila në fakt mbart shpirtin e vërtetë të Dhora Lekës. Ndoshta për këtë arsye, ende sot, kjo muzikë patetike dhe patriotike, e krijuar prej idealizmit të saj dhe të rinisë shqiptare të atyre viteve, bash mu në zemër të popullit, rreth vatrës familjare dhe majave të maleve, mes shiut, borës e ngricave do të mbetet një rast i jashtëzakonshëm i trashëgimisë sonë shpirtërore në fushën e këngës, për rrethanat si u krijua dhe rolin e jashtëzakonshëm që luajti. Ende është e pashpjegueshme se si Dhora Leka, një partizane e re, pa përvojë muzikore shkollore dhe profesionale, në vitet 1940-1944 ia doli të krijojë përmes këngëve antifashiste, jo vetëm pjesën më të ndritur të krijimtarisë së saj muzikore, por njëkohësisht të ndikonte me peshën e kësaj krijimtarie në popull, duke ndezur dhe frymëzuar përsëri (ashtu si dikur këngët patriotike të Rilindjes Kombëtare), ndjenjat e një populli të tërë për liri, gjatë Luftës II Botërore. Në bisedat që kam pasur rastin të zhvilloj me "tetkën" (siç i thërrisnim zj. Dhora, unë dhe Arian Avrazi, djali i Gaqo Avrazit, dirigjentit të këngëve të saj gjatë luftës çlirimtare), ajo përsëri, megjithëse pas çlirimit të vendit, e deri sa u nda nga jeta, kishte pasur kohën e mjaftueshme, nuk kishte gjetur një shpjegim shterues, se si mbërriti t‘i krijojë ato superkëngë, ndërkohë që vetë kujtonte më së shumti, si diçka të jashtëzakonshme dhe shumë rrëqethëse, jo kohën dhe mënyrën se si i krijoi ato, por të kundërtën, jehonën dhe emocionin që këngët krijonin, kur mijëra trupa dhe zëra luftëtarësh e luftëtaresh, gati-gati i deklamonin ato, gjysmë të folura dhe gjysmë të kënduara, gjatë ditëve e netëve, në sulm mbi armikun apo mbi kurmin e shokëve të vrarë, deri në çlirimin e vendit. Nga ana tjetër, luftëtarët, një pjesë e madhe e tyre Dëshmorë të Atdheut, i çmonin dhe ende i vlerësojnë ato këngë, jo vetëm si muzikë, por si aleatet e tyre të vërteta, të cilat nuk i lanë asnjëherë ata në baltë. Kush vallë nga artistët krijues të çdo fushe arti do të dëshironte një fat më të mirë për krijimet e tyre artistike se sa ky? Këngët e saj, që në çastin që u krijuan, u bënë shumë shpejt zëdhënëse të frymës së rilindjes dhe aksionit popullor, ndaj pushtuesve fashistë e nazistë. Në këtë vështrim, muzika e Dhora Lekës është vazhdimi i natyrshëm i muzikës dhe këngëve patriotike shqiptare të Rilindjes Kombëtare dhe të pavarësisë, të cilat formësuan në muzikë jo vetëm reagimin popullor për liri dhe pavarësi, por kulmuan duke krijuar njërin prej simboleve tona kombëtare, Himnin Kombëtar, me njërin prej atyre krijimeve, pikërisht me këngën "Rreth flamurit të përbashkuar". Këngët e Dhora Lekës janë etapa e fundit e repertorit muzikor patriotik shqiptar ku përfshihen këngët për liri dhe pavarësi (1878-1912), ato të luftërave çlirimtare, si ato të Vlorës më 1920 dhe më së fundi këngët antifashiste 1939-1944. Ajo vetë besonte se ishte vetëm një përcjellëse në melodinë e asaj fryme popullore për liri, pasi këngët, në një lloj kuptimi, gati-gati u krijuan vetë, por ajo diti t‘i lindte ato siç duhej. Në këtë kuptim, këngët e Dhorës janë fëmijët e saj. Jeta e privoi që të kishte familje dhe fëmijë, por a nuk janë vlerat artistike që ajo muzikalisht krijoi edhe një arsye më shumë për të kuptuar dashurinë dhe vlerat që ajo mbarte? Krijimtaria e Dhora Lekës nuk kufizohet vetëm te këngët, pasi ajo, pas përfundimit të studimeve në konservatorin "Çajkovski" në Moskë, në mes të viteve 1950, u perfeksionua muzikalisht dhe u shumua në lloje. Njërën prej këtyre veprave, operën e saj të parë, patëm kënaqësinë që së bashku me stafin e TOB-it ta vinim në skenë në vitin 1999. Vepra të tjera muzikore, vokale dhe instrumentale ajo i shkroi gjatë jetës së saj. Por, asgjë nuk është e ngjashme me atë periudhë krijuese kur kompozitorja e parë e muzikës shqiptare nuk e dinte që arma e saj e vërtetë në luftën për çlirim nuk ishte pushka, por kënga. Për këtë arsye, Dhora Leka do të mbetet në muzikën e shekullit XX si kompozitorja më e njohur e këngëve patriotike, që me fuqinë e artit të saj do të pohonte vlerat që mbart lufta e drejtë e një populli për liri dhe dinjitet.