Policia e Tiranës krijon sektor të veçantë për mbrojtjen e të miturve dhe dhunën në familje. Dje, në ambientet e Pallatit të Kongreseve, u zhvillua analiza e veprimtarisë së punës së strukturave të policisë së kryeqytetit, ku bie në sy ndryshimi i strukturës. Ndërsa, për herë të parë, Policia e Tiranës do të ndërtojë një strategji vjetore për përfshirjen në të gjithë veprimtarinë e saj të filozofisë dhe praktikës së policimit në komunitet. "Ky prioritet do të synohet të arrihet kryesisht nëpërmjet: ndërgjegjësimit të specialistëve të policisë në zona, për të njohur sa më mirë problematikat në territoret që mbulojnë, si të vetmet autoritete që kanë detyrë të drejtpërdrejtë për vendosjen e urave lidhëse me publikun, ngritjes, aty ku nuk ka dhe vënies në eficensë aty ku janë ngritur, të "bordeve për parandalimin e krimit", në mënyrë që në përcaktimin e strategjive dhe objektivave tona t‘i referohemi asaj se çfarë publiku kërkon nga Policia", tha drejtuesi i Policisë së Tiranës, Muhamet Rrumbullaku.

Motoja e dhunës në familje

Sipas drejtorit të Policisë së Tiranës, nën moton: "Zgjidh një konflikt, të fitojmë një jetë", gjatë vitit që vjen orientimi i punës do të gjejë një shtrirje të gjerë edhe në drejtim të njohjes dhe zgjidhjes së konflikteve. Sipas tij, "sherret në familje" mund të zgjidhen nëpërmjet evidentimit dhe mbajtjes në kontroll të konflikteve, si një ndër burimet kryesore të krimit kundër personit, që jo në pak raste ka rezultuar fatal për jetën e palëve në konflikt; evidentimit dhe goditjes së krimit dhe dhunës në familje, si një ndër shfaqet më arkaike të shoqërisë sonë. "Në lidhje me këtë fenomen, do të kërkonim nga struktura që kanë iniciativë ligjvënëse të ndërmerrnin hapa konkretë në mbështetje të gruas, fëmijëve dhe individëve në pamundësi për t‘u mbrojtur. Struktura e posaçme për hetimin e dhunës në familje dhe krimet ndaj dhe/ose të kryera nga të miturit, do t‘i japë një impakt të ri këtij drejtimi të punës sonë", tha Rrumbullaku. Sipas tij, bashkëpunimi edhe me faktorë të tjerë brenda dhe jashtë organizatës policore, për marrjen e informacionit, trajtimit dhe rehabilitimit të viktimave do të plotësojë angazhimin tonë për shërimin e kësaj plage shoqërore.

Harta e krimit në Shqipëri

Drejtuesit e Policisë së Tiranës thanë se programi pilot i filluar gjatë vitit në vijim, për ndërtimin e hartave të gjeografisë së krimit, është në fazat përmbyllëse të tij, e ky objektiv tashmë thuajse është realizuar. "Aktualisht janë gjetur donatorët, hartuar programe dhe trajnuar personeli, i cili do të punojë me përpunimin e hartave të gjeografisë së krimit në qytetin e Tiranës, rezultatet e para të të cilave do t‘i kemi qysh në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2008. Rezultatet që do të marrim nga ky aplikim i ri, do të na shërbejë për të identifikuar pikat e nxehta dhe menaxhuar e administruar më mirë shërbimet policore të kontrollit të territorit dhe ato inteligjente", tha Mehmet Rrumbullaku gjatë analizës. Sipas tij, tashmë jemi plotësisht të përgatitur, që jo vetëm të jemi prezentë me shërbime policore në periferi, por të organizojmë punën me shërbime permanente dhe prezencë numerike në përpjesëtim të drejtë me problematikën. "Eksperienca e testuar tashmë, pas riorganizimit të shërbimeve të natës, ku situata dominohet totalisht nga shërbimet tona, na bind për suksesin e pritshëm", tha drejtori i Policisë së Tiranës.

Patrulla e Përgjithshme

Drejtori i Policisë së Tiranës tha se sfidë tjetër e jona është dhe mbetet ndryshimi i filozofisë dhe teknikës së kontrollit të territorit, nga ato tradicionale, tek aplikimi total i patrullës së përgjithshme. "Në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë ka marrë përsipër hedhjen në treg të këtij produkti të ri të policimit modern. Rezultatet që ka prezantuar deri tani ky lloj organizimi shërbimi, adaptuar eksperimentalisht në repartin "Shqiponja", na shtyjnë që brenda muajve të parë të vitit 2008, këtë formë organizimi ta shtrijmë në të gjithë komisariatet brenda juridiksionit tonë tokësor", deklaroi drejtori.




Policia në menaxhim:


"Kush dështon në planifikim,

ka planifikuar të dështojë"


Një tjetër moto është "hedhur në treg" nga Policia e Tiranës për vitin 2008, për sa i përket menaxhimit të punës dhe vlerësimit të punonjësve të saj. Drejtori i Policisë së Tiranës, Muhamet Rrumbullaku, tha dje se: "Nën moton ‘kush dështon në planifikim, ka planifikuar të dështojë‘, e gjithë struktura e Drejtorisë së Policisë së Qarkut do t‘i nënshtrohet një vlerësimi realist e objektiv të gjendjes së rendit e sigurisë në qark, mbi bazën e të cilit do të hartohen detyrimet konkrete për të ardhmen. Sipas tij, kjo disiplinë pune do të shtrihet deri në nivelet më të ulëta dhe do të kapë të gjitha aspektet e aktivitetit dhe veprimit policor dhe administrativ.

"Disiplina formale dhe ajo e punës, do të jenë prioritet tjetër i punës sonë për vitin në vazhdim. Vëmendje e veçantë do t‘i kushtohet jo vetëm në shfrytëzimin maksimal e me rendiment të kohës së punës, por edhe në aplikimin e metodave të matshmërisë së veprimtarisë së gjithsecilit. Politika e personelit, si edhe deri më tash, do të synojë dhe tregojë që do të promovohen vetëm ata punonjës policie, të cilët në veprimtarinë dhe aktivitetin policor janë etikë, profesionalë, ligjorë, të motivuar, me integritet dhe që në të gjitha rastet plotësojnë standardet e "sistemit të vlerave" për ecjen në karrierë", tha Rrumbullaku. Më tej, pohoi se qëndrim po kaq rigoroz do të mbahet edhe për rastet e prezantimit të antivlerave në të gjithëa aspektet që u përmendën më lart. Ai tha se ligji i ri "Për Policinë e Shtetit" garanton realizimin e këtij synimi.




Një prokuror pranë Policisë së Tiranës


Niveli i bashkëpunimit me prokurorinë, si pjesë e organit procedues dhe rezultatet e vitit 2007, kanë krijuar një bazament solid për të unifikuar qëndrimin dhe veprimin hetimor ndërmjet dy strukturave. Kohët e fundit, është rënë dakord me drejtuesit lokalë të prokurorisë, që për drejtimin, kontrollin, monitorimin dhe ndihmën e shërbimeve të policisë gjyqësore, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të ushtrojë veprimtarinë e tyre një prokuror, që do të autorizojë veprimet emergjente të policisë.

Gjatë këtij viti, synojmë që prokuroria të delegojë mundësisht deri në masën 100% të çështjeve të krimit të organizuar, me objektiv më afatgjatë delegimin e gjithë hetimit shërbimeve të policisë gjyqësore.

Dervishi: Dhuna në familje, përgjegjësi jo vetëm e policisë


Duhet të merren masa për eliminimin e praktikës së të drejtës zakonore në zgjidhjen e konflikteve familjare


Përgjegjësia për parandalimin e krimit në familje nuk mund të jetë vetëm e policisë. I këtij mendimi është ish-drejtori i Policisë së Tiranës, Albert Dervishi. Në një intervistë për "Shqip", ai konfirmon se kjo kategori krimi ka ardhur në rritje të vazhdueshme, duke u kthyer në një shqetësim serioz për shoqërinë, por për parandalimin e saj duhen masa komplekse, të cilat angazhojnë jo vetëm strukturat shtetërore, por edhe komunitetin. Dervishi shprehet kundër rikthimit të dënimit me vdekje, duke theksuar se dënimi taksativ pa limite minimum-maksimum, me të cilat të abuzohet në mënyrë subjektive, mund të ishte më efikas në këto momente.


Ditët e fundit ka pasur disa ngjarje të rënda që kanë rikthyer në vëmendjen e publikut fenomenin e dhunës dhe krimit brenda familjes. Si ekspert i policisë, në ç‘nivele mendoni se është aktualisht ky fenomen?

Personalisht e shoh me shumë shqetësim problemin e dhunës në familje, e kryesisht ndaj femrës shqiptare dhe me gjithë punën që bëhet nga institucionet shtetërore dhe ato joqeveritare, konstatoj se shifrat janë në rritje. Në bazë të të dhënave zyrtare, rezulton se në vitin 2006, rreth 10% e krimeve ishin krime të cilat kanë prekur femrat, kundrejt një rritje të vogël nga viti 2005. Dhe besoni, ky është kriminaliteti i denoncuar në strukturat e policisë, pasi ka mjaft raste të tjera, të cilat për shkak të një sërë faktorësh, nuk denoncohen në polici. Veprat penale më tipike të evidentuara shtrihen në marrëdhëniet bashkëshortore, ku në rreth 43% e të gjitha veprave penale, burri dhunon gruan. Në analizë të këtyre shifrave, rezulton se problemi i dhunës familjare për shoqërinë tonë, ende është një shqetësim serioz, sidomos krimi i vrasjes, ku në mënyrë të përafërt, për çdo vit vrasjet në familje zënë rreth 30% të krimit të vrasjes në shkallë vendi.


Cila është përgjegjësia direkte e strukturave të Policisë dhe a është ajo e përgatitur për ta përballuar këtë situatë?

Nisur nga misioni dhe përgjegjësia që ligji ka parashikuar, policia nuk mund të shmanget nga përgjegjësia kryesore. Detyrimi i saj është në drejtim të parandalimit të veprave penale kundër dhunës në familje dhe kapjes së autorëve të tyre, por, gjithsesi, ajo nuk është e vetme në këtë detyrim. Mendoj se nga Policia e Shtetit janë marrë disa masa të rëndësishme organizative dhe strukturore, për të ndërtuar strukturat përkatëse, madje janë bërë trajnime të këtyre strukturave, janë përcaktuar edhe disa module në Akademinë e Policisë për trajnimin e kursantëve etj., por mendoj se nuk është kjo e gjitha që duhet bërë.

Krahas mentalitetit frenues të vetë të dëmtuarve apo dëshmitarëve të përfshirë në një vepër penale, mendoj se duhet parë mospërgatitja e policisë për të ndërhyrë në rastet e konflikteve të tilla, gjë që bën që në evidencat operative të regjistrohen vetëm raste sporadike mjaft të rënda, kryesisht rrahje e rëndë, kanosje e plagosje. Edhe në zonat e populluara në qytete, ku mjetet e informimit masiv, veprimtaria e organizatave joqeveritare në ndihmë të gruas, të fëmijëve, të moshuarve është më e madhe, këto të dhëna janë të mangëta, jo se mungon veprimtaria sensibilizuese, por sepse ekziston klima e mosbesimit ndaj këtyre organizatave, punonjësve të Policisë së Shtetit apo strukturave të tjera. Gruaja në zonat rurale ndodhet ende e pambrojtur, si nga opinioni frenues e patriarkal, ashtu dhe nga policia, e cila frenohet të ndërhyjë e të parandalojë aktet e dhunës brenda gjirit të familjes.

Parlamenti në fund të vitit 2006 ka miratuar ligjin "Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare", i cili ka hyrë në fuqi në 1 qershor 2007. Por, rezultatet e dëshiruara nuk kanë ardhur, çka të bën të mendosh se duhet marrë më seriozisht zbatimi i tij në praktikë.


A ka një strategji të qartë veprimi Policia lidhur me mënyrën se si duhet të reagojë për ta parandaluar këtë fenomen?

Në strategjinë e Policisë së Shtetit, 2007-2013, pranohet rritja e rasteve të krimit në familje dhe fakti që Policia duhet të marrë një përgjegjësi më të madhe për identifikimin dhe parandalimin e këtij fenomeni. Në këtë këndvështrim, mendoj se e rëndësishme është ndërtimi i partneritetit me aktorët e tjerë që kanë detyrime, si ato shtetërore, të shoqërisë civile, komunitetin etj., sidomos në ato zona, rrethe e qarqe, të cilat janë më problematike, në drejtim të parandalimit të dhunës familjare. Detyrimet që janë përcaktuar në ligje, në strategjinë e Policisë, në strategjinë kombëtare "Për parandalimin e dhunës në familje", etj., dhe në analizë serioze të gjendjes së krijuar, duhet të bëjnë më efektive dhe të dukshme masat e Policisë. Ndryshimet strukturore të bëra në këtë organ, si në nivelin qendror, ashtu dhe në atë vendor, reformat dhe shkurtimet e realizuara për çfarëdo lloj motivesh, si dhe emërimet e personelit profesional apo joprofesional, nuk duhet të zbehin dhe të ulin sadopak nivelin e asaj pune që është arritur në vite nga strukturat e policisë.

Mendoj se duhet të merren masa për eliminimin e praktikës së të drejtës zakonore në zgjidhjen e konflikteve familjare, apo zbatimin e kodeve të pashkruara dhe diskriminuese ndaj grave. Nga ana e strukturave të Policisë së Shtetit, duhet të garantohen të drejtat e grave dhe vajzave, gjatë kohës që mbahen në Polici, për një avokat, vizitë nga një mjek, nëse e dëshiron, për të informuar familjet ose të afërmit për arrestimin e tyre, vendin ku mbahen, kontrollin trupor të tyre etj.


Zërat për forcim të legjislacionit për dhunën në familje kanë ardhur duke u shtuar dhe për këtë çështje ka ndërhyrë edhe Kryeministri i vendit, ndërkohë që nuk mungojnë ata që kërkojnë rikthimin e dënimit me vdekje. Cila zgjidhje mendoni se do të ishte më efikase dhe më e pranueshme?

Sigurisht që mbështes qëndrimin jo vetëm të Kryeministrit të Shqipërisë, për të vendosur dënime taksative dhe jo me limite minimum-maksimum, me të cilat të abuzohet në mënyrë subjektive. Në këtë rast, dënimi me burgim të përjetshëm i autorëve që kryejnë krimin e vrasjes ndaj femrave, mund të ishte një zgjidhje optimale. Kjo mendoj se do të jetë një masë tepër efikase dhe parandaluese dhe njëherësh do t‘i ndërgjegjësojë edhe më shumë autorët (ata burra e djem "trimoshë", që matin forcën ndaj gruas, motrës, nënës, të dashurës së tyre, me grykën e armës, duhet të kenë frikë nga përballja me burgimin e përjetshëm).

Natyrisht, sot në Shqipëri po flitet dhe diskutohet shumë për mundësinë e kthimit të dënimit me vdekje, edhe për një periudhë kohe disavjeçare. Parë në efektet "drithëruese" që sjell ky dënim, të cilat mendohet se mund të parandalojnë krimin e ashpër, nëse ai vendoset, gjen mbështetjen edhe nga shtresa të gjera të popullsisë nëpërmjet sondazheve që kryhen. Ajo që unë dua të them, është që nuk duhet që Shqipëria të bëjë kthim mbrapa. Ne duhet të shohim të ardhmen me guxim përpara, duke i thënë "Jo", dënimit me vdekje dhe në kuadrin e reformimit të sistemit të drejtësisë dhe të legjislacionit penal, politika të gjejë forma të tjera ndëshkimi, për autorët e këtyre krimeve.

Për mua, thelbi i parandalimit të kësaj kategorie krimi duhet të jetë: Heshtja është armik. Dhuna në familje mbyll në vetminë e shtëpisë, shkakton viktimat e veta dhe mbjell farë te të rinjtë, dëshmitarë të brezit të ardhshëm. Kjo dhunë, e cila është një akt kriminal - është mjaft e përhapur dhe në rritje, si rezultat i rënies së vakumit shoqëror, të krijuar nga tranzicioni. Prandaj lypsen masa të shpejta, efikase dhe gjithëpërfshirëse.