Ambasadori i SHBA, Aleksandër Arvizu


Ambasadori i SHBA flet për kandidatët: Nano do që të jetë konsensual se i ka 71 vota, Topalli partiake. Ceka intrigues.


Ambasadori i SHBA te Zonë e lirë: Shans i humbur nëse Presidenti nuk zgjidhet me 84 vota.


Pak ditë përpara se në Parlament të hapet zyrtarisht gara për President, ambasadori i SHBA në Tiranë, Aleksandër Arvizu, flet për shanset e secilit kandidat të përfolur deri tani.

Në një intervistë rreth 120 minuta në emisionin Zonë e lirë të Arjan Çanit në TV Klan, diplomati i SHBA në Tiranë tha se Presidenti i ri duhet të marrë maksimumin e votave në Parlament. Duke u ndalur në emrat e kandidatëve potencialë ai vlerësoi Fatos Nanon dhe Ridvan Boden, të parin si një President jo të kontrollueshëm nga liderët politikë, ndërsa të dytin si një njeri që mund ti thotë kur të jetë momenti jo Kryeministrit. Në të njëjtën kohë ai vlerësoi figurën e Jozefina Topallit, por për të tha se është një politikane partiake, gjë që mund të mos jetë një nga cilësitë ideale për të qenë Presidente.

Procesi

Sipas tij, do të ishte shumë mirë nëse kreu i ri i shtetit merr 140 vota. Në të kundërt, nëse nuk arrihet konsensusi, ky nuk duhet të jetë shkak për krizë politike. Por për Arvizunë posti i Presidentit nuk është ai i një ministri në kabinetin qeveritar. Në këtë pikë, diplomati amerikan thotë se zgjedhja e një kryetari shteti me 71 vota do të ishte kushtetuese, por njëkohësisht edhe një shans i humbur për vendin. Nëse vjen puna te zgjedhja e dikujt në raundin e katërt ose të pestë me 71 vota, dhe kjo do të bëhej në përputhje me Kushtetutën, a do ta pranonte bashkësia ndërkombëtare, do ta pranonin SHBA? Nëse bëhet në përputhje me Kushtetutën, them se po. Por unë dhe SHBA do ta shihnin si një shans të humbur, sepse do të kishte pasur një mundësi që të kishim në President që kapërcen partitë politike. E shoh këtë si një mundësi, përse të mos vendoset një me 84 vota? Do të ishte një shans i humbur për të lënë mënjanë gjithë këto interesat e saj partiake. Në vitin 2013 të fitojë partia më e mirë, theksoi Arvizu. Megjithëse vlerëson takimet e fundit që po zhvillohen mes liderëve politikë, ambasadori shpreh shqetësimin se partitë në Parlament po kalkulojnë se si të arrijnë 71 votat. Problemi shqetësues që unë kam është se nëse po takohen për të pasur një kandidat konsensual, kjo do ishte e shkëlqyer dhe SHBA do ishin të lumtura. Por kam ndjesinë se ajo që po ndodh është se grupe të ndryshme po mendojnë se si të arrijnë tek 71 vota. Sipas ambasadorit, cilësitë që duhet të ketë Presidenti i ri është aftësia për të komunikuar, por të rëndësishme janë edhe mençuria, karakteri i lartë moral, të mbrojë institucionet dhe me integritet.

Për Nanon

Mendoj se është një cilësi shumë e mirë për të parë në mënyrë liberale. Nga të gjithë kandidatët, Nano është personi që ka bazën e tij të pushtetit. Ai është personi më pak i kontrollueshëm sepse ka rrjetin e tij të njerëzve dhe për këtë arsye mendoj se ka pak hezitim nga ana e liderëve. Më pëlqen fakti se ai po përpiqet të jetë një kandidat konsensual. Ai nuk po përpiqet të mbledhë 71 vota, jam i sigurt që edhe mund ti marrë, por ai po përpiqet ti marrë 84 vota, theksoi Arvizu.

Për Boden

Sipas ambasadorit, të gjithë personat me të cilët flas më kanë thënë që është shumë i mirë sa u përket çështjeve të financave. Diçka tjetër lidhur me zotin Bode është që ndonëse është një person qartësisht që i përket PD-së, ai nuk druhet që të ngrejë zërin e tij dhe të mos bjerë dakord me zotin Berisha. Do të shpresoja të kishte më shumë që ta bënin këtë. Ai i përket PD-së dhe me Berishën bien dakord në 99 për qind të gjërave, por puna e Presidentit pashmangshmërisht do ketë një kohë kur do të ketë mosmarrëveshje, dhe ky person duhet të vijë momenti që të thotë jo. Kjo është gjë e mirë. Mendoj se është një kandidat shumë serioz.

Për Topallin

Identifikimi i saj ka qenë gjithmonë me partinë. Ajo rrjedh nga një familje e persekutuar. Ajo ka qenë shumë e sinqertë dhe shumë pranë bindjeve të saj. Kjo i ka shërbyer shumë sepse ka arritur të bëhet kryetare e Kuvendit. Por tani çështja qëndron te cilësitë që e kanë sjellë atë në vendin ku është tani. Besnikëria që është shumë pasionante dhe shumë e qartë me identifikimin e asaj që ajo është. Ajo ka shumë karizëm. Çështja është: fakti që ajo ka arritur këtu ku është, është për shkakun se është një politikane partiake dhe mund të mos jetë domosdoshmërisht cilësia ideale që do të duhet për një President.


Për Pandeli Majkon

E njoh dhe habitem se përse nuk përmendet më shpesh emri i tij. Ai ka shërbyer si Kryeministër në një moshë shumë të re. Nga ajo që kam parë dhe kam dëgjuar, ai duket sikur ka aftësinë dhe mundësinë për të komunikuar me personat që janë në pozitë, më shumë sesa të tjerët. Pandit do ti thosha: vazhdo të bësh atë që po bën.


Për Paskal Milon

Kam zhvilluar disa biseda me të. Është një nga kryetarët e partive të vogla, është nga qendra e majtë. Duket që sillet në mënyrë të sjellshme dhe plot dinjitet. Edhe kur është i pakënaqur duket sikur kontrollon emocionet. Mendoj se është një cilësi e mirë.


Për Fatos Bejën

Të gjithë kur e përshkruajnë thonë që është një zotëri i vërtetë. Nëse gjërat do të bëhen të vështira, a ka ai cilësitë e duhura për të qëndruar kundër një force tjetër dhe të thotë: Jo? Pika qëndron te nëse je një paqtues i mirë, por nëse ke atë fortësinë e duhur.


Për Neritan Cekën

Kam zhvilluar në Shqipëri shumë pak biseda me të, por para 2 javësh ishim bashkë në Nju Jork. E pyeta si ka mundësi që për ju po flasin se jeni një kandidat presidencial? Ai u përgjigj nuk e kam idenë. Nuk më tha as po as jo, vetëm që nuk e kam idenë. Unë i thashë: ju kam parë në programin e Çanit. Ai është një kandidat intrigues.


Për Fatos Lubonjën

Më pëlqen, është i shkëlqyer, është fantastik. Është një person i drejtpërdrejtë dhe i thotë gjërat ashtu si janë. Posti i Presidentit të kërkon që ti shtrish dorën njërës palë dhe pastaj të prekësh palën tjetër. Nëse ai do të bëhej President nuk e di nëse do të zgjaste një apo dy muaj.


Për Artur Zhejin

Shumë persona nga opozita me të cilët flas nuk kanë një ndjesi të ngrohtë karshi tij. Nuk e di nëse kjo rrjedh për shkak se ka qenë këshilltar i Lulzim Bashës gjatë fushatës. Këshilla ime për të nëse e ka vërtet seriozisht: duhet të punojë pak më shumë me opozitën. Takimi me Ramën? Kjo është një nisje e mirë.


Për 21 janarin

I pyetur nëse pas takimit Rama-Meta e shikon ndryshe 21 janarin, Arvizu u shpreh se Nano tha se nëse do të ishte PD-ja do të fajësonte PS-së për në demonstratë të dhunshme sepse sulmoi Kryeministrinë.

Por, në një demokraci forcat e sigurisë nuk duhet të qëllojnë me armë te protestuesit dhe të vrasin. Ajo që Nano bëri ishte që përshkroi dështimin e sistemit. Nuk dua të futem në kritikë për Presidentin apo prokurorin e Përgjithshme sepse mendoj se ata u përpoqën në mënyrën e tyre për ti bërë gjërat në një mënyrë. Është e drejtë të thuhet se secili prej tyre ose ka bërë një gabim, ose nuk bënë diçka që mund ta kishin bërë në mënyrë që situata të ishte më e mirë.


ADI SHKEMBI