20 maji, dita kombëtare e jetimëve është përkujtuar ditën e djeshme në një aktivitet të organizuar nga Ministria e Punës në shtëpinë e foshnjës Hana dhe Rozafa në Tiranë. Gjatë fjalës së tij, ministri Ksera u shpreh se fëmijët janë jo vetëm në qendër të sistemit të





përkujdesit social por përbëjnë prioritet madhor të programit social të qeverisë dhe politikat aktive të ministrisë së punës. Duke folur për institucionalizimin e këtyre fëmijëve Ksera tha se këto institucione nuk janë forma më e mirë e shërbimit dhe sfidë është që sa më pak fëmijë të jenë në këto institucione aq më mirë është për shtetin dhe shoqërinë. Zonja Berisha vlerësoi politikat që u vijnë në ndihmë fëmijëve dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me ministrinë e Punës. Aktiviteti vazhdoi më tej me një koncert artistik. Strehimi i jetimëve mbetet ende një çeshtje e pa zgjidhur dhe një plagë për shoqërinë shqiptare. Pasi mbushin moshën 15 vjeç ata strehohen në konvikte apo mjedise të tjera të papërshtatshme. Njëri prej tyre, Lulzim Bardhi ishte vetëm 15 vjeç kur erdhi për herë të parë në konvikt ku qëndronte me 12 të rinj të tjerë në dhomë. Lulzimi kujton se kanë kaluar 18 vjet, dhe ai është endur rrugëve në kërkim të një pune dhe ka bërë dhjetëra kërkesa për të patur një strehë për të dhe familjen e tij. Lulzimi por edhe dhjetëra jetime të tjerë, pasi mbushin 15 vjeç largohen nga Shtëpia e Fëmijës dhe përballen jo vetëm me mungesën e një vendi pune por edhe të strehimit. Shteti duhet tu garantojë punësim por edhe aftësim professional, por realisht kjo hallkë nuk funksionon. Në Ditën Kombëtare të Jetimëve përfaqësuesit e shtetit pohuan se gjatë këtyre viteve janë rritur shpenzimet ditore për ushqime dhe veshje për fëmijët 0 deri në 15 vjeç. Në ditën, kombëtare të jetimëve drejtuesit e intsitucioneve që  merren me përkujdesjen e tyre kanë përcjellë mesazhet se duhet një bashkëpunim i të gjithë aktorëve të interesit, për t'ju ofruar një jetë më të mirë sociale të gjithë atyre që kanë statusin e jetimit. Aktualisht në vendin tonë, sipas statistikave që ofron shërbimi social shtetëror, ka rreth 1600 fëmijë jetimë, të cilët jo të gjithë jetojnë në shtëpitë e fëmijës.


 






Last Updated on E Enjte, 20 Maj 2010 20:43