Ervin KOÇI

Me gjithë kërkesën e BE-së, taksat për automjetet që importohen nga këto vende drejt Shqipërisë duket se nuk do të hiqen akoma. Heqja e shumëpritur e asaj takse që rëndomë nga shqiptarët njihej si “dogana e makinave”, do të bëhet vetëm “de jure” pasi “de fakto” ajo do të transformohet në një tjetër taksë që do të rëndojë njësojë në xhepat e konsumatorëve. Sipas Ministrisë së Financave, taksa e importit për automjetet e përdorura do të hiqet sivjet. Këtë ministria e ka paraqitur edhe në Programin Ekonomik dhe Fiskal 2010-2012, sipas të cilit, kjo është një nga taksat doganore, e cila suprimohet si pasojë e hyrjes në fuqi të marrëveshjeve të tregtisë së lirë. Por, ajo do të zëvendësohet me një taksë tjetër, të cilën, nga Doganat, tani do ta marrin nën administrim e do ta vjelin Tatimet. Kjo do të jetë taksa e tregtimit të një makine të përdorur, e cila nuk është as më shumë dhe as më pak por po ajo shumë që ishte sa për taksën e doganës së automjetit. Por zyrtarisht Ministria e Financave nuk ka bërë ende të njohur se, në ç'masë do të jenë këto ndryshime në politikat fiskale afatshkurtra.

Vlera e taksës

Pas daljes së udhëzimeve përkatëse lidhur me një vendim të tillë, do të mësohet në se këto masa të kombinuara, do të sjellin rritje apo jo të çmimit në këtë treg. Sidoqoftë, masa ka të bëjë vetëm me automjetet e përdorura, ndërkohë që nuk ka asgjë të re lidhur me automjetet me kilometrazh zero. Ndryshimi i ri në politikën e taksave, që do të kryhet sërish gjatë këtij viti, ka të bëjë me një ndryshim në TVSH-ë. Programi njofton se përfshirja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për profesionet e lira, do të hyjë në fuqi në vitin 2010. Kështu, faturat e avokatëve, noterëve, ekspertëve të ndryshëm, etj, do të jenë 20 për qind më të shtrenjta, barrë, që e paguan klienti i fundit. Një ndryshim tjetër ka të bëjë këtë herë me përfshirjen edhe të grup-mallrave të tjerë në regjimin e akcizës. Qeveria njofton se, duke filluar nga 2010-a, në mallrat që do të paguajnë akcizë, do të hyjnë edhe gomat e reja, ato për riveshje, apo gomat e përdorura; ambalazhet, fishekzjarrët, si dhe akumulatorët (bateritë). Ky ndryshim ka të bëjë me kategorizimin e këtyre mallrave si artikuj që janë ndotës të mjedisit. Ndërkohë, jo shumë e largët parashikohet të jetë dita e hyrjes në fuqi të deklaratave vjetore të të ardhurave personale. Ndonëse nuk është fjala për këtë vit, të gjithë shqiptarëve do t'u kërkohet një gjë e tillë nga fundi i 2011-ës.

Ngarkesa fiskale

Qeveria shqiptare ka ndërmarrë disa nisma indirekte për të krijuar për vete hapësira për më shumë taksim apo gjoba të mbledhura nga shqiptarët, si një mënyrë për të përballuar pasojat negative të krizës. Disa nga nismat për të rritur taksimin janë kryer përmes ligjeve të miratuara pa shumë debat në Parlament, ndërsa shumë të tjera, përmes akteve administrative, të cilat kanë rritur sasinë reale të taksave të paguara. Referencat doganore, referencat tatimore, shumëfishimi i gjobave administrative për kundërvajtje të vogla si shitje malli pa faturë fiskale, apo së fundmi, taksimi i kapitalit të kompanive dhe ndryshimi i skemave ligjore të amortizimit, kanë sjellë që të gjitha rritjen e taksave reale që do të paguajnë shqiptarët gjatë vitit 2010. Gjatë gjithë vitit të kaluar, një numër i pafund kompanish biznesi u ankuan për zbatimin e referencave doganore në mënyrë arbitrare, por pa rezultat. Shumë biznese tregtare u ankuan për kontrolle dhe gjobitje të shumëfishta, ndërkohë që në tetor dhe nëntor të vitit të kaluar, qeveria njoftoi për të ardhura të jashtëzakonshme prej rreth 50 milionë eurosh nga gjobat. Pavarësisht të gjitha këtyre manovrave, gropa e financave publike nuk u arrit të mbyllej.


Shkurt///////////////////////
Eurocontrol: “Kompanitë ajrore shqiptare të investojnë për të kapur standardet”

Kompanive ajrore shqiptare që ushtrojnë aktivitetin e tyre në hapësirat ajrore të Bashkimit Europian shumë shpejt do të përballen me sanksione nëse nuk arijnë të plotësojnë standardet e kërkuara. Ky lajm bëhet i ditur nga “Eurocontrol” (Organizata Europiane për Sigurinë e Fluturimit Ajror), e cila u ka kërkuar të gjitha kompanive ajrore europiane përfshirë edhe atyre shqiptare që të reaizojnë investimet e duhura për të aritur standardet e sigurisë dhe shërbimit për udhëtarët. Kompanive ajrore në Evropë, do t’u duhen të paktën 3 vjet për t'u rikthyer në normat e rritjes së qëndrueshme. Shumë prej tyre janë të destinuara të shkojnë drejt falimentimit të sigurt. Një parashikim i tillë është bërë nga drejtori i Përgjithshëm i IATA-s, Giovanni Bisignani, i cili paraqiti një tablo të zymtë mbi të ardhmen e afërt të biznesit të fluturimeve ajrore. Duke iu referuar të dhënave të nxjerra nga “Eurocontrol” për vitin 2009, ai tha se është shënuar një rekord i rënies së fluturimeve në Evropë. Sipas të dhënave konkrete, kjo rënie ka qenë në nivelin prej 6.6 për qind gjatë vitit të kaluar dhe pritet që edhe këtë vit të mos jetë më e pakët.



Reshjet e fundit shtojnë prurjet në kaskadën e Drinit

Reshjet e konsiderueshme të ditëve të fundit kanë shtuar prurjet në tre hidrocentralet e kaskadës së lumit Drin, por megjithatë situata mbetet e menaxhueshme. Kjo gjë bëhet e ditur nga zyrtarë të KESH-it, të cilët kanë bërë të njohura rezultatet më të fundit nga kjo kaskadë. Prurjet në liqenin e Fierzës gjatë ditëve të fundit kanë qenë 420 metra kub për sekondë, ndërsa niveli i liqenit është në kuotën 286.88 metrave. “Nuk ka nevojë për hapjen e portave anësore të shkarkimit dhe as nuk pritet situatë emergjente për ditët e ardhshme”, - kanë qetësuar opinionin zyrtarët e KESH-it. Në liqenin e Komanit prurjet janë rreth 640 metra kub për sekondë. Prurjet e bollshme i kanë dhënë mundësi Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare të programojë eksporte të konsiderueshme edhe për muajin shkurt. Gjatë muajit janar, KESH-i arkëtoi rreth 5 milionë euro nga eksportet e energjisë në vendet fqinje përmes eksportimit të rreth 170 milionë kilovat orëve. Por KESH-i ka programuar shitje të energjisë edhe për këtë muaj, në një kohë që prodhimi në të tre HEC-et mbi Drin vijon me kapacitet të plotë të agregateve.



Marrja e licencave, shtohen aplikimet në sportelet e QKL-së

Deri në mesin e muajit dhjetor 2009, nga Qendra Kombëtare e Licencimit (QKL) janë trajtuar 1004 aplikime. Të dhënat e fundit zyrtare tregojnë se nga totali, janë aprovuar dhe janë aktive 457 licenca dhe leje të reja, janë revokuar 8 licenca dhe janë në shqyrtim nga institucionet e linjës 169 të tjera. QKL-ja ofron shërbime të shpejta dhe transparente për bizneset e interesuara për marrjen e një licence, apo leje me rreth 8 sportele shërbimi në Tiranë. Më datë 14 dhjetor 2009, sipas memorandumit të bashkëpunimit mes QKR-së dhe QKL-së, janë hapur edhe 3 sportele të kësaj të fundit në Shkodër, Korçë dhe Vlorë. Informacioni mbi procedurat gjenden në faqen e internetit të QKL-së, përmes së cilës aplikantët mund të kontrollojnë në çdo kohë statusin e aplikimeve të tyre dhe të shohin listën e të gjitha lejeve dhe licencave të miratuara.




2 Shkurt 2010