Jonida Tashi



Ministria e Arsimit përcakton procedurat e reja që do të ndiqen gjatë vitit akademik 2009-2010 për studimet e doktoraturës. Për t’i paraprirë nisjes së aplikimeve, MASH-i nëpërmjet një udhëzimi të veçantë urdhëron universitetet që të përgatisin rregulloren përkatëse për programet e doktoratës. Tashmë edhe programet e doktoraturës do të ofrohen dhe zbatohen sipas sistemit të Bolonjës. Për këtë arsye, MASH-i ka përcaktuar procedurat e reja që do të ndiqen si nga universitetet ashtu edhe nga të interesuarit për të vijuar një program të tillë studimi. Kështu, në rregulloren e re, universitetet duhet të përcaktojnë elemente te përgjithshme të programit të doktoraturës për secilin prej tre viteve akademike. Ndërsa në raste të veçanta, kur kohëzgjatja normale e programit të doktoratës, në formën me kohë të plotë, duhet të jetë më shumë se tre vjet, universitetet duhet të specifikojnë elementet e përgjithshme të programit të studimit edhe për vitet e tjera. Po ashtu, universitetet duhet të japin planin e detajuar mësimor të doktoraturës, në të cilin do të përfshihet shpërndarja në vite dhe semestra e disiplinave, e seminareve dhe çdo aktiviteti tjetër formues, shoqëruar me numrin e krediteve dhe orëve përkatëse si dhe kërkesat për frekuentimin dhe verifikimin e dijeve.

Procedurat

Udhëzimi Nr.21, datë 30 korrik 2009 detajon të gjitha procedurat që duhet të zbatojnë të interesuarit për të vijuar doktoraturën. Kështu, sipas udhëzimit të MASH-it, që mban firmën e ministrit Fatos Beja, pranimi i kandidatëve në programet e studimit të doktoratës do të bëhet duke iu referuar kuotave të dhëna për programin përkatës për çdo universitet. Pikësëpari për t’u pranuar në një program studimi të doktoratës, kandidati duhet të zotërojë një Diplomë të Nivelit të Dytë (DND), një Diplomë të Integruar të Nivelit të Dytë (DIND), dhe çdo diplomë tjetër të vlerësuar si të njëvleftshme me to, në fushën e programit të doktoratës apo në një fushë të përafërt të përcaktuar më parë në rregulloren e programit përkatës të doktoratës. Gjithashtu kanë të drejtë të pranohen në programe të doktoratës edhe ata kandidatë që zotërojnë një diplomë apo certifikatë të kualifikimeve të ciklit të tretë të studimeve. Pasi të marrin paraprakisht mendimin e këshillit të profesorëve, njësitë kryesore të universiteteve do të përcaktojnë kriteret e pranimit të kandidatëve. Me caktimin e kuotave nga Këshilli i Ministrave për një program studimi doktorate, universiteti duhet të shpall menjëherë hapjen e procedurës së pranimit të kërkesave për një periudhë 2- javore. Aplikimi për regjistrim në programet e doktoratës do të bëhet pranë sekretarive të universiteteve që ofrojnë këto studime.

Përzgjedhja

Përzgjedhja e kandidatëve për të vijuar studimet e doktoratës do të bëhet nga këshilli i profesorëve të njësisë kryesore të institucioneve të arsimit të lartë përgjegjëse për organizimin e programit përkatës të doktoratës nëpërmjet një konkurrimi me dosje, ku kandidatët nga personeli akademik të punësuar me kohë të plotë në institucionet e arsimit të lartë kanë përparësi. Këshilli i profesorëve të njësisë kryesore përgjegjëse për programin e doktoratës ngre komisione “Ad-hoc” me anëtarë të tij sipas fushës përkatëse të çdo programi doktorate për përzgjedhjen e kandidatëve fitues në përputhje me kriteret e pranimit të vendosura dhe të shpallura publikisht më parë. Kryetari i çdo komisioni të tillë është dekani. Një javë pas mbylljes së aplikimeve, komisionet “Ad-hoc” paraqesin listat e kandidatëve fitues në këshillin e profesorëve të njësisë kryesore. Listat e kandidatëve fitues miratohen nga këshilli i profesorëve dhe shpallen nga dekani jo më vonë se 2 javë nga mbyllja e aplikimeve. Dekani i njësisë kryesore përcakton afatet e ankimimit të kandidatëve të shpallur jo fitues. Këshilli i profesorëve shqyrton çdo ankimim dhe shprehet me vendim. Vendimi i tij është përfundimtar.

Regjistrimi

Kandidatët fitues duhet të regjistrohen në sekretarinë e njësisë kryesore përgjegjëse për programin përkatës të doktoratës për një periudhë njëjavore të përcaktuar nga dekani i njësisë kryesore. Kandidatët fitues duhet të paguajnë një tarifë 5000 lekë për regjistrim në programin e studimit të doktoratës ku janë shpallur fitues. Dosja individuale me dokumentet e aplikantëve jofitues u kthehet atyre kundrejt kërkesës në dorë ose me postë. Studentët e regjistruar, të cilët kanë përfunduar ose vijojnë programe studimi të ciklit të tretë, nuk janë të detyruar të grumbullojnë 60 kreditet e studimeve të organizuara teorike, pjesë e programit të studimit të doktoraturës, vetëm nëse programi i studimit të cilin ata kanë përfunduar apo vijojnë ka formim teorik të njëjtë ose të afërt me atë të programit të doktoratës. Këshilli i profesorëve ngre komisionet e drejtuara nga koordinatori i programit të doktoratës për njohjen dhe transferimin e krediteve të fituara nga studentët e regjistruar, të cilët kanë përfunduar ose vijojnë një program studimi të ciklit të tretë në varësi të përputhshmërisë së tyre me programin e studimit të doktoratës ku ai është regjistruar. Për çdo student të tillë përcaktohen veprimtaritë formuese, modulet lëndore dhe kreditet përkatëse, të cilat ai është i detyruar t’i fitojë nga plani i studimeve të organizuara të programit të studimit përkatës të doktoratës.





Dokumentet e aplikimit

Kandidatët do të aplikojnë për t’u regjistruar në një program studimi doktorate me dosje individuale, e cila duhet të përmbajë dokumentet e mëposhtme:

Kërkesa e kandidatit drejtuar këshillit të profesorëve të njësisë kryesore përgjegjëse për organizimin dhe administrimin e doktoratës

CV personale dhe bibliografi të punimeve shkencore, të cilat duhet të jenë të dokumentuara, nëse kandidati ka të tilla

Kopje të noterizuar të diplomës së nivelit të dytë(DND) apo të Diplomës së Integruar të Nivelit të Dytë, apo të një diplome tjetër studimi, ekuivalente me to, të shoqëruar me listën e notave apo suplementin e diplomës. Diploma e huaj shoqërohet me vërtetimin e njohjes nga MASH-i

Kopje të noterizuar të diplomave apo certifikatave të kualifikimeve të ciklit të tretë apo të një diplome ose certifikate ekuivalente me to, shoqëruar me listën e notave apo suplementin e diplomës, nëse kandidati disponon një të tillë

Vërtetim për vazhdimin e programeve të studimit të specializimit, së bashku me listën e notave të fituara deri në atë moment, nëse kandidati është duke ndjekur një program të tillë

Fotokopje të noterizuar të kartës së indentitetit/pasaportës

Dy fotografi

Dy rekomandime nga persona me titull akademik

Një deklaratë që pranon të shlyejë të gjitha detyrimet financiare lidhur me koston e këtyre studimeve, sipas përcaktimeve të bëra nga vetë institucioni

Dëshmi të gjuhës/gjuhëve të huaja (fotokopje të noterizuar)

Vërtetim nga qendra e punës, nëse është i punësuar

Mandat për tarifën e aplikimit për konkurrim prej 2000 lekë



Tarifa e studimit

Tarifa e shkollimit për një program doktorate është e përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, ku brenda vlerës së përcaktuar paraqet:

Vlerën për pjesën e studimeve të organizuara, e cila ndahet për çdo modul lëndor në varësi të krediteve që i takojnë atij;

Vlerën për pjesën e studimeve për periudhën që përmbledh kërkimin shkencor dhe përgatitjen e disertacionit deri në marrjen e diplomës për gradën shkencore “Doktor”

Tarifa e shkollimit paguhet nga studenti në këste të përcaktuara nga njësia kryesore e institucionit të arsimit të lartë përgjegjës për organizimin e doktoratës

Kësti i parë paguhet menjëherë me regjistrimin e studentit dhe është sa vlera e tarifës për pjesën e studimeve të

Organizuara

Studentët që kanë transferuar kredite nga programe të tjera të ciklit të tretë paguajnë vlerën përkatëse sipas moduleve lëndore dhe krediteve që ata duhet të fitojnë në programin përkatës të doktoratës







17 Shtator 2009