Fatos Mahmutaj 

Sokol Koçiu la qelinë dje pas një vendimi të Gjykatës së Tiranës, e cila e liroi atë nga dënimi i mbetur prej procesit “Kokaina”. Pas 100 muajsh qëndrim në burg, ish-kreu i policisë gjyqësore shqiptare kapërceu dje portën e burgut të Vaqarit. Vendimi i Gjykatës së Tiranës i dha lirinë me kusht ish-kolonelit të burgosur si pjesëtar i çështjes së bujshme “Kokaina”. Gjykatësi Arben Miçko, i cili shqyrtoi për tre muaj kërkesën e paraqitur nga Koçiu për liri me kusht, vendosi dje ta pranonte atë duke e liruar në kohën që i kishin mbetur edhe më pak se 25 muaj burg. Gjyqtari i çështjes vlerësoi dje faktet duke pohuar se Koçiu ka vuajtur tashmë tre të katërtat e dënimit, ka lidhur një kontratë punësimi me një firmë private, është sjellë shumë mirë në qeli, nuk ka pasur kurrë masa disiplinore, ka dalë disa herë nga burgu me leje dhe në mënyrë korrekte është kthyer brenda afatit, nuk ka qenë kurrë i dënuar më parë dhe së fundmi nëna e tij e moshuar ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Seancën e mëparshme të gjyqit Koçiu dorëzoi në gjykatë dokumentacionin e themelimit të zyrës së bashkëshortes, në të cilën ai ka lidhur një kontratë pune, shkak ky që u vlerësua nga gjyqtari Micko dhe që u pa si një nga arsyet për të krijuar bindje për rehabilitimin e 48-vjeçarit. Nisur nga këto, gjykatësi i çështjes vendosi mëngjesin e djeshëm t’i rijepte lirinë kolonelit të policisë.
Lirimi
Në orën 15:35 minuta dera e burgut të Vaqarit hapet dhe Koçiu shfaqet në oborrin përpara hyrjes kryesore të burgut. I veshur me bluzë gri me mëngë të shkurtra, xhinse dhe flokët e qethur shkurt Koçiu takon familjarët e shumtë që kishin ardhur ta prisnin, pas vendimit të gjykatës. I pyetur nga gazetarët se më çfarë do të merrej tani që është i lirë, Koçiu, i cili njihet si një nga juristët më të mirë penalistë shqiptarë pohon se ka katër çështje në Gjykatën e Strasburgut, të cilat do t’i ndjekë si avokat. Janë ish-bashkëvuajtësit e tij ata të cilët i kanë besuar Koçiut përpilimin e dokumenteve dhe mbrojtjen përpara Gjykatës Evropiane. “Do punoj në profesionin tim”, pohon menjëherë, ish-koloneli i burgosur, i cili tashmë pritet të marrë në dorë çështjet e shumta të ish-bashkëvuajtësve, për t’i mbrojtur në themel ato apo kërkesat e shumta që mund të kenë të dënuarit nëpër gjykata. I pyetur, se çfarë kishin ndryshuar 100 muajt e burgut te ish-kryehetuesi shqiptar, Koçiu përgjigjet shkurt: “Shiheni vetë”. Më tej i pyetur nëse e priste apo jo vendimin e lirimit, 48-vjeçari Sokol Koçiu përgjigjet: “Nuk e prisja me thënë të drejtën. Kjo për mënyrën sesi shkuan ngjarjet”. Kjo sipas Koçiut shpjegohej me faktin e dënimit, të cilin ai e ka quajtur gjithmonë të padrejtë si dhe rrëzimin e shumë kërkesave që ai ka paraqitur nëpër gjykata të ndryshme.
Ish-kryehetuesi
Për plot 8 vjet e katër muaj Sokol Koçiut iu desh të kalonte thuajse nëpër qelitë e të gjithë burgjeve shqiptare. Pak ditë pas arrestimit të tij në fillim të vitit 2001, Koçiu u transportua nën masa të rrepta sigurie në qelitë e komisariatit të Librazhdit. Kjo për arsye të moskontaktimit të tij me të pandehurit e tjerë të së njëjtit proces, të cilët me urdhër të prokurorisë u shpërndanë nëpër komisariate të ndryshme të vendit. Një vit më vonë, kur hetimet tashmë kishin përfunduar dhe në Gjykatën e Tiranës nisi procesi gjyqësor Koçiu u transferua në qelitë e paraburgimit 313 në kryeqytet. Përfundimi i procesit në Shkallën e Dytë të Gjyqësorit, ose e thënë ndryshe marrja e formës së prerë të vendimit, do ishte arsyeja e transferimit të Koçiut në burgun 302 në Tiranë. Por pak muaj më vonë ai do të transferohej në Burgun e Peqinit ku vuajti një pjesë të konsiderueshme të dënimit, derisa u transferua në Vaqar ku vuajti pjesën e fundit të dënimit. Gjatë kohës që ndodhej në qelitë e burgut të Peqinit Koçiu paraqiti në gjykatë kërkesën për ulje të sigurisë së vuajtjes së dënimit, nga siguria e lartë, ku ishte mbyllur sipas vendimit të Gjykatës së Tiranës, në atë të zakonshme. Kjo për shkak të sjelljes së mirë në qeli, si dhe faktit që ai kishte vuajtur pjesën më të madhe të dënimit. Kërkesën për lirimin me kusht Koçiu e ka paraqitur në Gjykatën e Tiranës në fillim të shkurtit të këtij viti. Pas hedhjes së shortit elektronik iu dorëzua gjykatësit Micko, i cili vendosi dje ta pranonte atë. 


Dosja “Kokaina”
Nga të dënuarit e procesit “Kokaina” tashmë në qeli ndodhen vetëm dy prej tyre, Frederik Durda dhe Arben Përballa, të cilët u cilësuan nga Gjykata si organizatorë të tentativës për të trafikuar 6 tonë kokainë nga Kolumbia. Veç, Koçiut që u lirua dje, Din Gjonaj fitoi lirinë një vit më parë, kurse Vehbi Hysi vdiq në burg si pasojë e një kompleksi sëmundjesh. I pari prej të akuzuarve të kësaj çështjeje u lirua Alfred Nanaj, por tashmë ai ndodhet sërish në qeli për shpërndarje narkotikësh.


Koçiu u dënua 12.5 vjet si anëtar i çështjes “Kokaina”

TIRANE – Sokol Koçiu u dënua me 15 vjet burg nga Gjykata e Tiranës në prill të vitit 2003 pasi u gjet fajtor për “krijim të bandës së armatosur dhe organizatës kriminale”; “organizim dhe drejtim të organizatave kriminale” dhe “falsifikim të letërnjoftimeve apo vizave, kryer në bashkëpunim”, ndërsa u shpall i pafajshëm për akuzën e “kryerjes së krimeve nga bandat e armatosur dhe organizata kriminale”. Këtë vendim e la në fuqi Apeli i Tiranës në dhjetor 2003, ndërsa Gjykata e Lartë e kaloi këtë çështje pa e shqyrtuar. Rreth një vit më vonë, Gjykata Kushtetuese vendosi ta rikthente çështjen për rigjykim në Gjykatën e Lartë, ku një kolegj penal pesanëtarësh vendosi të ulte dënimin për Koçiun në 12.5 vjet burg. Ndërkohë amnistia parlamentare e vitit 2007 i fali Koçiut akuzën e falsifikimit të dokumenteve, duke bërë që t’i uleshin disa muaj nga dënimi. Ndërkohë, gjatë kësaj kohe ish-kreu i hetuesisë shqiptare ishte transferuar në burgun e Vaqarit, prej nga u lirua dje. Gjatë gjithë procesit, Koçiu nuk pranoi të mbrohej me avokat, duke u vetëmbrojtur. Të vetmet momente kur Koçiu është mbrojtur nga avokati ka qenë faza e hetimeve, ndërsa menjëherë pas fillimit të procesit ai e largoi mbrojtësin e tij, duke vazhduar të përballej vetë me drejtësinë deri në momentin e lirimit.            fa.ma.