Flet shefja e sektorit të Trajnim-Kualifikimit në Drejtorinë Arsimore. Regjistrimet ende të hapura, deri tani janë depozituare mbi 200 kërkesa


Jonida Tashi



Zbardhen dy fazat e testimit të mësuesve për kualifikim. Shefja e sektorit të Trajnim-Kualifikimit në Drejtorinë Arsimore të Tiranës, Teuta Çobaj, sqaron procedurën që do të ndiqet për testimin e arsimtarëve. Sipas saj, edhe këtë vit për testimin e mësuesve do të ndiqet e njëjta procedurë me atë të vitit të kaluar. “Testimi i mësuesve do të realizohet sipas procedurës së ndjekur edhe vitin e kaluar. Megjithëse nuk na ka ardhur ende udhëzimi i ministrit të Arsimit, ne e kemi nisur punën për t’i paraprirë kohës fizike si dhe për t’i informuar mësuesit për zhvillimin e këtij procesi”, - shpjegon Çobaj. Portofoli personal i çdo mësuesi, në të cilin do të përfshihen të dhënat e tij profesionale, do të jetë një pikë kyçe në vlerësimin e punës së çdo arsimtari. Ky fakt theksohet edhe nga specialistja e Trajnim-Kualifikimit në DAR, e cila sqaron se testimi i mësuesve do të kryhet në dy faza. Specifikisht këto dy faza janë: faza e parë është dorëzimi i portofolit nga mësuesit pranë Drejtorisë Arsimore, ndërsa faza e dytë është vlerësimi me shkrim. Çobaj bën të ditur se një e re e këtij viti për testimin e mësuesve është se secili prej tyre, para nënshtrimit të provimit me shkrim, duhet të realizojë një program të veçantë për lëndën që jep mësim, sipas specifikave të kësaj lënde. “Për mendimin tim, nuk është i rëndësishëm penalizmi i mësuesve, por nxitja e tyre në punë për të qenë gjatë gjithë kohës në kërkim. Testimi i mësuesve për kualifikim është një nxitje për punën e tyre”, - shprehet specialistja e DAR-it.

Portofoli

Të gjithë mësuesit që do të futen në procesin e testimit për vitin shkollor 2008-2009 duhet të përgatisin portofolin, i cili, sipas udhëzimit të MASH-it, duhet të përmbajë: Curriculum vitae me fotografi; planin mësimor vjetor (për një lëndë dhe një klasë të caktuar); objektivat e arritjeve të nxënësve për një kapitull, në tri nivele (në një lëndë dhe klasë të caktuar; modele testesh të hartuara prej tij (2-3 teste); planifikim i kurrikulës së lirë (për një lëndë të caktuar); vlerësim për punën e tij (nga vlerësues të jashtëm dhe të brendshëm). Për kohën e dorëzimit të portofolit në drejtori mësuesit do të njoftohen me postën javore. Tashmë programet e testimit sipas lëndëve janë shpërndarë në drejtoritë e shkollave dhe secili mësues mund t’i gjejë ato pranë drejtorisë së shkollës së tij. Gjatë kësaj periudhe mësuesit që do të hyjnë në këtë proces do të pajisen me një vlerësim të brendshëm të realizuar nga drejtoria e shkollës dhe një vlerësim të jashtëm nga sektori i inspektimit në DAR. Këto vlerësime do të jenë pjesë e portofolit të mësuesit. Pas depozitimit pranë Drejtorisë Arsimore, portofoli i çdo mësuesi do t’i nënshtrohet një vlerësimi që do të bëhet nga specialistët e kësaj drejtorie. Ndërsa mësuesit që nuk do ta dorëzojnë një portofol të tillë, nuk do të munden t’i nënshtrohen testimit. Portofoli i Zhvillimit Profesional të Mësuesit përgatitet nga vetë ata. Kjo është një praktikë shumë e njohur perëndimore, e cila në vendin tonë u aplikua për herë të parë vitin e kaluar.

Kërkesat

Mbi 200 mësues në Tiranë, që plotësojnë vjetërsinë e nevojshme të punës në arsim, kanë depozituar kërkesën pranë Drejtorisë Arsimore për t’iu nënshtruar provimit të kualifikimit. Sipas Teuta Çobajt, ky numër pritet të rritet deri në mbylljen e procesit të aplikimit, pasi ende mësuesit kanë kohë në dispozicion për të dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm për testim. Më tej, specialistja Çobaj shpjegon se këtij testimi mund t’i nënshtrohen jo vetëm mësuesit, por edhe drejtorët e shkollave si dhe edukatoret e kopshteve. Paraprakisht, të gjithë mësuesit që kanë dorëzuar në DAR portofolin e tyre profesional, po monitorohen nga inspektorët e Drejtorisë Arsimore për punën e tyre të përditshme. Për këtë Çobaj shpjegon: “Mësuesit duhet të kenë një vlerësim të jashtëm nga inspektorët për punën e tyre. Për këta ata janë njoftuar edhe paraprakisht”. Por, përveç monitorimit, inspektorët përkatës, të ndarë sipas lëndëve, do të jenë edhe këshillues të mësuesve për punën që ata duhet të bëjnë për të dalë me sukses nga provimi.

Vjetërsia

Kushti kryesor që një arsimtar të pranohet në provimin e kualifikimit që do të zhvillohet në muajin mars të vitit 2009 është vjetërsia e punës në arsim. Sektori i Trajnimit dhe Kualifikimit në DAR sqaron se provimeve të kualifikimit do t’u nënshtrohen vetëm punonjësit që deri më datë 31 dhjetor 2008 plotësojnë vjetërsinë e mëposhtme të punës në arsim: nga 5 deri në 9 vjet për shkallën e tretë të kualifikimit; nga 10 deri në 19 vjet për shkallën e dytë të kualifikimit; 20 e më shumë vjet për shkallën e parë të kualifikimit. Në bazë të këtij kategorizimi, mësuesi përfiton shtesë në pagë, që për kategorinë e tretë është plus 5 për qind, për të dytën plus 10 për qind dhe për të parën plus 20 për qind. Mësuesi, i cili s’kualifikohet në provim, nuk kualifikohet për nivelin përkatës që ka kërkuar, por ka mundësi të aplikojë sërish vitin e ardhshëm. Mësuesit që plotësojnë vjetërsinë e punës duhet të depozitojnë pranë drejtorive arsimore përkatëse dokumentet e nevojshme për regjistrim, të cilat përfshijnë: diplomën e shkollës së lartë, portofolin e zhvillimit profesional, certifikatë personale me fotografi, dokument që vërteton vjetërsinë e tyre në punë, vërtetim nga drejtoria e shkollës ku japin mësim etj.



Çfarë duhet të përmbajë Portofoli i Zhvillimit Profesional

Portofoli i mësuesit, sipas udhëzimit të MASH-it duhet të përmbajë:

Curriculum vitae (me fotografi)

Planin mësimor vjetor (për një lëndë dhe një klasë të caktuar)

Objektivat e arritjeve të nxënësve për një kapitull, në tre nivele (në një lëndë dhe klasë të caktuar)

Modele testesh të hartuara prej tij (2-3 teste)

Planifikim i kurrikulës së lirë (për një lëndë të caktuar) Vlerësim për punën e tij (nga vlerësues të jashtëm dhe të brendshëm)



Kushtet

Provimeve të kualifikimit do t’u nënshtrohen vetëm punonjësit, të cilët deri më datë 31 dhjetor 2008, plotësojnë vjetërsinë e mëposhtme të punës në arsim:

nga 5 deri në 9 vjet, për shkallën e tretë të kualifikimit

nga 10 deri në 19 vjet, për shkallën e dytë të kualifikimit

20 e më shumë vjet, për shkallën e parë të kualifikimit



Shtesa

Në bazë të këtij kategorizimi, mësuesi përfiton shtesë në pagë që për kategorinë e tretë është plus 5 për qind, për të dytën plus 10 për qind dhe për të parën plus 20 për qind. Mësuesi, i cili s’kualifikohet në provim, nuk kualifikohet për nivelin përkatës që ka kërkuar, por ka mundësi të aplikojë sërish vitin e ardhshëm.



Fondi Ndërkombëtar i Visegradit ofron bursa studimi



Fondi Ndërkombëtar i Visegradit, themeluar nga qeveritë e katër vendeve pjesëmarrëse në grupin Visegrad (Çeki, Sllovaki, Hungari dhe Poloni), në kuadër të Programit të Bursave Visegrad ofron bursa për studime universitare ose pasuniversitare për vitin akademik 2009-2010. Lajmi bëhet i ditur nga sektori i Marrëdhënieve me Jashtë pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, i cili njofton se për një informacion më të hollësishëm lidhur me llojin e bursave që ofrohen, mënyrës së plotësimit të formularit të aplikimit si dhe të përgatitjes së dokumentacionit nga aplikanti, të interesuarit duhet ti referohen adresës së mëposhtme të internetit: http://scholarships.visegradfund.org. Afati i fundit për plotësimin e aplikimit on-line është data 30 janar 2009.









10 Janar 2009