Qëllon shpesh që pas përfundimit apo nisjes së ndërtimit të një vepre publike, politikanët të lëshohen me “gërshërët” në duar, apo simbolikisht hedhin një lopatë domethënëse për nisjen e punimeve të saj, për të prerë shiritin e përfundimit apo të nisjes së punës.


Këto përurime janë në trendin e politikanëve modernë, që të vendosur përballë akuzave për premtime të pambajtura, zgjedhin “veprat” për të vërtetuar të kundërtën. Por nisma të tilla mund të rezultojnë edhe tragjike, si rasti i Ministrit të Brendshëm të Shtetit Federal të Bavarisë në Gjermani.


Joachim Herrmann vendosi të përurojë nisjen e punimeve për ndërtimin e një superstrade në Kempten të Gjermanisë. E për këtë, zyrtari i lartë lokal kishte zgjedhur të “pilotonte” një ekskavator gjigant. Por diçka nuk shkoi ashtu siç duhej dhe mjeti i rëndë prej 40 tonësh u kthye përmbys.


Nga incidenti, Ministri Herrman u lëndua në këmbë, dorë dhe disa gërvishtje të lehta në trup, fatmirësisht pa rrezik për jetën. Truprojet dhe shoqëruesit e tij nxituan ta nxirrnin nga kabina e ekskavatorit për ta dërguar në spitalin më të afërt ku mori ndihmën e parë mjekësore.