Dy aktorë të Teatrit dhe Estradës profesioniste të Durrësit, Lutfi Hoxha dhe Roland Koça, janë nderuar me "Mirënjohja e qytetit" në 75 dhe 60-vjetorin e lindjes së tyre. Bashkia e qytetit organizoi një ceremoni nderimi për figurën dhe veprimtarinë artistike të dy aktorëve të mirënjohur të skenës dhe ekranit, duke festuar bashkë me familjarët e tyre jetën aktive në skenë dhe kontributin në artin durrsak. Në një ceremoni të thjeshtë të zhvilluar në Pallatin e Kulturës në Durrës, në prani të miqve dhe kolegëve të tyre, si dhe autoriteteve të pushtetit vendor, dy aktorët janë nderuar për punën e tyre të gjatë si artistë të një niveli të lartë. Regjisorët Gjergj Vlashi e Mihal Luarasi, aktorët Vera Urumi, Edi Luarasi, Mirush Kabashi, Terezina Dema, etj., kanë përshëndetur aktorin Lutfi Hoxha, i cili dje festoi edhe 75-vjetorin e lindjes. Bashkë me organizatorët Haxhi Rama, Hysen Bashhysa dhe Xhelal Tafaj ata kanë kujtuar pjesë nga kontributi i "Artistit të Merituar" Lutfi Hoxha. Kryetari i bashkisë, Vangjush Dako, pasi vlerësoi kontributin e aktorit të njohur durrsak si një nga themeluesit e Teatrit profesionist në Durrës i dorëzoi atij titullin "Mirënjohja e qytetit". Rolet më të spikatura të tij janë ato të interpretuara në pjesët: "Votra e huaj" e Ndrek Lucës, "Bileta e lotarisë" e Dionis Bubanit, "Prindër edukatorë" e Spiro Çomorës, "Martesa" e Gogolit, "I sëmuri imagjinar" i Molierit dhe te "Dredhitë e Skapenit. Më pas i është dorëzuar i njëjti titull edhe aktorit Roland Koça nga kryetari i këshillit bashkiak, Zamir Ramadani. Roland Koça është ngjitur në skenë nga regjisori i tij i parë, Gjergj Vlashi, i cili ka qenë i pari që ka besuar tek talenti i tij. Aktori Roland Koça, i cili ka spikatur veçanërisht në trupën e estradës, është përshëndetur më pas nga kolegët e tij të vjetër, Aishe Stari, Fadil Hasa si dhe regjisorja aktuale e teatrit "Aleksandër Moisiu", Driada Dervishi.



Aktori Lutfi Hoxha



Dje ai mbushi plot 75 vjet jetë dhe ende pasioni, profesionalizmi për aktrimin e mban në skenë. Është një nga kolosët e roleve dytësore në kinematografinë shqiptare, po dhe një nga aktorët themelues të Teatrit profesionist të Durrësit. Një nga ata aktorë, portreti i të cilëve nuk harrohet lehtë, për shkak të profesionalizmit dhe mirësisë që gjeneron në secilin prej roleve të realizuara, mbetet i mbërthyer fort pas saj. Është "Artisti i Merituar" Lutfi Hoxha, njeriu që ka afro gjashtë dekada jetë skenike dhe nuk ndjehet i lodhur. I fundit ishte roli i Musait te filmi "Ne dhe Lenini". Dalja në pension nuk e ka mbajtur larg skenës dhe filmit. Ai lindi në Durrës më 1 qershor të vitit 1934 ku dhe kreu mësimet e para për të vijuar liceun artistik "Jordan Misja", dega e aktrimit. Nisi të merret me teatër që kur ishte amator në grupin e Kantierit Detar, ku spikati talenti dhe aftësia e tij për të krijuar karaktere. Në estradën e ushtrisë Lutfiu u shqua, sidomos për monologët e tij të realizuar me vërtetësi dhe humor të këndshëm. Mbi 100 role në teatër dhe afro 17 në kinematografi përbëjnë gamën e jetës së tij artistike. Disa prej filmave në të cilat ka interpretuar janë "Detyrë e posaçme", "Thirrja", "Shoku ynë Tili", "Pylli i lirisë", etj.