Togat e zeza të Gjykatës së Tiranës dënuan dje me burg përjetë Jaho Mulosmanin, për akuzën e "vrasjes me paramendim" ndaj Bislim Hykës dhe Isuf Bashkurtit në vitin 1999 në Tropojë.  Për shkak të zbatimit të gjykimit me kohë të shkurtuar, vendimi ndaj Mulosmanit u ul në 25 vjet. Ndërsa në bashkim të këtij dënimi me dënimin e mëparshëm me burgim të përjetshëm të Mulosmanit për përfshirje në vrasjen e ish-deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari, gjykata vendosi përfundimisht për të "burg përjetë". Vendimi ndaj Mulosmanit u shpall dje nga kryesuesi i rigjykimit të tij në gjykatën e kryeqytetit, gjyqtari Petrit Çomo. Në seancën e djeshme gjykata u njoh me konkluzionet përfundimtare të palëve. Sipas përfaqësuesit të akuzës, nga organi i Prokurorisë ishte e faktuar se autor i vrasjes së Bislim Hykës dhe Isuf Bashkurtit ishte i pandehuri Jaho Mulosmani. Referuar dispozitave ligjore në fuqi, prokurori kërkoi deklarimin fajtor të të pandehurit Mulosmani dhe dënimin e tij me burgim të përjetshëm. Ndërsa avokati mbrojtës i Mulosmanit pretendoi pafajësi për klientin e tij. Pasi u njoh me pretendimet e palëve, gjykata vendosi deklarimin fajtor të Mulosmanit për akuzat e ngritura ndaj tij dhe dënimin me burgim të përjetshëm. Pranimi nga gjykata në seancat e mëparshme i gjykimit me kohë të shkurtuar reduktoi dënimin maksimal të vendosur ndaj tij në 25 vjet burg. Në të njëjtën seancë, gjykata, me kërkesë të prokurorisë, bashkoi dënimin tjetër maksimal të marrë më parë ndaj Mulosmanit, duke e lënë atë përfundimisht në "burgim të përjetshëm".Dosja në ngarkim të Jaho Mulosmanit për akuzat e "vrasjes" ndaj Bislim Hykës dhe Isuf Bashkurtit u kthye për rigjykim në Shkallën e Parë nga një vendim i Gjykatës së Lartë në maj të këtij viti. Kolegji Penal prishi vendimin Shkallës së Parë të gjyqësorit me arsyetimin se ishin vërejtur shkelje procedurale. Vrasja e Hykës dhe Bashkurtit u shënua në 4 gusht të vitit 1999 në qendër të qytetit të Tropojës. Ndërsa mbante detyrën e shefit të Rendit në Komisariatin e Policisë Tropojë, Mulosmani ishte i pari i dyshuar i Prokurorisë si autor. Kjo, pasi pak orë para ngjarjes nga një atentat me mina të telekomanduara në fshatin Cërrnicë të Tropojës u vra Halil Haklaj dhe Feriz Kërnaja, ndërsa u plagosën  Fatmir Haklaj dhe Fatmir Daka.                    ar. ba.