Maxhoranca në Këshillin Bashkiak të Tiranës zgjodhi dje 15 anëtarët e saj

për në Këshillin e Qarkut të Tiranës, ndërsa opozita e braktisi këtë proces.


Këshilltarët e maxhorancës në Këshillin Bashkiak të Tiranës votuan pa ata

të opozitës për anëtarët e Këshillit të Qarkut që zgjidhen nga ky Këshill. Opozita u largua nga salla e mbledhjeve të Këshillit me pretendimin se seanca u zhvillua me shkelje të mëdha që në nisje të saj. Opozita nuk arriti në këtë mënyrë të propozojë anëtarët e saj për në Këshillin e Qarkut, duke i lënë hapësirë të plotë vetëm propozimeve të maxhorancës. I vetmi i pranishëm

nga opozita ishte këshilltari i PSV91, Enver Reçi, i cili u zgjodh edhe në

Këshillin e Qarkut.


ZGJEDHJA

Pasi mbaroi betimi i kryetarit të ri të Bashkisë, Lulzim Basha, kryetari i Këshillit, Kosovrasti, dhe nënkryetari i tij, Zamir Ndroqi, kërkuan që ta shoqëronin Bashën në zyrën e tij për të nisur kështu detyrën e re. Bashkë me ta, edhe ambasadorët e pranishëm në ceremoninë e betimit. Në zyrën e kryetarit të ri shkuan edhe një pjesë e mirë e këshilltarëve të maxhorancës.

Kjo ceremoni në zyrën e kryetarit të ri të Bashkisë zgjati rreth 30 minuta,

duke bërë që socialistët të humbnin durimin. Kur janë kthyer në sallën e mbledhjes, kreu i këshilltarëve të PS, Aldrin Dalipi, e cilësoi të braktisur

sallën e mbledhjes nga këshilltarët e maxhorancës duke e quajtur jo serioze. Duke e cilësuar seancën e djeshme me shkelje të rënda edhe për shkak të udhëzimeve të ministrit të Brendshëm, Dalipi kërkoi që votimi për Këshillin

e Qarkut të bëhej në mbledhjen e ardhshme. “Seanca nisi me shkelje të rënda

me udhëzime të paligjshme, si dhe u bllokuan procedurat e Këshillit Bashkiak”, u shpreh Dalipi. Por, kreu i grupit të këshilltarëve të djathtë, Ferdinand Poni, kërkoi që Këshilli i Qarkut të zgjidhej menjëherë dhe të

niste nga puna. Këshilltarët socialistë janë larguar, dhe pse mes tyre mungonin Mimoza Hafizi dhe Kristaq Blushi. Poni lexoi listën e

kandidatëve të maxhorancës për Këshillin e Qarkut. Enver Reçi, këshilltar i PSV91, kërkoi të ishte dhe ai në listën që do të votohej dhe në fund të votimit ai rezultoi me 29 vota, aq sa kishin marrë të gjithë këshilltarët e tjerë të së djathtës.


Koçi dënon qëndrimin e Reçit: Komprometues


Kreu i PSV91, Petro Koçi, i cilësoi veprimet e këshilltarit të tij në Këshillin Bashkiak të Tiranës të pajustifikuara dhe komprometuese. “Pa dashur t’i rrisë rëndësinë ndonjë veprimi të çuditshëm në procesin e konstituimit të Këshillit, duhet të deklaroj se çdo sjellje ndryshe nga ajo e Grupit socialist, në raport me maxhorancën që mban përgjegjësi direkte në vrasjet e 4 opozitarëve në 21 janar dhe grabitjen e mandatit të kryetarit të Bashkisë Tiranë, mbetet e pajustifikueshme dhe komprometuese. Çdo bashkëpunim

për përfitime apo dëm individual opozitar me manipuluesit historikë

të zgjedhjeve nuk i shton dot ditët e qeverisë Berisha”, u shpreh Koçi. Kreu i PSV91 vlerëson qëndrimin e Grupit të PS. “Në emër të PSV përshëndes qëndrimin dinjitoz të Grupit socialist, të këshilltarëve dhe të kryetarit të grupit, Aldrin Dalipi, në konstituimin e qeverisjes vendore të Tiranës”, u shpreh Koçi.                                                    ARISTIR LUMEZI


Lista e anëtarëve të Këshillit të Qarkut

Ferdinand Poni

Suzana Guxholli

Njazi Kosovrasti

Dhori Kule

Eneida Guria

Besnik Aliaj

Enkelejda Sallaku

Bledi Kasmi

Arjana Bekteshi

Shezai Rrokaj

Edmond Panariti

Tahir Muhedini

Maksim Begeja

Agim Kraja

Enver Reçi

Të zgjedhur me

nga 29 vota secili