Petrit Zylyftari rrëfen detaje nga ekzekutimi i të vëllait në Shkodër, takimin e fundit me të dhe momentin e marrjes vesh të lajmit tragjik



BERAT - Mëngjesin e djeshëm familja Zylyftari kreu sërish ritualin e çdo 3 gushti. Lule të freskëta u vendosën mbi varrin e Arben Zylyftarit, kolonelit të hekurt, pikërisht në 8-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, ndërkohë që lotët e njelmëta të familjes ende nuk kanë shteruar. Paraditen e 2 gushtit të vitit 2000, thuhet se djali i tij i vetëm, Franci, asaj kohe 5-vjeçar, krenohej se babanë e tij nuk mund ta vriste askush. Për vogëlushin ai ishte i pavdekshëm, ashtu siç do të bëhej edhe për historinë e Policisë së Shtetit pak orë më vonë. Arben Zylyftari u vra në 2 gusht të vitit 2000, në qytetin e Shkodrës, në kohën që mbante detyrën e drejtorit të policisë së këtij qarkut, duke lënë pas jo vetëm emrin e mirë dhe një karrierë të lakmueshme, që mbase mund të kishte shkaktuar edhe xhelozira. Prej 8 vitesh familja vuan mungesën e Benit të saj, ndërsa Eni dhe Franci u rritën me kujdesin e mamasë së tyre dhe të gjithë të afërmve të tjerë, të cilëve vdekja e kolonelit në krye të detyrës ua ka tharë shpirtin.

Sidoqoftë, po prej 8 vitesh, i akuzuari për vrasjen e Arben Zylyftarit, Genci Tafili, i dënuar me 25 vjet heqje lirie, pasi së bashku me të atin, Bahri Tafilin, të vrarë në vendngjarje, është cilësuar si person përgjegjës në ekzekutimin e kolonelit të hekurt, këmbëngul në të gjitha shkallët e gjyqësorit se Zylyftari nuk është vrarë prej tij. Gjykata sidoqoftë hedh poshtë këtë pretendim. “Korrieri” në ditën e zisë së familjes Zylyftari sjell për lexuesin kujtimet dhe vlerësimin e kësaj familjeje në lidhje me tragjedinë. Në një intervistë ekskluzive, vëllai i Arben Zylyftarit, Petriti, rrëfen gjithçka di rreth vrasjes, dyshimet dhe takimin e fundit me të vëllanë.   

 

-Si e keni marrë vesh vrasjen e vëllait tuaj?

“Lajmi në fillim është transmetuar në televizion. Ne nuk e kemi marrë vesh menjëherë. Na e thanë të njohurit tanë. Unë nuk e besova, derisa erdha në shtëpi, ku dhe gjeta gjëmën. Nuk u besoja veshëve të mi për atë që kisha dëgjuar. Vdekjen e tij e besova vetëm kur pashë trupin e tij të pajetë”.

-Për ju vrasja e vëllait tuaj ishte e qëllimshme, pra ai ishte shënjestër e paramenduar, apo ishte viktimë tragjike e paqëllimshme gjatë kryerjes së detyrës?

“Në momentin e ngjarjes, e cila ka ndodhur në lagjen “Guerile” të qytetit të Shkodrës, Beni ndodhej me dy ish-pedagogët e tij, duke drekuar në një nga lokalet e këtij qyteti. Me të marrë sinjalin në radio për çka po ndodhte në shtëpinë e familjes Tafili, menjëherë ai niset në drejtim të ngjarjes, ku i zoti i shtëpisë, një person shumë i kërkuar për dy vrasje, nuk po dorëzohej. Në të vërtetë, personi i shumëkërkuar nuk ndodhej në ndërtesën e rrethuar nga policia, por në një vend tjetër, një kasolle shumë afër vendit ku u ndodh Beni. Distanca ishte shumë e vogël dhe plumbat e dalë nga një automatik i morën jetën vëllait tonë”.

-Zoti Petrit, a mendoni se vrasja e kolonel Zylyftarit është zbardhur plotësisht nga organet e drejtësisë?

“Ne si familje asnjëherë nuk e kemi vënë në dyshim që organet e drejtësisë nuk do të dënonin atë që qëlloi mbi vëllanë tonë. Për ne drejtësia ka kryer detyrën e saj dhe brenda të gjithë ligjeve ka dënuar autorin e vrasjes së vëllait tonë”.

-Kolonel Arben Zylyftari u vra në krye të detyrës. Shteti si e ka vlerësuar familjen tuaj?

“Shteti për vetë meritat që kishte vëllai ynë, e trajtoi ashtu siç e meritonte. Qeveria që drejtohej nga Ilir Meta na u gjend pranë, dhe në vazhdimësi, të gjitha qeveritë më pas kanë qenë të interesuara për mbarëvajtjen e familjes së Benit dhe tonën.  Vazhdimisht drejtuesit e qeverisë në çdo përvjetor kanë kryer vizita në familje dhe kanë treguar interesimin e tyre për hallet familjare që mund të kishim ne”. 

-Kur e keni bërë takimin e fundit me vëllanë tuaj të ndjerë?

“Dy javë para se të ndodhte ngjarja. Beni erdhi dhe takoi familjen e tij që jetonte në Berat. Patëm biseda për punën e tij, ngarkesën që i vinte për shkak të saj, marrëdhënien me njerëzit dhe pushtetarët lokalë. Biseda e fundit e bërë mes nesh ka qenë pikërisht për detyrën që ai i kishte vënë vetes, për të vënë qetësi e rend dhe për të mbrojtur qytetarët karshi krimit”.

 

 

1989 - Diplomohet në Akademinë e Rendit, emërohet oficer i policisë në Korçë.

4 muaj pas emërimit ngrihet në detyrë dhe emërohet zëvendësshef i policisë për ndjekjen e krimeve

1991 - Shef i sektorit të ndjekjes së krimeve për rrethin e Korçës

3 gusht 1993 - Lirohet nga detyra

Në fundin e korrikut 1997 - Arben Zylyftari emërohet drejtor i Drejtorisë së Policisë për Prefekturën e Korçës e më pas merr po detyra madhore në policinë e Vlorës, Lezhës e Shkodrës

2 gusht 2000 - Vritet në Shkodër, gjatë kohës që ishte drejtori i policisë së këtij qarku

Emrin e Arben Zylyftarit e mban e vetmja akademi policie në vend. 

 

 

Pretendimi i Genci Tafilit

 

“Zylyftarin e vranë kolegët”  

 

Në të gjithë nivelet e gjykimit, i dënuari aktualisht me 25 vjet burg ka këmbëngulur se koloneli nuk u vra nga i ati dhe ai vetë

 

Genci Tafili, 30-vjeçari shkodran i dënuar me 25 vjet heqje për vrasjen e kolonel Arben Zylyftarit, këmbëngul se ekzekutimi nuk është bërë nga ai. Përveç faktit se është qëlluar vetëm nga i ati me kallashnikov, ai ka edhe një bindje tjetër, të cilën e ka shfaqur edhe para gjykatës. Sipas Tafilit, Arben Zylyftari në 2 gusht u qëllua nga vetë kolegët e tij. Ky pretendim është bërë dhe nga avokati mbrojtës i Tafilit në të gjithë nivelet e gjykimit të klientit të tij, deri në Gjykatën e Lartë, e cila e ka dënuar me 25 vjet burg Genci Tafilin në shkurt të vitit 2002. I dënuar fillimisht me 20 vite burg nga gjykata e rrethit dhe më pas dhe ajo e Apelit të Shkodrës, Genci Tafili pretendon se Arben Zylyftari dhe më pas edhe babai i tij, Bahri Tafili, i cili ishte person i shpallur në kërkim për vrasje, janë vrarë nga policia. Pak kohë më vonë, vëllai i Genc Tafilit, Admir Tafili, u arrestua dhe aktualisht është edhe ai në burg, pasi u cilësua si autor i plagosjes së rëndë të ish-punonjësit të policisë, Prelë Pjetrushi, një ndër pjesëmarrësit dhe drejtuesit e aksionit të rrethimit të Bahri Tafilit, i cili u vra pas plagosjes me pasojë vdekjen e drejtorit të policisë së Shkodrës, kolonel Arben Zylyftarit. Më datë 2 gusht 2000, në bazë të një plani të hartuar nga drejtuesit e Policisë së Rendit të Komisariatit të Policisë Shkodër, forcat e policisë të përbërë nga katër grupe të gatshme të drejtuara nga Prelë Pjetrushi dhe Astrit Veshi, kanë filluar një operacion në lagjen “Udha kryq”, për të verifikuar të dhënat për fshehjen e makinave të vjedhura në këtë lagje. Në ecje e sipër me automjete, një nga agjentët e policisë ka informuar se një person që ishte në kërkim nga policia, sa pa automjetet, u largua me vrap. Ky u identifikua si Bahri Tafili, i kërkuar për vrasjen e Gëzim Gecit. Forcat e policisë pasi trokitën dhe nuk iu hap porta, kanë kaluar murin e shtëpisë dhe kanë hapur portën, duke hyrë brenda fillimisht pesë punonjës policie. Bahri dhe Genci Tafili ndërkohë që policia iu hyri në oborrin e shtëpisë private, të dy të armatosur, nëpërmjet shkallëve që ndodheshin në banjë hipën në tarracën e shtëpisë. Në momentin që një punonjës policie tentoi të hipte në tarracë, një breshëri automatiku, që për fat nuk shkaktoi viktima, e pengoi. Përballë një rreziku të kundërshtimit me armë, Prelë Pjetrushi është lidhur me radio me drejtorin e policisë së Shkodrës, Arben Zylyftarin, i cili dha porosi që të tregohej kujdes i madh për të mos u dëmtuar policët dhe njoftoi se do të shkonte edhe ai në vendin e ngjarjes. Gjatë kësaj kohe ka pasur shkëmbim zjarri dhe Genc Tafili e babai i tij kanë zbritur nga tarraca e shtëpisë së tyre, dhe duke mos iu përgjigjur thirrjes së përsëritur për t’u dorëzuar, kaluan nëpër bahçen e shtëpisë së N. Alisë dhe u futën në një kasolle. Arben Zylyftari, pasi ka kërkuar edhe bashkëpunimin e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) ka mbërritur në vendin e ngjarjes. Ai ka qëndruar rreth 17 metra larg nga kasollja ku ishin futur Bahri dhe Genci Tafili. Në këtë kohë, zyrtarisht thuhet se është qëlluar me një të shtënë nga kasollja dhe plumbi kapi në gjoks Arben Zylyftarin, i cili më pas gjeti vdekjen në spitalin e Shkodrës. Gjatë kësaj ngjarjeje mbeti i vrarë në vend edhe Bahri Tafili, ndërsa i biri, Genci Tafili, u dorëzua.