Kam ndier vështirësi, për ta ngushtuar diskutimin në romanin "Udhëtari", duke patur parasysh personalitetin e shumanshëm të shkrimtarit Sabri Godo. Nga çkëndvështrim mund ta shqyrtoja? Në prerjen e historisë së letërsisë shqipe, kur dihet mirë se ç'vend të rëndësishëm e të patundur zënë në të "Ali Pashë Tepelena", "Skënderbeu" e vepra të tjera të tij. Por s'mund ta injoroja këndvështrimin nga teoria e estetikës, sepse veprat e tij mbartin vlera të shquara estetike, siç është midis problemeve teorike, raporti i autorit me veprat e tij, sa e si është shprehur drejtpërdrejt ose tërthorazi personaliteti i tij, që është një problem i diskutimeve të mprehta estetike tek ne, por edhe më gjërë.

Trajtimi në prerjen e biografisë personale, gjithashtu, është i rëndësishëm e interesant, se jeta e tij plot ngjarje, peripeci e zigzake mund të kapej si objekt letërsie, dokumentare ose memoriale. Një prerje tjetër mund të ishte raporti midis Sabriut shkrimtar dhe Sabriut politikan. Pastaj, nuk mund të më shpëtonte fakti i miqësisë të hershme, që kemi patur e kemi, si moshatarë rreth të tetëdhjetave, por edhe si ish-partizanë, nga më të paktët, l4-l5 vjeçarë. Po e lidh këtë aspekt, edhe me shfaqjen për herë të parë si shkrimtar i talentuar, kur shkrojti bukur librin "Plaku i Butkës", ku përmendet miqësia e luftëtarit Sali Butka me Mësuesin Petro Nin Luarasi. Ke shumë të flasësh për Sabri Godon! Por, unë po ndalem, të shpreh ca mbresa të forta, që pata nga leximi I romanit "Udhëtari".



Duke e njohur mirë, gjithë çka shkruar më parë, isha kurioz të sqaroja se ku ka arritur Sabriu në letërsi, ç'përfaqëson romani "Udhëtari", është thjesht një ribotim, apo një redaktim i një romani të botuar shumë kohë më parë.



"Prova e zjarrit"? Në një intervistë, ai tha se e ka "rishkruar" këtë vepër. Pasi e lexova me një frymë, unë e quaj se ai është një roman i ri, shumë tërheqës me vlera të shquara artistike. Nuk është e lehtë, të kalosh nga një tregim apo novelë shumë të mirë, në një roman. Kam parasysh, prova të disa shkrimtarëve tanë, që kanë bërë prova të tilla, nga një tregim shumë i mirë kanë rishkruar një roman të zgjatur. Ndryshe nga të tilla prova, në rishkrimin e tij, Sabriu ia ka dalë mbanë, falë përvojës së pasur, mjeshtërisë të gjallë dhe urtësisë filozofike që e karakterizon.



Por, unë dua të përmend se "Udhëtarin", Sabriu gjeti ta botojë në një moment të përshtatshëm. Ka kaluar shumë kohë, kur u botuan tregimet e luftës dhe "Prova e zjarrit", edhe më shumë kohë ka kaluar, nga gjarjet e luftës, të cilat shumëkush, ca veteranë e ca historianë të rinj, kohët e fundit, duan ta rishkruajnë historinë kombëtare dhe të letërsisë, dhe po përplasen me njëri tjetrin, në debate, hera-herës, tejet të ashpra. Dhe çfarë nuk po dëgjojmë! Të vërteta për shtrembërimet e falsifikimet e vjetra, por edhe mashtrime të trupshme të reja. Prandaj, isha shumë kurioz për raportin e Sabriut të sotëm me historinë. Si po e shkruan Sabriu historinë? Sa e ka hequr pas vetes, shkrimtarin, politika? Ka që thonë, se shkrimtarët s'ka përse të merren, ose të prekin historinë, këtë le t'ua lenë historianëve. Por unë e di, që Aristoteli qysh në kohën e vet, pat thënë se letërsia është më e mençur se historiografia.



Unë e di se Sabriu nuk është as si njeri, as si personalitet, as si shkrimtar asish, për të cilët përdoret një fjalë banale, që s'do të më pëlqente ta thosha, gjithsesi, si ata, që s'janë të paktë, që e dredhin, Jo, ai nuk lëviz kollaj nga çdo fllad i lehtë ere, ose sipas modës, as nga furtunat, stuhitë përmbysëse. Dhe duke e lexuar romanin e tij të ri "Udhëtari''vurta re, se Sabriu qëndron në istikamin, llogoren dhe në udhën e tij. Ai thotë të vërtetën e madhe, për atë që e quajmë Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare e popullit shqiptar. E thotë, më saktësisht e me zë më të fortë, seç e kanë thënë ose e thonë pak historianë e shumë veteranë. Shkrimtari e thotë siç ka qenë e siç është lufta: e rëndë, e përgjakshme, e ndërlikuar, tragjike, heroike, me të mira e me të këqija. Në atë "udhëtim", hyjnë njerëz, që janë gati të japin jetën, dhe e japin për qëllime të larta kombëtare, shoqërore, për Lirinë e Pavarësinë, që e bënë pjesë të nderuar të Aleancës së Madhe Antifashiste Botërore, për ta shpëtuar vendin, jo vetëm nga pushtuesit e egër të huaj, por për të mos u kthyer sërisht në atë regjim anadollak të prapambetjes, të padrejtësisë sociale, të varfërisë, që ua shiti Atdheun të huajve, për të mos e rivendosur, rendi i vjetër të bejlerëve, kolaboracionistëve dhe tradhëtarëve; kjo do të thotë se në këtë udhë, shkonin vullnetarisht, gjithë ata që kishin një ëndërr të madhe për një botë, për një jetë të re. Shkrimtari, tregon se në këtë udhë, ka që japin jetën, ka që dalin fitimtarë, por ka edhe humbës, të zhgënjyer, ka edhe asish që humbasin besimin, kur vinin re ca shenja, njolla të zeza, që mund të kishin qenë paralajmërime për dështimin e Utopisë së Madhe, siç edhe ndodhi.



Ka qenë intuita e fortë artistike, që nuk e ka lënë Sabriun të rrëshqasë nga vatra e krijimtarisë letrare, në atë të historianit të njëanshëm ose mashtrues. Në romanin "Udhëtari" duket talenti i shkrimtarit, që ia bën të mundur artin nga historia. Në çdo faqe të librit duket kujdesi i autorit për të bërë art, për të aktivizuar mjetet, armët specifike të krijimit artistik, me të cilat e kap dhe e pasqyron jetën me vërtetësi, ashtu siç ka qenë ajo. Sabriu e ka shmangur atë prirje që estetikën e kthen në idealizime të shtrembra, në zbukurime të pavërteta, në falsitet. Sabriu, është i sinqertë në atë që rrëfen, prandaj vërtetësia e romanit të tij është e besueshme. Por ka pasur, e ka kritikë e lexues, që padrejtësisht, nga padija, nga ligësia ose interesa pushteti, këtë të vërtet ia quajtën dikur "deheroizim" dhe e dënuan autorin. Por "Shkëmbi" alegorik, shtrofka e fundit e armiqve, nuk kapej dot, as pa viktima e gjakderdhje, as pa trimëri e guxim, as me sheqerosjet vulgare pseudo optimiste të "socrealizmit". Jashtëzakonisht të pakta, kanë qenë krijimet letrare të pasluftës, që e kanë dhënë me vërtetësi ngjarjet e saj, kurse të tjerë mospjesmarrjen e tyre në këtë Luftë, përpiqeshin ta mbulonin me përralla "çlirimtarësh", që kurrë, nuk i zinte plumbi, që s'dinin çështë frika e vdekja, që armiqtë i paraqitnin thjesht si frikacakë, budallenj e kriminelë.



Sabriu ka shkruar ndryshe. Besueshmëria e vërtetësisë së romanit "Udhëtari", është rezultat i njohjes estetike të lëndës, të fakteve jetësore jo të trillimeve fantastike. Sabriu, e ka shmangur trajtimin natyralist të fakteve, që i paraqit, me ngarkesë ekspresive, poetike e befasuese. Edhe në këtë roman spikat vetëdija e shkrimtarit, që e di mirë se letërsia artistike ndërtohet me gjuhë të pasur e origjinale, siç shkëlqen shqipja e tij e kulluar, leksiku i pasur, rrëfimi, përshkrimi e kuvendimi, dialogu i një jete thjesht shqiptare. Të bie në sy tek "Udhëtari" mjeshtëria e përsosur kompozicionale, e alternuar bukur, dramatike e rrëfimore përherë tërheqëse e impresionuese. Në roman, ka shumë emra personazhesh, sa mund t'i kishte një roman shumëplansh, shumëvëllimsh, por Sabriu i ka individualizuar mjeshtërisht, me detaje të zgjedhura gjuhe, mendimi, ngjarjesh, proverbash, pasionesh e vesesh, që lexuesit i nguliten si mbresa impresionuese, emocionuese.



Më në fund, nuk mund të mos bëj një krahasim midis "Udhëtarit", "Ali Pashë Tepelenës" dhe "Skënderbeut". Romani i ri i S.Godos, qëndron me dinjitet krahas kryeveprave të tij të mirënjohura, prandaj jam i bindur se do të përfshihet në atë trashëgimi të letërsisë shqipe, që do ta përcjellë të ardhmen e kulturës dhe të qytetërimit tonë demokratik, siç ka dashur t'i këndojë zemra heroit me ideale, Idajet Mërkurit:"Të ngrihet jeta, duke udhëtuar përpara. Kjo i dukej në tokë, në gurët, në drurët, dhe s'mund të ndalej. Njeriu do të ecë i lirë, i ngritur përherë më lart. Ai ishte një pjesë e gjallë e kësaj toke që lëviz".