Të rinjtë pohojnë se mungojnë disa detaje që i ka sistemi i Bolonjës
Shumë të rinj shqiptarë, që janë diplomuar në universitete shqiptare, e kanë të vështirë njohjen dhe konvertimin e diplomave të tyre jashtë vendit. Pavarësisht aplikimit të sistemit të kartës së Bolonjës, që përdoret edhe në universitetet evropiane, sërish vështirësitë nuk mungojnë. Sipas vetë të rinjve që kanë interes për të ndjekur studimet pasuniversitare jashtë vendit, bëhet e ditur se në diplomat e tyre mungojnë disa detaje që janë të domosdoshme për njohjen jashtë vendit. Kështu për të frekuentuar një master në një universitet italian, një ndër veprimet e domosdoshme që duhen kryer është krahasimi i kurrikulës ose lëndëve të fakultetit të ndjekur në Shqipëri me atë ku do të ndiqen studimet e mëtejshme. Por evidentimi i lëndëve shtesë që do të jepen provim nuk është shqetësimi i vetëm apo më i madhi. Në radhë të parë, duhet që përmes dokumentit të diplomës të përcaktohet dega e saktë e studimit në universitetin shqiptar. Në sistemin e Bolonjës, kjo gjë është e zgjidhur mes të tjerash edhe nga një detaj që përcakton klasat. Një hollësi e tillë në diplomën shqiptare nuk ekziston.
Por shqetësimin e njohjes dhe ekuivalentimit të diplomave shqiptare jashtë vendit nuk e kanë vetëm ata që duan të ndjekin studime pasuniversitare. Me të njëjtin fenomen përballen edhe ata që aplikojnë për vende të ndryshme pune në profilin e tyre. Ndërkohë që edhe mungesa e akreditimit të institucioneve të arsimit të lartë ka bërë që vlera e diplomave shqiptare të mos jetë e njëjtë me atë të vendeve të tjera europiane. Specialistë të Ministrisë së Arsimit pohojnë se një barazi e tillë në njohjen e diplomave të lëshuara nga universitetet shqiptare dhe ato të vendeve të Bashkimit Europian të paktën mund të bëhet vetëm me përmbylljen e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Eurozonë.
Nga ana tjetër, jo pak vështirësi hasen edhe në njohjen e apo konvertimin e diplomave të lëshuara në universitetet ndërkombëtare, lidhur me studimet pasuniversitare. Në Ministrinë e Arsimit, ende nuk është shfuqizuar një pikë në rregulloren që përcakton ciklet e studimit të lartë. Sipas kësaj rregulloreje, një i ri që ka kryer studimet e masterit në një universitet jashtë vendit dhe dëshiron që të kryejë doktoraturën në Shqipëri, më parë duhet të përfundojë një tjetër cikël studimesh, atë të masterit të nivelit të dytë në vendin tonë. Nuk kanë qenë të pakta ankesat e mbërritura pranë
Ministrisë së Arsimit dhe më lart lidhur me këtë çështje. Për ndryshimin e kësaj pike, në piramidën e studimeve në Shqipëri së fundmi është premtuar se do të bëhet një ndryshim nga ana e ministrit të fundit të Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj.
Në mbyllje të vitit të kaluar, ai u shpreh se priten një sërë reformash të tjera, për sa i përket klasifikimit të diplomave e masterave. Sipas tij, do të ketë ndryshime edhe në disa nene të ligjit të Arsimit të Lartë që lidhen me titujt e diplomave. “Do të kemi një sistem shumë të thjeshtë, sistemi Bachelor, master dhe doktoratë. Niveli i masterit do të ketë mastera profesionalë, por ne do të heqim masterin e nivelit të dytë. është një nivel i cili ka shkaktuar një problem në sistemin e arsimit të lartë”, tha Tafaj. Ministri i Arsimit ka theksuar gjithashtu se akreditimi i universiteteve publike dhe private pritet të përfundojë në shtator të 2010-s, ku agjencia gjermane do të ketë bërë klasifikimin e diplomave të studentëve. Faza e parë e këtij procesi ka një kosto prej 250 mijë dollarësh dhe është mbështetur nga Banka Botërore.






#